Kërko

 Santi Felice Santi Felice  

Më 14 janar kalendari kishtar përkujton shën Feliksin nga Nola

Feliksi lindi në Nolë, në shekullin III, në një familje të ardhur nga lindja. Jetoi në varfëri të plotë, duke e fituar bukën e gojës me punën e përditshme, deri në vdekje. Për nder të tij kremtohen dy festa me procesione madhështore: e para më 5 janar dhe e dyta, më 14 janar, kur kremtohet edhe festa e tij liturgjike. Feliksi u persekutua, u burgos e u torturua deri në vdekje.

R.SH. - Vatikan

Jetën e Shën Feliksit (në gjuhën shqipe, Gëzim), rrëfyestar e martir, na e tregon Shën Paolini i Nolës, falë të cilit u realizua edhe kompleksi më i famshëm i bazilikave paleokristiane në Çimitile, gjashtë kilometra larg nga Nola, në Italinë jugore. Në këtë vend deri në shekullin II pas Krishtit, ishte një varrezë pagane, pranë së cilës të krishterët e parë të zonës varrosnin të vdekurit e tyre në një ‘cæmeterium’, term nga i cili rrjedh toponimi Çimitile. Këtu u vendosën edhe reliket e Feliksit, që ka shumë mundësi të ketë vdekur aty nga viti 313. Varri i Shenjtit u bë cak shtegtimesh e mrekullish e edhe i gjashtë bazilikave, kushtuar Shën Feliksit, Shën Shtjefnit, Shën Gjonit, Shën Paolinit, Shenjtorëve martirë e Shën Gaulonit. Këtyre bazilikave, më 1789, iu shtua edhe ajo famullitare, e vendosur mbi zonën arkeologjike, kushtuar edhe ajo Shën Feliksit. 

Zanafilla e këtyre viseve të shenjta kulti e lutjesh lidhet me manastirin, që u ndërtua nga ipeshkvi i Nolës, Shën Paolini, me origjinë nga Bordoja e Francës, i cili në vitin 394 u vendos në Çimitile e ndikoi fuqimisht në zhvillimin e vendit. Pranë ‘monasterium’ u mblodhën shumë miq të ipeshkvit shenjt, që më pas do të bëhej pajtor i Nolës e do t’i kushtohej festa e famshme e Zëmbakëve të Nolës, që kremtohet më 22 qershor. Pasi u bë ipeshkëv i Nolës në vitin 409, Shën Paolini u largua nga manastiri, zgjëroi varrezën e ndërtoi Bazilikën e Re (400-403) e cila më pas u përfshi në bazilikën e Shën Gjonit, që komunikonte, përmes një tuneli me tri harqe, me bazilikën e Shën Feliksit in Pinçis.

Kjo e fundit është më e rëndësishmja nga të gjashtë bazilikat, sepse u ndërtua mbi mbetjet e nekropolit të lashtë të Nolës e sidomos, sepse këtu ruhen reliket e Shën Feliksit, mbyllur në një arkë, në të cilën më pas u vendosën edhe reliket e dy ipeshkvijve të tjerë. Ky vend u bë një ‘martyrium’, me një hyrje, që shërben për kalimin e besimtarëve, të cilët duan të zbresin në varr. Që nga ajo kohë besimtarë të panumërt vijojnë të vizitojnë arkën e relikeve e të vendosin aty pomata, që konsiderohen të mrekullueshme e shërbejnë për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, pasi kanë prekur vendin ku ruhet trupi i Shenjtit.  Kaq dimë për Shën Feliksin e për ipeshkvin Shenjt Paolinin i cili, tepër i devoçëm i shenjtit, i kushtoi 14 këngë, që njihen si ‘Këngët e lindjes’, sepse të shkruara më 14 janar, ditë kur Feliksi lindi për qiell. 

Tregimi poetik i Shën Paolinit është dokumenti i parë historik për jetën e Shën Feliksit, dmth e para përmbledhje e traditës gojore, mbledhur nga ipeshkvi në zonë. Sipas kësaj përmbledhje, Feliksi lindi në Nolë, në shekullin III, në një familje të ardhur nga lindja. U persekutua, u burgos e u torturua. Më pas u lirua mrekullisht nga një engjëll, që e çoi në një vend të shkretë (prandaj, edhe pse nuk u martirizua, nderohet si martir).

Falë paqes kostandiniane, Feliksi u rikthye në dioqezë. Këtu, ndonëse u zgjodh pasardhës i ipeshkvit Maksim, nuk e pranoi selinë ipeshkvnore e jetoi në varfëri të plotë, duke e fituar bukën e gojës me punën e përditshme, deri në vdekje. Për nder të tij kremtohen dy festa me procesione madhështore: e para më 5 janar dhe e dyta, më 14 janar, kur kremtohet edhe festa e tij liturgjike. Sot, më 14 janar, është dita emrit e gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë, që quhen Gëzim, sepse këtë kuptim ka emri Feliks në gjuhën shqipe.

14 janar 2020, 13:06