Kërko

Vatican News
Santi Aquila e Prisca Santi Aquila e Prisca  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Me 18 janar kalendari kishtar kujton shën Priskën, martire

Shën Priska duhet ta ketë derdhur gjakun për Krishtin nën perandorin Klaudio dhe të jetë varrosur në Rrugën Ostiense. Sipas gojëdhënës ajo qe nxënësja e parë e Shën Pjetrit apostull që e dëshmoi fenë e vet me martirizim. Priska martire eshte ‘fryt i parë i apostullimit të Peshkatarit të Galilesë’ dhe themeluese e Kishës romake me të njëjtin emër, për të cilën na flet epitafi i shkruar mbi një rrasë varri të shekullit V, që ruhet në kiostrin e Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve të Romës.

R.SH. - Vatikan

Me 18 janar, kalendari Kishtar përkujton Shën Priskën, martire. Kur flasim për figurën e Shën Priskën duhet thënë se nuk është e lehtë të përshkruhet jeta e kësaj martire romake, ndonëse për të kemi një mori dokumentesh të lashta. E kjo, sepse ka shumë mundësi që njoftimet, të cilat duken sikur flasin për të, i përkasin tri martireve të ndryshme: asaj vetë, Priskës gruas së Akuilës, të cilën e kujton Shën Pali Apostull dhe një shenjtoreje tjetër me të njëjtin emër, që nuk përmendet më në kalendarët kishtare.

Nga Aktet e martirizimit të Shën Prsikës, mësojmë se ajo duhet ta ketë derdhur gjakun për Krishtin nën perandorin Klaudio (268-270) e se duhet të jetë varrosur në Rrugën Ostiense. Më pas reliket e saj u mbartën në Aventin.

Sipas gojëdhënës ajo qe nxënësja e parë e Shën Pjetrit apostull që e dëshmoi fenë e vet me martirizim. Sidoqoftë sot Kisha e nderon Priskën martire si ‘fryt i parë i apostullimit të Peshkatarit të Galilesë’ dhe si themeluesen e Kishës romake me të njëjtin emër, për të cilën na flet epitafi i shkruar mbi një rrasë varri të shekullit V, që ruhet në kiostrin e Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve të Romës. 

Kisha e lashtë e Shën Priskës në Aventin, një stoli e vërtetë ndërmjet antikiteteve të shumta romake, lartohet mbi themelet e një shtëpie të madhe të shekullit II, gjë që është provuar edhe nga gërmimet arkeologjike. Duhet të ketë qenë shtëpia e vashës romake, që dha jetën në lule të moshës për Krishtin.

18 janar 2020, 13:15