Kërko

Vatican News

Dioqeza Prizren-Prishtinë, ‘FALEMINDERIT SHQIPËRI’, për bujarinë vëllazërore të vitit 1999

Kush nuk i kujton radhët e gjata me qytetarët kosovarë, që të dëbuar e të detyruar kapërcenin të tmerruar kufirin me Maqedoninë dhe me Shqipërinë, për të ikur nga persekutimet e masakrat serbe?! Akoma sot, numërohen me qindra njerëz të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet. Pikërisht më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë, pas bombardimeve që vazhduan për 78 ditë më radhë, për t’i dhënë fund vrasjeve e dëbimeve të qytetarëve të këtij vendi.

R.SH. - Vatikan

‘FALEMINDERIT SHQIPËRI’; kjo tema e akademisë që Dioqeza katolike e Kosovës Prizren-Prishtinë ka në program më datën 18 janar, për të përkujtuar bujarinë e pritjes dhe të strehimit vëllazëror që, Shqipëria e diaspora, treguan ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës, të cilën gjatë luftës së vitit 1999 u dëbuan me dhunë nga vatrat dhe vendlindja e tyre.

Kështu, më 18 janar në ora 10.00, pranë qendrës “BogdaniPolis”, pranë Kishës Katedrale ‘Shën Nënë Tereza’ në Prishtinë, do të mbahet një akademi me temën ‘FALEMINDERIT SHQIPËRI’, në shenjë falënderimi e mirënjohjeje.

Siç dihet, gjatë vitit që përfundoi 2019, në Kosovë dhe Shqipëri u përkujtua 20-vjetori i atij kalvari, në njërën anë 20-vjetori dëbimit të qytetarëve shqiptarë të Kosovës nga vendlindja, dhe në anën tjetër 20-vjetori i mikpritjes dhe strehimit vëllazëror kudo në Shqipëri. Këndej, edhe Kisha katolike dioqezane e Prizren-Prishtinës, dëshiron të kujtojë këtë ngjarje historike me një akademi falënderimi, njofton zyra e Kuries së dioqezës Prizren-Prishtinë në faqen FB.

Pikërisht më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë, pas bombardimeve që vazhduan për 78 ditë më radhë, për t’i dhënë fund vrasjeve e dëbimeve të qytetarëve të këtij vendi.

E kush nuk i kujton radhët e gjata me qytetarët kosovarë, që të dëbuar e të detyruar kapërcenin të tmerruar kufirin me Maqedoninë dhe me Shqipërinë, për të ikur nga persekutimet e masakrat serbe?! Akoma sot, numërohen me qindra njerëz të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet. Me ndryshimin e regjimit në Serbi e pas disa vjetësh, janë gjetur disa varre masive, ku millosheviçianët e dikurshëm patën hedhur kufomat e shqiptarëve kosovarë, por kjo plagë mjerisht mbetet ende e hapur e sot, prandaj,  duhet shëruar.

Po, sepse plagët që ka shkaktuar tek njerëzit lufta në Kosovë, ende sot nuk janë shëruar plotësisht. Shumë familje e qytetarë të Kosovës vuajnë ende sot nga pasojat e tmerrit të luftës: dhuna, vrasjet, shkatërrimi, dëbimi, humbja e zhdukja e të afërmve të dashur. Në këtë betejë të vështirë njerëzore, shoqërore dhe shpirtërore me të cilën përballën akoma shumë kosovarë, Kisha katolike është pranë të gjithë atyre që vuajnë dhe orvatet t’u ndihmojë e japë shpresë. 

Mbi me këtë plagë njerëzore e shoqërore, të dëgjojmë një fragment nga intervista jonë me priftin kosovar dom Lush Sopin realizuar më 27 maj 2010....

Të dëgjojmë një fragment nga intervista jonë me priftin kosovar dom Lush Sopin realizuar më 27 maj 2010..

Sot Kosova është Shtet i lirë e sovran,  me të gjitha perspektivat por edhe shqetësimet, e sidoqoftë shpresat për një të ardhme më premtuese e të mirë, për të gjithë qytetarët. Për këtë, duhen punuar shumë për të ndërtuar një shoqëri autentike e demokratike, me kontributin e të gjithëve, një shoqëri të mbështetur mbi themelet e shëndosha e të sigurta të një qytetërim vërtetë të drejtë, të barabartë, gjithëpërfshirës, njerëzor e demokratik.

15 janar 2020, 17:38