Gesu' Cristo Gesu' Cristo 

Më 9 janar kalendari kishtar përkujton Shën Adrianin e Kanterburit, abat

Shën Adrianin e Kanterburit, abat, i lindur në Afrikë, qe këshilltar e ndihmës i Papёs Vitalizi. Vdiq pranë Kanterburit më 9 janar, tё vitit 710.

R.SH. - Vatikan

I lindur në Afrikë, Adriani ishte abat i Neridës, kur Papa shenjt Vitalizi e thirri të drejtonte selinë ipeshkëvnore të Kanterburit. Por ai nuk pranoi e shprehu dëshirën të zëvendësohej nga Teodori i Tarsit, që u bë më pas një nga kryeipeshkvijtë më të mëdhenj të selisë primatë të Anglisë.

Papa e pranoi dëshirën e tij, por me kusht që ta kishte si këshilltar e ndihmës. Teodori e emëroi abat të manastirit të lashtë të Shenjtorëve Pjetër e Pal, që më pas do të merrte emrin e shën Agositinit. Nën udhëheqjen e Adrianit e ndikimin e Teodorit, manastiri u bë një nga qendrat më të rëndësishme të formimit për shumë ipeshkvij të ardhshëm dhe ushtroi ndikim të fuqishëm mbi gjithë krishterimin e kohës.

Abati Adrian qe mësues për dyzet vjet me radhë. Dha latinishten, greqishten, të drejtën romake, Shkrimin Shenjt e Etërit e Kishës. Studentët mblidheshin nga e gjithë Anglia e madje edhe nga Irlanda. E kjo, sepse një nga nxënësit, shën Aldelmi, më pas ipeshkëv i parë i Sherbornit, ishte i mendimit se mësimi që jepej në manastirin e Katerburit ishte i një cilësie shumë të lartë e ua kalonte të gjithë shkollave të larta të Irlandës.

Shën Adriani vdiq pranë Kanterburit më 9 janar, në një vit të papërcaktuar, ndoshta në vitin 710 e u varros në manastir. Më 1091, për shkak të punimeve për meremetimin e manastirit, u desh të lëvizeshin disa nga varret. U hap edhe varri i Shën Adrianit e trupi i tij u gjet krejt i patretur. Nga ai trup, që kishte ndenjur për shekuj në varr, në vend të erës së kufomës, përhapej një aromë e këndshme, që fliste vetë për shenjtëri. Populli nisi ta nderonte si shenjt, famë që vijoi për shekuj me radhë, prandaj emri i tij u shkrua në Martirologun Romak e festa e shën Adrianit u vendos në datën e vdekjes, 9 janar, ditë e lindjes për qiell.

09 janar 2020, 08:27