Kërko

Vatican News
 Mbret[ërit dijetarë në shtegtim, drejt Krishtit Fëmijë Mbret[ërit dijetarë në shtegtim, drejt Krishtit Fëmijë 

Krishtlindja, në kryevepra proze. Gabriele d’Annunzio “Historia e Mbretërve Dijetarë”

Duke shfletuar, në prag të solemnitetit të Dëftimit të Zotit, veprën e shkrimtarit të famshëm italian, Gabriele d’Annunzio, zgjodhëm rrëfimin simbolik: “Historia e Tre Mbretërve Dijetarë”.

R. SH. - Vatikan

Gabriele d’ Annunzio (12.03.1868 - 01.03.1938), shkrimtar, poet, dramaturg, aviator ushtarak, politikan e gazetar, është simbol i dekadentizmit italian dhe hero i luftës. Krijimtaria e tij arriti kulmin ndërmjet viteve 1889-1924, kur e quajtën “Vate”, domethënë Profet. I diskutueshëm dhe i diskutuar shumë gjatë gjithë jetës, la një mori veprash si “Poemë Parajsore”, “Ngadhënjimi i vdekjes”; “Një këngë e re”; “Ndoshta po, ndoshta jo”, “Shiu në pishnajë” e, ndërmjet tregimeve të shkurtra, edhe këtë rrëfenjë, titulluar “Historia e tre Mbretërve Dijetarë”:  

“Nata ishte pa hënë; po fusha mbarë fekste nga një dritë e bardhë, si drita e hënës së plotë, sepse Hyjnia kish lindur;  e rrezet e dritës vërshonin mal më mal e luginë më luginë. Krishti Fëmijë qeshte ëmbëlsisht, me krahë të hapur drejt qiellit, si në adhurim; e kau e gomari e ngrohnin me frymën, që  bëhej avull në ajrin e ngrirë.  Zoja e Shën Jozefi herë pas here shkëputeshin për një çast nga kundrimi e përkuleshin për ta puthur kërthinin.

Ia behen, pastaj, barinjtë, nga fusha e nga mali. Ngarkuar me dhurata; e erdhën edhe Mbretërit Dijetarë. Ishin tre: Mbreti Plak, Mbreti i Ri e Mbreti Arap.

Si mbërrijti lajmi i mirë i lindjes së Jezusit u mblodhën bashkë.

E njëri tha:

- Lindi një Mbret tjetër. Do të shkojmë ta takojmë?

- Shkojmë, u përgjigjën të tre një zëri.

- Po  çfarë  do t’i dhurojmë??

- Ar, kem e mirrë!

E u nisën e ecën e udhës zunë të haheshin njëri me tjetrin, nga që nuk vendosnin cili nga të tre duhet t’i afrohej i pari Mbretit të ri e t’i vinte tek këmbët dhuratën.

I pari donte të ishte ai, që sillte arin. E thoshte:

- Ari vlen shumë më tepër se kemi, e mirra. Prandaj paria më takon mua, domethënë, arit...

Dy të tjerët, kundërshtuan sa kundërshtuan e më në fund u dorëzuan;  si mbërritën në shpellë, i pari hyri Mbreti i ngarkuar me ar.

U gjunjëzua tek këmbët e Foshnjës: e pranë tij ranë në gjunj edhe dy të tjerët, me kem e me mirrë.

Jezusi e mbështeti dorën njomzake mbi kokën e Mbretit, që i dhuroi arin, si të donte t’ia ulte kreninë. S’e deshi arin. Mori vetëm kemin e mirrën, e tha: - Ari nuk është për mua.

E fundi i kësaj historie mund të tregohet edhe në vargje:

...Ndodhi, pra mrekullia

Lulja e Marisë buloi,

Ushton sot melodia

Njerëzimi mbarë lulëzoi.

Atëherë, kënduan engjëjt;

Bota u tund nga kori:

Se erdhën  Baldasari,

E Gaspri e Melkiori!

 

05 janar 2020, 15:55