Kërko

Londra ngre flamujt britanikë në ditën e Brexit Londra ngre flamujt britanikë në ditën e Brexit  (AFP or licensors)

Evropa e bashkuar, pa Londrën

Sot, Brexit bëhet përfundimtar. 3 vite e gjysmë pas referendumit, britanikët shkëputen nga Bashkimi Evropian, duke filluar nga mesnata e sotme, e premte, 31 janar.

R.SH. - Vatikan

Mbretëria e Bashkuar shkëputet nga Bashkimi Evropian në mesnatën e ditës së sotme, e premte, 31 janar 2020. Ditë historike, që i jep fund anëtarësisë 47-vjeçare në institucionin, që bashkoi vendet e Evropës perëndimore, fillimisht për arsye tregtare e dalëngadalë, edhe për arsye politike. Kryeministri britanik, Boris Johnson, nënvizoi se “nata e sotme nuk shënon fundin, por fillimin” e risimit dhe të ndryshimit kombëtar. “Vendi i Britanisë së Madhe në botë do të ndryshojë – nënvizoi kreu i opozitës, Jeremy Corbyn. – Çështja është në ç’drejtim do të ecim tani”. Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon, shprehu pakënaqësinë e saj për vendimin e Londrës, duke theksuar se në Skoci, “pas natës së sotme, e ardhmja do të hapet para nesh vetëm përmes pavarësisë”, duke nënkuptuar dëshirën e shumë skocezëve për t’u shkëputur nga Britania e Madhe e për të mbetur në Bashkimin Evropian.

         Por ç’do të ndodhë deri më 31 dhjetorin e këtij viti, që konsiderohet periudhë tranzicioni, gjatë së cilës Londra do të vijojë bisedimet me Brukselin për të lidhur marrëdhënie dyplaëshe? Të paktën deri në atë datë, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të funksionojë sipas standardeve evropiane dhe nuk do të ketë ndryshime të menjëhershme në lëvizjen e lirë të njerëzve. Qytetarët evropianë do të hyjnë e do të dalin nga Mbretëria e Bashkuar si zakonisht, me pasaportë, ose kartë identiteti. Lejet e qarkullimit me makinë, për shembull, do të mbeten të vlefshme. Por, akoma nuk dihet ç’do të ndodhë në fund të periudhës së tranzicionit. Duhet parë nëse Londra dhe Brukseli do të arrijnë një marrëveshje të re tregtare apo jo. Për perspektivat dhe pikëpyetjet mbi të ardhmen e marrëdhënieve me Britaninë e Madhe, folëm me profesorin e politikave ekonomike në Universitetin italian Bocconi, Carlo Altomonte:

Sigurisht që kemi nevojë për një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar që të shmangim një sërë kostosh tejet të larta, si për Britaninë e Madhe, ashtu edhe për Evropën, veçanërisht për Gjermaninë. Mund të themi edhe se janë në lojë qindra mijëra vende pune, si në Evropë, ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, madje, diçka më tepër në këtë të fundit. Pa dyshim, marrëveshjet tregtare, që do të nënshkruhen deri në dhjetor të këtij viti, duhet të krijojnë një zonë tregtie të lirë, përndryshe do të kemi të ashtuquajturin “hard Brexit”, d.m.th. daljen e Mbretërisë së Bashkuar pa marrëveshje. Në këtë rast, do të përdoren tarifat, që Bashkimi Evropian zbaton normalisht për të gjitha vendet e botës, të cilat nuk bëjnë pjesë në të.

Çfarë do të ndodhë në këtë vit tranzicioni?

         Deri në dhjetor 2020 asgjë nuk ndryshon; i vetmi problem është se ky afat nuk mund të shtyhet më: pjesërisht, sepse palët nuk kanë më ndërmend ta shtyjnë çështjen dhe pjesërisht, sepse, sipas marrëveshjes së re, duhet të jetë qeveria britanike ajo, që kërkon shtyrjen, por afati i skandon në qershor të këtij viti. E, siç e dimë, kryeministri Boris Johnson ka deklaruar se nuk do të ketë absolutisht asnjë shtyrje, prandaj, ose marrëveshja tregtare me Bashkimin Evropian do të nënshkruhet deri në dhjetor të vitit 2020, ose Mbretëria e Bashkuar do të dalë pa marrëveshje.

Disa ndërmarrje e kanë zhvendosur selinë e tyre qendrore nga Londra, në vende të tjera evropiane. Nga pikpamja ekonomike, ç’do të thotë kjo?

         Po, po: shumë ndërmarrje amerikane e jo vetëm ato, e kanë lënë tashmë Londrën, sidomos, kanë zhvendosur ato shërbime financiare, që nuk mund të bëhen më nga Mbretëria e Bashkuar, pas daljes nga Bashkimi Evropian. Mijëra njerëz janë larguar nga Londra për t’u shpërngulur në Paris, Frankfurt dhe Dublin: këto janë tre qytetet kryesore. Natyrisht, në varësi të marrëveshjes, që Britania e Madhe do të nënshkruajë me Bashkimin Evropian, mund të ikin edhe kompani të tjera. Thelbi i negociatave është: përveç tregtisë së lirë dhe heqjes së tarifave, në ç’masë do ta lejojë Bashkimi Evropian Mbretërinë e Bashkuar të ketë vazhdimësi legjislative me tregun e brendshëm evropian? Pra, në vitet e ardhshme, a do të impenjohet Mbretëria e Bashkuar t’i harmonizojë normat me ato të tregut evropian, apo do të ndjekë rrugën e saj? Bashkimi Evropian ia kërkon këtë impenjim legjislativ, në mënyrë që standardet dhe e gjithë tregtia të ketë të njëjtën bazë ligjore. Mbretëria e Bashkuar duket jo aq e gatshme ta pranojë këtë; do të donte vetëm heqjen e tarifave, por pastaj, dëshiron të ndjekë standardet e veta. Kjo pikë do të përcaktojë sa mund të bëhet tregti ndërmjet dy palëve, sepse nga këndvështrimi prodhues, mund të eksportohet një mall e të mos vendosen taksa, por nga këndvështrimi i një shërbimi financiar, për shembull,  duhet të jemi të sigurt që standardi i prodhimit të atij shërbimi është i njëjtë, si nga këndvështrimi i TIK-ut (Teknologjia e Informimit dhe e Komunikimit), ashtu edhe nga ai i softuerit etj.. Ka një sërë kërkesash, që duhen plotësuar nga të dyja anët e La Manshit.

Kush humb e kush fiton nga kjo?

         Nga 31 janari nuk ndodh asgjë, pra, jemi “miq” si më parë. Nga fundi i dhjetorit 2020, nëse nuk do të ketë marrëveshje, në një periudhë afatshkurtër, do të humbasë Mbretëria e Bashkuar, ndërsa në një periudhë afatmesme, humbim të dyja palët.

31 janar 2020, 13:06