Kërko

Libi, presidenti Al Serraj e gjenerali Haftar  Libi, presidenti Al Serraj e gjenerali Haftar   (AFP or licensors)

Libi, Rusia përpiqet të ndërmjetësojë, por Haftar largohet nga Moska

Për Moskën është e nevojshme të “bashkohen përpjekjet” e bëra nga evropianët dhe nga fqinjët e Libisë. Turqia nënvizon se armëpushimi respektohet, por i tërheq veshin gjeneralit të së ashtuquajturës Ushtri Kombëtare e Libisë.

R.SH. - Vatikan

Rusia ka ndërmend t’i vazhdojë përpjekjet për nënshkrimin e armëpushimit në Libi. Këtë deklaroi ministri i jashtëm rus, Serghei Lavrov, pas samitit të djeshëm në Moskë. Në të vërtetë, gjenerali Khalifa Haftar, kreu i opozitorëve të qeverisë së Al Serraj, u largua nga kryeqyteti rus pa nënshkruar projekt-dokumentin për t’i dhënë fund konfliktit, sepse “ai nuk merr parasysh shumë nga kërkesat e Ushtrisë Kombëtare Libiane”. Sot, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se, para se të nënshkruajë marrëveshjen, gjeneralit Haftar i duhen “dy ditë për të diskutuar dokumentin me krerët e fiseve, që mbështesin ushtrinë kombëtare”. Ndërkaq, si Al Serraj, ashtu edhe Haftar, janë ftuar në Konferencën e Berlinit për Libinë, që do të mbahet të dielën, më 19 janar. Sipas njoftimeve të fundit, ata nuk do të marrin pjesë në punime, por do të jenë të pranishëm në forma të tjera, për të cilat akoma nuk ka sqarime.

Rusia: do t’i vazhdojmë përpjekjet

         Edhe Moska vazhdon të ndërmjetësojë. Gjatë bisedimeve në kryeqytetin rus nuk u arrit asnjë rezultat përfundimtar, por përpjekjet vijojnë, siguroi ministri i jashtëm rus, Serghei Lavrov, pas refuzimit të gjeneralit Haftar. Për Lavrovin, Moska propozon të “bashkohen përpjekjet” e bëra nga evropianët dhe nga fqinjët e Libisë me ato të Rusisë dhe Turqisë, që të veprohet “në një drejtim të vetëm” për t’i nxitur “të gjitha palët në Libi të arrijnë një marrëveshje, në vend që t’i vendosin gjërat ushtarakisht”. Presidenti rus Putin foli sot me kancelaren gjermane Angela Merkel, ndërsa kryeministri italian Giuseppe Conte e ka trajtuar këtë argument me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, në një takim në Kajro.

Haftar nuk e do parlamentin në Tripoli

         Një nga arsyet e qëndrimit të gjeneralit Khalifa Haftar në Moskë mendohet të jetë lëshimi, që i është bërë pjesës së parlamentit libian, që mblidhet në Tripoli, për të nënshkruar marrëveshjen. Parlamenti libian ndodhet në Tobruk dhe Benghazi, por një numër i madh deputetësh mblidhen në Tripoli dhe mbështesin qeverinë e kryeministrit Fayez al Serraj. Nënshkrimi nga ana e tyre, sipas Haftarit, do të çonte në ligjërimin e një lloj parlamenti paralel, pra, në një ndarje “de facto” të Libisë. Por, Turqia e paralajmëroi gjeneralin Haftar, të cilin e ka mbështetur deri tani, se po qe se trupat e tij rifillojnë sulmet, Ankaraja nuk do të qëndrojë duarkryq.

14 janar 2020, 15:54