Kërko

Vatican News
 Protesta kundër vrasjes së gjeneral Soleimanit Protesta kundër vrasjes së gjeneral Soleimanit 

Irak: “Kush ishte iraniani Qassem Soleimani, i vrarë në Bagdad nga SHBA-të”

Dy ditë pas sulmit mbi ambasadën amerikane në Irak, Trump dha urdhër të zhdukej Qassem Soleimani, kreu i milicive al-Quds të Teheranit. Doni ta dini kush ishte?

R. SH. - Vatikan

Qassem Soleimani, 62 vjeç, prej më se 20 vjetësh ishte në krye të forcave al Quds, trupë speciale e të ashtuquajturve Rojet e revolucionit islamik në Iran. Gjenerali iranian u vra gjatë një sulmi, organizuar natën në Bagdad  nga SHBA-të. Soleimani ishte figurë gati legjendare në Lindjen e Mesme: gjeneral, strateg, me ambicie politike, që shihej shumë shpesh  përkrah me Kryeprijësin e Iranit, ajatollah Ali Khamenei, ndonëse lëvizte gjithnjë në hije. Konsiderohej arkitekt i pranisë ushtarake në Siri, për të mbajtur mbi fron Bashar al Assadin, dhe i luftës së Daesh; njeriu, që çimentoi ndikimin e milicive shiite në Irak, si dhe mbështetjen e hezbollahëve në Liban.

Soleimani shkroi, në jetëshkrimin e tij, se kish lindur më Rabor, qytet në Iranin lindor e se, në moshën 13 vjeçare, u detyrua të emigrojë në një qytet të afërt,  ku punoi në qeverinë e Scià, për të paguar borxhet e babait të tij.  Kur ra mbreti, në vitin 1979, Soleimani, që bënte pjesë në qeverinë klerikale të Ayatollah Ruhollah Khomeinit, u bashkua me Rojet revolucionare, forcë paraushtarake, e themeluar për t’i prerë rrugën grushtit të shtetit kundër Republikës së sapodeklaruar Islamike.

Irani, Vend me shumicë shiite, ushtroi një ndikim të jashtëzakonshëm mbi Irakun, që kur u vra rais Saddam Huseini, që ishte sunit. Nga tetori u  trondit thellë nga protestat kundër-qeveritare e kundër Iranit.  Soleimani konsiderohej si longa manus (dora e gjatë), që vepronte pas kurrizit të qeverisë; e  pikërisht që ta ndihmonte qeverinë për ta vënë situatën nën kontroll,  kishte shkuar javët e fundit në Irak.

Teherani konfirmoi vdekjen e Soleimanit, “martir i një sulmi amerikan në  aeroportin e Bagdadit këtë mëngjes” në një deklaratë lexuar nga Rojet e revolucionit islamik në televizionin  e Shtetit iranian.

Siç lexojmë në Guardian, në një letër të vitit 2008 drejtuar sekretarit të mbrojtjes  së SHBA-ve, gjenerali David Petraeus, ish drejtor i Cia-s,  e përshkruante Soleimanin si “Njeri me të vërtetë i mbrapshtë”. Tetëmbëdhjetë muaj para vdekjes, Soleimani e paralajmëroi publikisht presidentin e SHBA-ve, Donal Trump: “Zoti Trump, lojtar bixhozi, po jua them një fjalë: ne jemi shumë më afër jush, sesa mund ta mendoni. Do ta filloni luftën, por për ta përfunduar, do ta përfundojmë ne”.

Vdekja e Soleimanit ka shumë rrezik të shkaktojë shkallëzimin e konfliktit, që vijon prej shumë kohe nëndheshëm ndërmjet SHBA-ve dhe Iranit e kohët e fundit shpërtheu me sulmin mbi ambasadën amerikane nga ana e milicëve filo-iranianë, pas sulmeve amerikane pikërisht kundër një milicie tjetër, asaj Kataeb Hezbollah, mbështetur nga Teherani.

03 janar 2020, 17:51