Sulmi iranian me raketa Sulmi iranian me raketa  (ANSA)

Në Irak, sulmi i raketave iraniane kundër bazave amerikane

Raprezalja e parë iraniane kundër dy bazave amerikane, gjatë natës, pas vrasjes së gjeneralit Soleimani. Më se 20 raketa goditën bazat al-Asad dhe Erbil, duke shkaktuar 80 viktima, sipas TV iranian, por SHBA-të dhe aleatët nuk konfirmojnë, madje, deklarojnë se nuk kanë viktima.

R.SH. - Vatikan

Në orën 1.20 të mëngjesit në Bagdad, gati mesnatë në Evropë, Irani nisi operacionin “Soleimani martir”, duke hedhur raketa në Irak kundër dy bazave (al-Asad dhe Erbil), që strehojnë trupat amerikane dhe ato të koalicionit anti-Isis. Televizioni iranian foli për 80 viktima ndër trupat amerikane, por si SHBA-të, ashtu edhe aleatët e tyre, jo vetëm nuk konfirmojnë numrin, por deklarojnë edhe se, falë mbrojtjes së bunkerëve, asnjë nga vendet e koalicionit, përfshirë ushtrinë e Irakut, nuk ka humbje.

Trump: po vlerësojmë, deri tani mirë

         Në një tweet, presidenti amerikan Trump nënvizon se Uashingtoni po vlerëson gjendjen, por deri tani, çdo gjë është në rregull. Më vonë, SHBA-të iu përgjigjën hipotezave për largimin e ushtarëve amerikanë nga Iraku, duke theksuar se tërheqja e trupave nuk është në program, pasi do t’i linte Iranit fushë më të madhe veprimi. Edhe aleatët e tjerë, si Italia, Franca e Gjermania, kanë njoftuar se mund të zhvendosin ose zvogëlojnë numrin e ushtarëve, por nuk do të tërhiqen nga Iraku. Pas sulmit iranian, çmimet e naftës në bursën e Nju Jorkut u rritën me 3,4%.

Khamenei: “shuplakë kundër SHBA-ve, por nuk mjafton”

         Ndërkaq, Kreu i Lartë i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, përmes televizionit njoftoi se “sulmi ishte i suksesshëm” e “goditi Shtetet e Bashkuara, por ende nuk është i mjaftueshëm. Prania e SHBA-ve të korruptuara duhet të marrë fund”. “Gabojnë ata, që mendojnë se po të bëjmë një hap prapa, problemet tona do të zgjidhen. Besojnë se nuk duhet t’i zemërojmë Shtetet e Bashkuara. Përkundrazi, duhet t’i lëmë të zemërohen”, shtoi kreu i regjimit të ajatollahëve.

Rëndësia e aktorëve të ndryshëm në dialogun e mundshëm

         Edhe diplomacia është në punë. Për 9 janar, parashikohet të mblidhet Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ndërsa Evropa, krerët e së cilës vijojnë të bëjnë thirrje për dialog, do të mblidhet një ditë më pas në Këshillin e jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm. Në nivelin e parë të veprimit diplomatik, do të bëhen përpjekje për ta ndalur spiralen e sulmeve e të kundërsulmeve. Në nivelin më afatgjatë, duhen çuar drejt një binari më të ndërgjegjshëm marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe SHBA-ve, që kanë prekur pikën më të ulët. Në këtë kuadër, roli më aktiv i takon Evropës, pasi në rajon, sidomos Izraeli e Arabia Saudite kanë interes t’i fryjnë zjarrit, ndërsa më gjerë, Rusia dhe Kina nuk shkojnë përtej deklaratave për bisedime, duke mbajtur qëndrim pritës.

08 janar 2020, 14:23