Kërko

 Prof.  Dr. David Luka Prof. Dr. David Luka 

Ndërroi jetë në Shkodër Prof. Dr. David Luka, vëllai i koleges Ana Luka

Me hidhërim të thellë njoftojmë se sot, pas një sëmundjeje, ndërroi jetë në Shkodër, në moshën 85 vjeçare, Prof. Dr. David Luka, vëllai i vogël e i dashur i koleges dhe i bashkëpunëtores së redaksisë shqipe të Radio Vatikanit – Vatican News, Ana Luka. Redaksia shqipe e Radio Vatikanit dhe e gjithë familja shumëkombëshe e Radio Vatikanit - Vatican News, është përsëri në zi.

R.SH. - Vatikan

Të gjithë anëtarët e redaksisë shqipe dhe të familjes së madhe të Radio Vatikanit – Vatikan News, bashkohen në lutje drejtuar Zotit me kolegen Ana Luka dhe familjen e saj, për ndarjen nga kjo jetë të vëllai të dashur Prof. Dr. DAVID LUKA, i cila ndërroi jetë sot në Shkodër, i rrethuar nga djali, motra dhe familjarët e dashur. Dha shpirt në ora 15.00 në krahët e motrës, Anës.

Duke kërkuar nga Krishti Gjallë ngushëllimin e krishterë, Anës dhe familjarëve në zi, u sigurojmë afërsinë tonë shpirtërore e vëllazërore, e të bashkuar në lutje i kërkojmë Zotit të jetës ta pranojë vëllain e dashur Davidin në gëzimin dhe paqen e bashkimit të amshuar me Të.

Prof. Dr. David Luka, gjuhëtar e pedagog i Universitetit të Shkodrës, qe një burrë, vëlla, babë i mirë e bujar. Qe dashurues e studiues i shquar i gjuhës shqipe. Të shumta shkrimet e vepra kushtuar gjuhësisë Tërë jetën ia kushtoi e dhuroi Zotit, familjes e kulturës shqiptare, në mënyrë të veçantë gjuhës së ambël e të fjalëve shqipe, la pas djalin dhe shumë nipa.

Prof. Dr. David Luka i lindun me 15. 05. 1935, kreu shkollën pedagogjike nё Shkodër e ma pas Universitetin e Tiranës, dega gjuhё-letërsi. Shërbeu si mësues nga Tepelena, në Kukës e së fundi në Shkodër si drejtor i Radio Shkodrës e mandej si pedagog pranë Institutit Pedagogjik të Shkodrës, me titullin Doktor Profesor. La pas ma se 17 vepra e qindra shkrime, kryesisht në fushën e gramatikës historike.

Funerali i Prof. Dr. David Lukës mbahet më 14 janar në ora 15.00 në Shkodër. I përjetshëm kjoftë kujtimi yt, o i lumtuni dhe i paharruemi vëlla David!

13 janar 2020, 17:12