Kërko

Vatican News

Në Malin e Zi, hyri në fuqi ligji për lirinë fetare

I kundërshtuar fuqimisht nga Serbia fqinje, ligji i ri parashikon konfiskimin e pasurive, të pronave, të kishave dhe të manastireve të Kishës Ortodokse Serbe.

R.SH. - Vatikan

Hyri në fuqi më 9 janar, në Malin e Zi, Ligji i ri për lirinë fetare, masë e miratuar në fund të dhjetorit, që kundërshtohet fuqimisht nga Serbia fqinje, pasi parashikon konfiskimin e pasurive, të pronave, të kishave dhe të manastireve të Kishës Ortodokse Serbe.

Në fakt, sipas këtij ligji, bashkësitë e ndryshme fetare duhet të dëshmojnë ligjshmërinë e të drejtave të tyre pronësore edhe para vitit 1918, kur Mali i Zi u bë pjesë e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Miratimi i kësaj mase nga Podgorica ka shkaktuar përkeqësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve me Beogradin, ku, që prej ditësh, vijojnë manifestimet e protestës, mbështetur nga Kisha Ortodokse vendase dhe nga qeveria.

Mali i Zi e ka fituar pavarësinë në vitin 2006, kur përmes një referendumi u nda në mënyrë paqësore nga Bashkimi me Serbinë. Që atëherë, Podgorica i ka shtuar përpjekjet për të forcuar identitetin e saj kombëtar.

11 janar 2020, 12:07