75th anniversary of the liberation of the Nazi German concentration and extermination camp Auschwitz and International Holocaust Victims Remembrance Day 75th anniversary of the liberation of the Nazi German concentration and extermination camp Auschwitz and International Holocaust Victims Remembrance Day 

Dita e Kujtesës: jo vetëm e popullit hebraik, por e gjithë njerëzimit

Sot në 75 vjetorin e hapjes së portave të hekurta të Aushvicit nga ana e Armatës së Kuqe ruse, kremtohet Dita Botërore, që OKB-ja ia ka kushtuar kujtimit të viktimave të Holokaustit. 12 milion njerëz gjetën vdekjen në kampet naziste të përqendrimit, gjatë Luftës II Botërore e, prej tyre, 6 milion ishin hebrenj.

R.SH. - Vatikan

Me 27 janar shënohet Dita e Kujtesës së Holokaustit të popullit hebraik e të çdo gjenocidi tjetër. 75 vjet më parë, pikërisht më 27 janar 1945, trupat ruse hynin në kampin e përqendrimit e të shfarosjes së Aushvicit, në Poloninë jugore, duke liruar ata pak të burgosur të mbijetuar nga nazistët e duke i treguar botës mizoritë më të tmerrshme të njerëzimit. Kujtesa e kësaj tragjedie katastrofike, sot tingëllon si qortim për të kaluarën, në shërbim të së ardhmes, për të mos u përsëritur kurrë më tmerret, që pësoi njerëzimi jo shumë vjet më parë.

Sot, pra, në 75 vjetorin e hapjes së portave të hekurta të Aushvicit nga ana e Armatës së Kuqe ruse, kremtohet Dita Botërore, që OKB-ja ia ka kushtuar kujtimit të viktimave të Holokaustit. 12 milion njerëz gjetën vdekjen në kampet naziste të përqendrimit, gjatë Luftës II Botërore e, prej tyre, 6 milion ishin hebrenj. Shoahu, apo shfarosja masive e hebrenjve në kampet naziste, ёshtё krim i pashembullt, planifikuar në çastin më të errët të historisë gjermane e evropiane, nga ideologjia e çmendur naziste, me zanafillë neopagane, që dëshironte ta shfaroste hebraizmin evropian.

75 vjet më parë, më 27 janar 1945, merrte fund turpi i Aushvicit. Dita e Kujtesës është vendosur enkas në këtë datë, të lidhur me vendin simbolikisht më të tmerrshëm të tragjedisë së jashtëzakonshme të Holokaustit. Nuk mund e nuk duhet të harrojmë. Nëse kanë ekzistuar njerëz, të aftë të arrinin në tmerre të tilla absurde, askush nuk na siguron se në të ardhmen nuk mund të ndodhë sërish, e Kujtesa e dhimbshme bëhet paralajmërim për sot e për çdo kohë.

Kujdes! 75 vjet nuk janë pak. Brezi i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë, i atyre, që e kanë jetuar kohën dhe tmerret e Holokaustit, po shuhet me shpejtësi. Duhet të jemi edhe ne të shqetësuar, si ata që fillojnë të kenë frikë nga rreziku i harresës, edhe më i keq se ai i mohimit, ushqyer jo vetëm nga injoranca, por, nganjëherë, – e kjo është e tmerrshme – edhe nga urrejtja për arsye politike, etnike, ose fetare.

Kujtimi i Shfarosjes së Hebrenjve është një pikë e rëndësishme konfrontimi në historinë e njerëzimit, për të kuptuar se ç’është në lojë, kur flitet për dinjitetin e patjetërsueshëm të çdo njeriu, për universalitetin e të drejtave të njeriut dhe për impenjimin në mbrojtjen e tyre.

Për besimtarët, është edhe “vend teologjik” i pashmangshëm. Është vendi i pyetjes më radikale mbi Zotin e mbi të keqen. Është vendi i seriozitetit të fundmë të qëndrimit tonë para Zotit, të pyetjeve që i drejtojmë nga thellësia e shpirtit, të heshtjes para misterit. Për të krishterin, është vendi nga ku sheh Kryqin e Krishtit, me shpresën që ankthi të zëvendësohet me jetën. Papa polak Wojtila, Papa gjerman Ratzin ger dhe Papa argjentinas Bergoglio kanë shkuar në Aushvic për të kujtuar. Edhe ne do të vazhdojmë të kujtojmë, në solidaritet me popullin e Izraelit e me të gjitha viktimat e urrejtjes absurde vëllavrasëse, që u mohon atyre dinjitetin, kujtdo populli e gjuhe i përkitën e i përkasin.

27 janar 2020, 18:28