2020.01.10 Artisti per Albania

Artistët për Shqipërinë: në Romë, koncert për të dëmtuarit nga tërmeti

Ana Lushi, Elsa Lila, Irida Dragoti, Hersi e Flavja Matmuja, Andi Zeka, Kozeta Prifti: janë emrat e artistëve shqiptarë, që së bashku me artistë të tjerë italianë, të muzikës lirike e të muzikës së lehtë, janë impenjuar në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

R.SH. - Vatikan

Nesër, 11 janar, në orën 18.30, ata do të japin një shfaqje me muzikë tradicionale shqiptare dhe me arie e pjesë nga Verdi, Puccini, Mozart, Vivaldi, Pergolesi e kompozitorë të tjerë të njohur, në Sallën Akademike të Institutit Papnor të Muzikës Kishtare, në qendër të Romës (Piazza Sant’Agostino 20/A). Hyrja në koncert, siç njoftojnë organizatorët (“Opera in scena”), është falas, por secili mund të japë një kontribut, sipas dëshirës. Të ardhurat e grumbulluara në këtë mënyrë do t’i shkojnë Kishës Katolike në Shqipëri, përfaqësuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Anthony Frendo.

         Në notën për shtyp, nënvizohet se koncerti i titulluar “Aristët për Shqipërinë” është “një gjest tjetër solidariteti i artistëve shqiptarë dhe italianë, në mbështetje të popullsisë shqiptare të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit”. Më pas, vihet në dukje se pikërisht artistët kanë qenë veçanërisht aktivë dhe nuk janë kursyer, duke dhënë kontributin e tyre, përmes dhjetra manifestimeve të solidaritetit dhe veprimtarive për të mbledhur fonde. Koncerti i nesërm organizohet me patronazhin e dy ambasadave të Shqipërisë në Romë, që përfaqësojnë shtetin shqiptar në Selinë e Shenjtë dhe në Itali, si edhe me patronazhin e ambasadës së Kosovës në Itali.

10 janar 2020, 18:57