Kërko

100 vite më parë lindte Fellini: aspekte të panjohura të fesë së tij

100-vjetori i lindjes së Federico Fellini-t është rasti për të shqyrtuar fenë personale dhe praninë e fesë në filmat e regjisorit të madh. Promovues të kësaj nisme janë Universiteti Papnor Salezian, Instituti i Shkencave Fetare “Alberto Marvelli” dhe Qendra Kulturore Pali VI në Rimini. Intervistë me don Renato Butera.

R.SH. - Vatikan

“Kam nevojë të besoj. Federico Fellini dhe feja”: ky është titulli i projektit, filluar prej muajsh nën kujdesin e Universitetit Papnor Salezian, Institutit të Shkencave Fetare “Alberto Marvelli” dhe Qendrës Kulturore Pali VI në Rimini, me bashkëpunimin e kritikëve kinematografikë, studiuesve dhe miqve të regjisorit të madh. Synohet një hulumtim mbi kërkimin plot mundime të kuptimit transhendental të jetës, që e shoqëroi Fellinin e që pasqyrohet qartë në filmografinë e kineastit të shkëlqyer italian, ndër më të njohurit në botë dhe ndër më të studiuarit për poetikën plot fantazi dhe larmi, fiksuar me origjinalitet të jashtëzakonshëm në filmat e tij.

         Në projekt përfshihet një konferencë e konceptuar në dy faza, në qytete të rëndësishme për jetën personale dhe artistike të Fellini-t: në Rimini, më 7 mars, “Fëmijëria e botës” dhe, në Romë, më 21 mars, “Ku është Zoti?”. Përveç kësaj, do të ketë një Hulumtim historiografik mbi fëmijërinë dhe adoleshencën e regjisorit dhe një ekspozitë mbi përfytyrimin fetar, që duket në filmat e tij. Këtyre nismave i shtohen dy “Oborre studentore”, organizuar nga Këshilli Papnor për Kulturën e nga kryetari i tij aktual, kardinali Gianfranco Ravasi, si edhe shfaqja e disa filmave të Fellini-t në kinemanë Greenwich të Romës.

         Tema e fesë në narrativën feliniane është interpretuar në mënyra të ndryshme, nganjëherë, në kontradiktë me njëra-tjetrën, siç shpjegon, në mikrofonin tonë, don Renato Butera, pedagod i historisë së kinemasë në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit, në Universitetin Papnor Salezian. Në fëmijëri, Federico Fellini pati marrë edukatë katolike, por më pas ç’ndodhi me të? Të dëgjojmë don Butera-n:

         Nuk ndodhi asgjë e çuditshme, përveç rrjedhës së jetës së një të riu të edukuar nga një nënë katolike e flaktë, Ida Barbiani dhe nga një baba, i cili, në një mjedis si ai i Emilia-Romagna-s, me siguri do të ketë ndikuar në këtë dialog ndërmjet religjozitetit femëror e atij më skeptik, më majtist e socialist, siç ishte ambienti romanjol. Fellini formohet si i krishterë, me sakramentet, me frekuentimet e tij e, së bashku me shokët e vet, rritet si njeri i Zotit dhe i fesë, si shumë të tjerë. Pastaj, sigurisht ndryshon kur i jep lamtumirën Riminit dhe shkon në Romë, ku fillon përvojën e tij si gazetar, karikaturist, skenarist dhe më pas, si regjisor, me një shoqe e bashkëshorte të jashtëzakonshme, edhe nga këndvështrimi i fesë, Giulietta Masina. Por, kurioziteti dhe nevoja për të besuar, që i shtohet gjithnjë e më shumë, e shtyjnë ta njohë më mirë misterin e transhendencës përmes leximeve të tij jungiane dhe frekuentimit të Gustavo Rol, sensitiv i njohur, deri sa thotë edhe një herë, në mikrofonin e Sergio Zavoli-t: “Kam nevojë të besoj”.

         Ndjenjat fetare në filmat e Fellini-t përshkruhen shpesh me penalata ironike, tekanjoze, u konsideruan të çuditshme, prandaj bashkësia kishtare nuk ishte njëmendje në gjykimin e veprave të këtij autori. Për shembull, filmi i tij më i njohur “La dolce vita” u kritikua ashpër në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, në vitin 1960.

         Jam dakord por jo plotësisht, sepse nga një analizë e kujdesshme e kinematografisë së tij, mund të vërehet një fillim i shënuar nga një shqyrtim i thellë dhe nga një frekuentim tejet i dukshëm i temave fetare dhe shpirtërore, veçanërisht në atë që njihet si triada e Hirit të Shëlbimit, ku bëjnë pjesë tre filma: “Rruga”, “Bidoni” dhe “Netët e Kabiries”. Në ta, ndjenja e pranisë së Zotit, ndjenja e faljes së Hyjit dhe e ndryshimit që sjell, janë shumë të fuqishme. Kjo ndodh edhe në “La dolce vita”, që i bëri kritikët katolikë të kohës - në një kontekst shoqëror dhe kulturor të ndryshëm nga e tashmja – të mos e kuptonin plotësisht atë që katolikë të tjerë, si p.sh. atë Arpa (jezuit e kritik kinematografik), atë Fantuzzi (jezuit e kritik kinematografik), atë Taddei (jezuit e kritik kinematografik) e kishin kuptuar: Fellini reflektonte mbi kuptimin e jetës, që në atë çast, luhatej ndërmjet asgjësë, boshllëkut dhe nevojës për diçka më të thellë në shoqërinë borgjeze dhe fisnike të një Rome, e cila edhe në atë epokë - e shkundur apo e shtyrë nga boom-i ekonomik - po ndryshonte. Pastaj, Fellini fillon të bëhet pak më cinik, pak më ironik ndaj Kishës dhe njerëzve të Kishës, sidomos në sekuencat e “Tre hapa nga deliri”, në “Toby Dammit”, “Tundimet e doktor Antonios”, në “Boccaccio '70” dhe në “8½”, filmat, ku hosteni i tij i mprehtë shpon më shumë. Përkundrazi, historia e don Balosa-s, në “Amarcord”, pasqyron ndjenjën e një respekti shumë të madh për punët e Kishës e Fellini e trajton me simpati këtë meshtar të famshëm për rrëfimet. Vërejmë një kthim në kërkimin e ndjenjës fetare, e cila, me filmin “Ginger e Fred”, fillon të jetë mjaft e pranishme, deri sa arrin në nevojën për heshtje, në filmin e fundit “Zëri i Hënës”, ku autori përpiqet t’i kuptojë më mirë gjërat e jetës dhe të misterit të saj.

Pas një shekulli nga lindja e Federico Fellini-t dhe pas 27 viteve nga vdekja e tij, mund të shihet vepra e këtij regjisori të madh me një sy të ri, edhe përsa i përket trajtimit të ndjenjave fetare në filmat feliniane. A është i bashkuar komuniteti i krishterë në gjykimin pozitiv për veprën e Fellini-t?

Sipas mendimit tim, po. Rikompozohet mozaiku i historisë së Fellini-t dhe i kinematografisë së tij në veçanti, si edhe shihet me sy të ri dëshira e tij për ta kuptuar misterin e jetës së përtejme, që përfaqësohet mirë në atë mjegull, me të cilën mbështillet gjyshi në “Amarcord”. Në një farë kuptimi, është Fellini që ndodhet në mjegull dhe duhet të dalë jashtë, sepse ajo i kujton vdekjen e, nëse vdekja është e tillë, nuk është gjë e mirë, thotë gjyshi, por, në të vërtetë, kjo do të thotë: “unë kam nevojë për t’i gjetur një kuptim kësaj mjegulle”. E këtë bën Fellini gjatë përvojës së tij, edhe duke u ndeshur me botën ezoterike, në të cilën nuk do t’i gjejë të gjitha përgjigjet dhe do ta vazhdojë më tej kërkimin për të gjetur kuptimin e jetës, sensin e Zotit, që ndoshta, do ta ketë gjetur edhe.

20 janar 2020, 18:02