Kërko

2020.01.13 Prof. David Luka (redazione albanese)

Grimca nga universi i Prof. Dr. David Lukës, i cili që dje, prehet në banesën e fundit

Është e pamundur të përmblidhet në një artikull veprimtaria shkencore e Prof. Dr. David Lukës. Po botojmë disa pjesë nga shkrimet e tij në media, duke shpresuar që lexuesi i kujdesshëm të kuptojë rëndësinë dhe kontributin e këtij studiuesi të shquar

R.SH. - Vatikan

U përcoll dje për në banesën e fundit, Prof. Dr. David Luka, gjuhëtar i shquar e vëlla i koleges sonë, Ana Luka. Bekimin në shtëpi e sakramentet e fundit në kapelën e varrezave e tek varri i kremtuan atë Vitor Volaj, françeskan dhe famullitari i katedrales së Shën Shtjefnit, don Vlash Palaj. Shumë gazeta e media shqiptare e kanë marrë lajmin e vdekjes së Prof. Lukës më 13 janar, publikuar në faqet tona, duke vënë në dukje kontributin e vyer të studiuesit, që botoi 20 vepra e ka akoma 10 të tjera për të botuar mbi argumente pastërtisht gjuhësore, por që kanë hedhur dritë të mëtejshme mbi figura si atë Gjergj Fishta, Martin Camaj, atë Donat Kurit, atë Vinçenc Malaj, Karl Gurakuqi, atë Justin Rrota, atë Bernardin Palaj e shumë e shumë të tjerë.

 I mënjanuar dhe i dënuar me “qarkullim kuadroje” nga regjimi komunist, David Luka e kaloi një pjesë të mirë të jetës në zonën e Kurbinit, ku dha gjuhë e letërsi, por edhe disa lëndë të tjera. Për këtë, më vonë, Mamurrasi do ta bënte “Qytetar Nderi”. Pas rënies së komunizmit, profesori qe kryeredaktori i parë i gazetës opozitare “Shkodra”, pastaj, drejtor i Radio Shkodrës për disa vite, deri sa e thirrën si pedagog të gjuhës shqipe në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, po në Shkodër. Në vitin 1993, mori titullin “Mësues i Popullit”, më 1996, gradën “Doktor në fushën e gjuhësisë”, ndërsa në vitin 2000, titullin “Profesor”.

Është e pamundur të përmblidhet në një artikull veprimtaria e tij shkencore. Ne po botojmë disa pjesë nga shkrimet e tij në media, duke shpresuar që lexuesi i kujdesshëm të kuptojë rëndësinë dhe kontributin e këtij studiuesi të shquar:

“Mendimi gjuhësor shqiptar para viteve 1944 ka tri tipare karakteristike, që përqasen me zhvillimet e këtij vendi dhe me fatin e tij në vorbullat e historisë europiane. Në njërën anë një elitë e shkëlqyer intelektualësh, përgatitur në shkollat më në zë të Europës, me kulme si Faik Konica, Gjergj Pekmezi, Eqrem Çabej, Aleksa ndër Xhuvani, Selman Riza, Justin Rrota, Ndre Mjeda etj. (duke mos përmendur këtu arbëreshët e Italisë) e që sillnin në Atdheun e tyre konceptet gjuhësore të kohës; më anë tjetër, një realitet analfabet, që po kërkonte të zgjohej kulturalisht, përfaqësuar nga një gjuhësi zyrtare mediokër. Në këtë përplasje, elita intelektuale nuk gjente terren për zhvillimin e aftësive të veta krijuese, sepse kërkesat e ditës e detyronin shpeshherë të merrej me punë të tjera, si me hartimin e teksteve shkollore etj. Ndërkaq konceptet gjuhësore të kohës, që ata kishin sjellë me vete nga shkollat ku qenë arsimuar, u nënshtroheshin shpesh interesave nacionale të çastit, me të cilat shqiptarët dilnin para botës për të kërkuar dëshmuar identitetin e tyre e për ta paraqitur atë sa më të lashtë e sa më të kulturuar. Për këtë mjafton të sjellim si shembull konceptet e shkollës romantike për prejardhjen pellazgjike të shqiptarëve, tezë që u shërbente për të mbrojtur të drejtën për vetëvendosje.

Në këto kushte lindën edhe veprat e studiuesve shqiptarë. Krahas punimeve të vlefshme, mbështetur mbi kritere kronologjike-historike e historiko-kritike analitike; krahas përgjithësimeve, objektit, metodës, periodizimit etj., për trashëgiminë tonë gjuhësore, lind nevoja e një vështrimi më të thellë qoftë në përmbajtje, qoftë në metodë, por veçanërisht për konceptet shkencore gjuhësore të autorëve tanë, të sjella gjithsesi nëpërmjet veprave të tyre, për të paraqitur e sintetizuar tashmë mendimin shkencor gjuhësor shqiptar” (Prof. Dr. David Luka, “Hyrje në një Histori të mendimit gjuhësor shqiptar”, në Begzad Baliu, Kërkime albanologjike, Instituti Albshkenca, Prishtinë, 2010, f. 278).

“Etimologu duhet ta dijë mirë ç’është shkruar për një fjalë nga të tjerët para tij, me qëllim që të mbajë qëndrim ndaj opinioneve të shfaqura ose të japë një mendim të ri. Kjo punë nuk mund të arrihet për një kohë të shkurtër dhe as nga një person i vetëm. Përkundrazi, ajo kërkon një kohë të gjatë gjurmimesh në biblioteka dhe arkiva, në libra dhe revista dhe në botime artikujsh në këtë fushë. Vështirësia e kësaj pune qëndron më tepër në faktin se etimologjitë e fjalëve të caktuara nuk gjenden gjithnjë të gatshme; por janë të shpërndara në libra ose artikuj për historinë e gjuhës shqipe, si rrjedhim, duhen kryer hulumtime të thella e të vazhdueshme, pas të cilave është i domosdoshëm hartimi i skedarëve të posaçëm për këtë qëllim… Nëse hartimi i bibliografisë është hapi i parë i kësaj pune, hapi i dytë është grumbullimi i materialeve nga gjuha shqipe për të hartuar fjalësin… Pas kësaj faze përgatitore, puna kryesore është hartimi i fjalorit nga shkronja A deri në shkronjën ZH. Këtu duhen dalluar disa shtresa fjalësh. Shtresa më e rëndësishme dhe me peshë specifike të veçantë është ajo që përmban fjalët e trashëguara nga gjuha indoevropiane. Megjithëse kjo mund të mos jetë numerikisht pjesa më e madhe, ajo është jo vetëm pjesa më e rëndësishme, por edhe më prodhimtarja në formime të brendshme të shqipes; si rrjedhim, me të rritet shumë elementi i shqipes me materiale të trashëguara dhe të formuara prej këtij elementi në zhvillim të brendshëm…” (Prof. Dr. David Luka, “Kolec Topalli: Një vepër që i ka munguar gjuhës shqipe”, botuar në gazetën “Mapo” më 14.04.2018).

“Cila është baza dialektore e shqipes standarde? Duhet më parë të kalohet në sitë teoria e prof. Kostallarit për formimin e gjuhës letrare të njësuar. Duhet provuar, pra, jo me pohime, por me studime akademike, se shqipja e sotme standarde është ndërtuar mbi bazën e toskërishtes së ngritur në standard. Pasi t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje, atëherë bëhet krejt e qartë se baza dialektore e shqipes standarde mund të zgjerohet. Deri më tani, unë fola shumë shkurt për “rrugën e formimit të gjuhës letrare kombëtare shqipe; për historinë e drejtshkrimit të saj”, e cila nuk duhet trajtuar si tabu. Gjithashtu, ata që mendojnë ndryshe nuk duhet të etiketohen si “antikombëtarë”. Në shkencë ka vlerë gjithnjë argumenti. Grekët e vjetër thoshin se “e vërteta del gjithnjë nëpërmjet diskutimit”” (Prof. Dr. David Luka, “Luka: Gjuha Standarde asht Gjuha e Kostallarit dhe Partise marksiste-leniniste! Asht Gjuhe e Dhunshme!”, botuar në gazetën “Mapo” dhe në media të tjera më 3.06.2016).

“At Sh. Gjeçovi ishte jurist -siç e tregon vetë Kanuni, kodifikimi i tij. Përzgjedhja e kodifikimi i asaj mase amorfe, që Gjeçovi e ka mbledhur për vite të tëra nga pleq analfabetë, por gjithsesi të dalluar për inteligjencë në dhënie mendimesh në interes të madh për studiuesin, janë një tregues i qartë se autori i Kanunit në praktikë ka qenë jurist, bile i dalluar… At Shtjefën Gjeçov Kryeziu ishte edhe gjuhëtar. Gjithçka shkruhet në Kanun, është tërësisht e qartë dhe e kuptueshme, e shprehur me një stil karakteristik të gegërishtes, tipar i të folmes së Mirditës… At Sh. Gjeçovi ishte edhe arkeolog. Ishte i tillë, se ishte një atdhetar i vendosur, duke u bërë objekt ndjekjesh e persekutimesh, derisa u vra prej armiqve të Atdheut e të popullit tonë, më 14 tetor 1929” (Prof. Dr. David Luka në parathënien e “Pasuria gjuhësore në Kanunin e Lekë Dukagjinit”, botuar në “Studime gjuhësore”, XIX).

Si intelektual atdhedashës, David Luka ka hyrë edhe në polemikë me pushtetarët e ndryshëm, duke analizuar gjendjen e Shqipërisë në çastin kur shkruante dhe duke nxjerrë në pah kontradiktat e problemet e një shoqërie, dalë nga komunizmi, por akoma e pashkëputur prej tij. Përmendim këtu letrat e tij të hapura për Sali Berishën dhe për kryeministrin aktual, Edi Rama, ose artikullin “Poshtë komunizmi! Rrofshin komunistët!”, në të cilin denoncon të ashtuquajturit “jokomunistë” të rinj, më të rrezikshëm se komunistët e vjetër.

15 janar 2020, 18:42