Befanat në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot Befanat në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot 

Legjenda e kuriozitete për festën e Befanës

Kush është “Befana”? Pse kujtohet pikërisht në festën e Tre Mbretërve Dijetarë?

R. SH. - Vatikan

Legjenda e Befanës, shumë e përhapur kryesisht në Italinë qendrore e jugore, lindi nga zakoni për të djegur në shesh një surrat, simbol i vitit të vjetër. Skenë, që të kujton djegjen e kryekarnavalit, në kremtimin e karnavaleve. Ja pse Befana paraqitet tradicionalisht si plakë e keqe, e veshur me rrecka e me një thes mbi shpinë, përplot me qymyr.

Sipas traditës, e shikojmë, duke dalë nga oxhaku, kaluar mbi një fshesë,  e duke fluturuar drejt qiellit të ndritur nga hëna e plotë, me një kapelë me maje në kokë. Kjo tradita! Por duhet kujtuar se kohët e fundit tradita e lashtë po ngatërrohet me festën angloamerikane të Halloween. Befana nuk është shtrigë, por gjyshe, e mbështjellë me një shall të madh e pa kapelë.

U dhuron ëmbëlsira fëmijëve më të mirë, ndërsa fëmijëve të këqinj,  qymyr të zi. Kështu, në disa nga traditat e festës. Në disa të tjera, plaka u lë në dorë çorape të mbushura me qepë djegëse, si dënim për sherret e tyre të përditshme.

Edhe zakoni për të shpërndarë çorape me ëmbëlsira u shtrembërua me kalimin e kohës. Tradita na tregon se Befana ngarkohet me thasë jute të cilët, për shkak të peshës tepër të rëndë të ëmbëlsirave, që kanë brenda, u ngjajnë  çorapeve vigane.

Nuk duhet harruar se Befana lidhet ngushtë me Mbretërit Dijetarë. Sipas një legjende, Gaspri, Melkiori e Baldasari  e  ndeshën në rrugë dhe e ftuan të bashkohej me ta, për t’ia çuar dhuratat, që mbante mbi shpinë, Krishtit Fëmijë. Po plaka nuk deshi e u nda prej tyre. S’ kish bërë as dy hapa, kur u pendua. U kthye dalë e iu vu për gjurmë mbretërve dijetarë. Eci e eci e eci por nuk i gjeti. Ishin zhdukur. Atëhere, për të larë borxhin, vendosi  t’i sjellë çdo vit dhurata të gjithë fëmijëve, duke shpresuar se në mes tyre do të ishte edhe Jezusi. Nga që e dinte se Jezusi  lind çdo vit mes nesh. E kjo nuk është legjendë!

 

06 janar 2020, 16:28