Kërko

Vatican News
San Paolo di Tebe Eremita - Diego Velázquez San Antonio Abate e San Paolo l Eremita San Paolo di Tebe Eremita - Diego Velázquez San Antonio Abate e San Paolo l Eremita 

Më 15 janar kalendari kujton shën Palin, vetmitar i parë

Shën Pali vetmitar jetoi në shkretëtirë 113 vjet. Po Pali nuk ishte vetëm: në shpellën e tij banonte edhe Zoti. E kështu Shën Pali vetmitar i shërbeu për shumë vjet, krejtësisht larg botës e i panjohur për të, Atij, Jezu Krishtit që s’gjeti vend ndërmjet njerëzve e u detyrua të shkonte për të lindur në një shpellë.

R.SH. - Vatikan

Më 15 janar kalendari kishtar përkujton shën Palin, vetmitar i parë. Shën Pali, themelues i vetmitarëve, lindi në Tebaidën e poshtme rreth vitit 234. Në moshën 15 vjeçare iku në shkretëtirë, si Jezu Krishti, për të jetuar në varfëri të plotë, larg çdo pasurie e lakmie njerëzore. Zgjodhi një shpellë për banesë; një palmë për ushqim e veshmbathje; një gurrë uji për të shuar etjen; një copë bukë, që ia sillte një korb çdo ditë nga qielli, për të zgjatur jetën e tij të mrekullueshme.

E kështu Shën Pali vetmitar i shërbeu për shumë vjet, krejtësisht larg botës e i panjohur për të, Atij që s’gjeti vend ndërmjet njerëzve e u detyrua të shkonte për të lindur në një shpellë.  Po Pali nuk ishte vetëm: në shpellën e tij banonte edhe Zoti. Kështu me të filloi jeta e eremitëve apo vetmitarëve të cilët, për folur me Zotin, hoqën dorë nga shoqëria, madje edhe nga çdo lloj takimi me njerëzit. Ishin engjëj tokësorë, ndër të cilët u duk, për t’u dhënë mësim shekujve të ardhshëm, pushteti e pasuria e Zotit, që i mjafton, edhe e vetme, çdo krijese.

Mrekullohemi para figurave si ajo e Shën Palit vetmitar, përmes të cilave shikojmë sesi misteri i Zotit të mishëruar mundi ta lartojë natyrën njerëzore të rënë nën skllavërinë e ndjenjave, të dehur nga etja e pashuar për të mira tokësore.

E megjithë jetën thellësisht të vetmuar, megjithë kundrimin mbinjerëzor, njerëzit si Shën Pali nuk u shkëputën kurrë nga Kisha dhe nga betejat e saj të lavdishme. Nga thellësia e shpellës së tij, i ndriçuar nga një dritë e mbinatyrshme ndiqte luftërat e Kishës kundër arianizmit, bashkohej me mbrojtësit e Fjalës së Mishëruar të Hyjit, i kundërvihej çdo sulmi të pabesë kundër Zotit. 

Emri i Palit, atë i vetmitarëve, lidhet ngushtë me atë të Shën Andout Abat, atit të Çenobitëve apo të njerëzve që mbylleshin gjithë jetën në kuvende. Që të dy mënyrat e jetesës burojnë nga e njëjta gurrë, nga Grazhdi i Betlehemit. 

Shën Pali vetmitar jetoi në shkretëtirë 113 vjet. Trupi i tij i vdekur u mbart në Kostandinopojë nën perandorinë e Manuel Komnenit, më pas në Venedik e në bashkësinë e vetmitarëve të Budës, në Hungari. Jetën e tij e shkroi Shën Jeronimi në vitin 376.

15 janar 2020, 12:08