Ibrahim Rugova Primo Presidente del Kosovo Ibrahim Rugova Primo Presidente del Kosovo 

Prof. Afrim Hoti: Ibrahim Rugova shembull e frymëzim për politikën e Kosovës

Dr. Ibrahim Rugova, në 14-të vjetorin e kalimit në amshim, Presidenti që shkriu jetën për vlerat demokratike, mbrojti qëndresën qytetare, kultivoi paqen, vuri themelet e pavarësisë së Shtetit të Kosovës, bashkëbisedues dhe mik i çmuar i Bashkësisë Ndërkombëtare në Ballkan.

R.SH. - Vatikan

Sot bie 14-të vjetori i vdekjes së Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Pra, si sot, me 21 janar 2006, Kosova dhe shqiptarët përjetuan me hidhërim vdekjen e parakohshme të liderit e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Ai qe prijës i vlerave demokratike, i qëndresës qytetare, misionar i paqes, vizionar e arkitekt i pavarësisë së Shtetit të Kosovës, mik e bashkëbisedues i çmuar i Bashkësisë Ndërkombëtare në Ballkan.

Ibrahim Rugova pati një frymëzimi të veçantë në jetën personale, në fushën e veprimtarisë kulturore, më vonë në atë politike e shoqërore. Zoti e populli i tij qe gurra nga e cila nxirrte dhe kultivonte vlerat njerëzore e kombëtare, kulturore e shpirtërore, politike e shoqërore, duke qëndruar heroikisht para së keqes, duke ndjekur palëkundje rrugën e paqes e të lirisë, duke punuar e kërkuar pareshtur Pavarësinë e vendit.

Dr. Ibrahim Rugove, diti si askush tjetër, të paraqes gjendjen e rëndë të të drejtave njerëzore që shkeleshin haptazi ndaj popullit në Kosovë, duke e ndërkombëtarizuar çështjen e qytetarëve të vendit, duke ngritur  zërin e butë e të vendosur për respektimin e dinjitetit të çdo njeriu dhe të një populli të tërë. I frymëzuar nga personalitete të mëdha të së kaluarës e të kohës, si ipeshkvi i madh shqiptar, imzot Pjetër Bogdani, Gandhi, Martin L. King, V. Havel, Papa Shën Gjon Pali dhe  Shёn Nënë Tereza – Ganxhe Bojaxhiu, dr. Ibrahim Rugova jetoi e veproi deri në fund për popullin dhe vendin e tij, duke lënë kështu një trashëgimi të jashtëzakonshme si njeri i kulturës, si kultivues i paqes e burrë shteti largpamës.

Ja fjalët e Presidentit Ibrahim Rugova, në njërën nga intervistat që realizuam me të më 1999, mbi figurën e kryeipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdani dhe mbi personalitetin e Shenjtës shqiptare Nënë Terezën.  Presidenti Rugova rrëfen se pati një takim të vetëm me Nënë Terezën, në vitin 1995 në aeroportin e Romës, dhe kujton mbresat e pashlyeshme nga biseda prekëse me bijën, motrën e Nënën e popullit shqiptar, Ganxhe Bojaxhiun, nga arkivi i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit ju propozojmë disa fragmente....

Nga arkivi i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit ju propozojmë disa fragmente

Mbi figurën, trashëgiminë kombëtare, politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe aktualitetin e vizionit të tij për Kosovës sot,  ta dëgjojmë mendimin e Prof. Asoc. DrAfrim Hoti, Profesor pranë Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofisë, në mikrofonin e redaksise shqipe te Radio Vatikanit..

Ta dëgjojmë mendimin e Prof. Asoc. Dr. Afrim Hoti

Mbi figurën e dr. Ibrahim Rugovёs po propozojmë mendimin e françeskanit tё njohur shqiptar Atё Zef Pllumi:

“Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatrrimtar.

Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt.

Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë “Gandi kosovar”. 
U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan.

Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve. Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nanë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Terezë shqiptarja qi mori çmimin “Nobel për paqen”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet."

[At Zef Pllumi]

21 janar 2020, 17:54