Kërko

Epifania del Signore Epifania del Signore  

Dëftimi i Zotit: tradita shqiptare

Të duket sikur janë vetë Mbretërit Dijetarë, këto fëmijë shqiptarë, që shkojnë derë më derë për të lajmëruar Lindjen e Krishtit, me një ndryshim të vogël: nuk sjellin, por kërkojnë dhurata: Hëndra Kollëndra,/ hape derën të hyj brenda,/ lindi Zoti i gjithësisë/ nga barku i Shën Mërisë.

R.SH. - Vatikan

Populli i ka gërshetuar gjithnjë ngjarjet fetare me përralla e legjenda, me gojëdhëna e supersticione, edhe me origjinë pagane, në përpjekjen për të  të hyrë në misterin e jetës, për t’u mahnitur para misteriozes, që është në vetë natyrën e  tij.

Krishtlindja e Dëftimi i Zotit kanë dy elemente të  përbashkëta: këngët plot me kërkesa për dhurata.

Vjen Befana, shtriga e mirë, që shpërndan ëmbëlsira… Kujtojmë se fjala befana është shtrembërim leksikor i vetë fjalës Epifani, apo Dëftim i Zotit (nga greqishtja ἐπιφάνεια, epifáneia). Befana ndër shqiptarë përkon me Festën e Kullanave (Veri), e Kolendrave (Jug), që nuk kremtohen pas, por për Krishtlindje.

Kolendrat janë dhuratat, që mbledhin fëmijët derë më derë, duke i kërkuar me këngë. Këto këngë popullore me motive biblike, këndohen nga grupe fëmijësh të cilët shkonin, (e ndoshta edhe kanë rifilluar të shkojnë) shtëpi më shtëpi duke uruar shëndet dhe mbarësi. Kolendarët, që shkojnë në grup, gostiten nga të zotët e shtëpisë me kuleçë (kullana-kolendra), fiq të thatë, arra, portokalle etj, e këndojnë:

 O kolendra melendra!
mirëdita, moj kadënë,
mirë sod, mirë mot,
ashtu dalç për shumë mot!
dil, kadënëz' e shtëpisë
hap derën e Perëndisë,
nxir kullakun' e zotërisë.
dil, moj, dil e dalç e bardhë,
gjer mot me një djalë.
dil, moj, dil e dalç e kuqe,
gjer' mot me një nuse!

Kjo këngë këndohej në Jug të Shqipërisë në vitin 1878. Zakoni i kësaj feste tradicionale ishte përgatitja e kuleçëve, të cilët sipas krahinave të ndryshme kishin edhe emërtime të ndryshme. Në zonën e Korçës, Kolonjës, Përmetit dhe Myzeqesë quheshin kolendra, në Pogradec dhe Berat quheshin kullakë dhe në Shkodër, kullana.

Në qytetin e Shkodrës fëmijët, kur e shihnin se e zonja e shtëpisë nuk u jepte kullanat, e stolisnin kangën e kullanave me vargje plot humor, me të cilat vinin në lojë koprracinë e asaj dere, ku kishin trokitur e i kishte nisur me duar thatë:

“Mirëdita për kullana,
Me'j tubë patrixhana,
mirë mot e mirë sot,
na ndihmoftë, i lumi Zot.

Del e del e zoja e shpisë,

Me kuletë të zotenisë,

A po del a po shkojmë?
E del e del e dalsh e bardhë
sot me barr' e mot me djalë.

A po del, a po shkojmë?

njitu kenka nji pus me rika,
zojës s’ shpisë i raft'e pika,
njitu kenka nji pus me pata,
zonjës shpisë i raft' lëngata…
njitu kenka ‘i pus me rosa,

zoj’s së shpisë i raftë qirosa….

Kolendrat janë festë e gëzueshme edhe për besimtarët korçarë , të cilët i kremtojnë më 23 dhjetor. Fëmijët bredhin shtëpi më shtëpi duke shpallur lajmin e lindjes së Shpëtimtarit Krisht:

Kolendra, kolendra sot,
gëzuar për shumë mot
neve vijmë t'ju gëzojmë
si edhe t'ju lajmërojmë
Zotërinj dhe zonja.
Në qytet të shenjtëruar
u lind foshnja e bekuar
Zotërinj dhe zonja.
ai është Krishti vetë,
i dërguar në këtë jetë.

Të duket sikur janë vetë Mbretërit Dijetarë, këto fëmijë shqiptarë, që shkojnë derë më derë për të lajmëruar Lindjen e Krishtit, me një ndryshim të vogël: nuk sjellin, por kërkojnë dhurata:
 Hëndra Kollëndra,
hape derën të hyj brenda,
lindi Zoti i gjithësisë
nga barku i Shën Mërisë.

Kolendrat festoheshin edhe tek arbëreshët e Italisë. Kujtojmë se fjala kolendër vjen nga fjala latine calende, prej së cilës ka ardhur edhe fjala kalendar. Kolendrat festohen në gjithë popujt e Evropës. Bullgarët i quajnë koleda, rumunët kolinde, francezët kalandë, rusët koliadka etj.

05 janar 2020, 18:48