Kërko

Skuadrat e shpëtimit në Shqipëri Skuadrat e shpëtimit në Shqipëri 

Tërmeti në Shqipëri: një javë me të dëmtuarit dhe me vullnetarët

Solidariteti i Papës Françesku dhe ai i Kishës Katolike universale, në ditët e para pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri; zërat e murgeshave dhe të vullnetarëve, që ndihmojnë në lehtësimin e gjendjes në kampet e të shpërngulurve, por edhe përpjekja e vështirë për t’u kthyer në normalitet: këto, argumentet e reportazhit tonë të sotëm.

R.SH. - Vatikan

Tërmeti i tmerrshëm, që ra në Shqipëri më 26 nëntor, shkaktoi 51 viktima, të lënduar, dëme e shumë kujtime të trishta dhe dhimbje që nuk do të harrohen kurrë, sidomos në Durrës e Thumanë. Njerëzit, akoma të frikësuar, vajtojnë tani të vdekurit e mendojnë për të ardhmen. Duhen ndëtuar shtëpi, rrugë e dyqane, por fillimisht, duhen siguruar të shpërngulurit me një strehë mbi krye e me mundësinë për të vijuar jetën e përditshme. Solidariteti kombëtar dhe ndërkombëtar nuk vonoi, që nga çastet e para me skuadrat e kërkim-shpëtimit, të cilat erdhën nga të gjitha vendet fqinjë, duke sjellë mjete dhe profesionalitet për përballimin e gjendjes e, deri tek pakot me ushqime, veshmbathjet, tendat, skuadrat mjekësore, në garë për të shërbyer sa më mirë. .

Solidariteti i Papës dhe i Kishës

Kujtojmë se në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa Françesku, i sapokthyer nga udhëtimi i tij në Tajlandë e Japoni, përshëndeti popullin shqiptar dhe u lut për viktimat e tërmetit, duke dërguar edhe një telegram ngushëllimi. Të nesërmen, përmes Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor, vuri në dispozicion të Kishës Katolike në Shqipëri 100 mijë euro për të dëmtuarit nga tërmeti. Të premten, Konferenca Ipeshkvnore e Italisë i dha Karitasit Italian 500 mijë euro që t’i përdorë për të siguruar ndihmat e nevojshme për njerëzit, të cilët kanë mbetur pa shtëpi.

Impenjimi i Karitasit Shqiptar

Edhe Karitasi Shqiptar u bëri thirrje të gjitha dioqezave të impenjohen në favor të të dëmtuarve nga tërmeti e Karitaset dioqezane u përgjigjën menjëherë. Nga të gjitha anët e Shqipërisë, Kisha Katolike dërgoi njerëz, mjete e pako drejt Durrësit e Thumanës, së bashku me meshtarë e rregulltarë, që përveshën mëngët për të ndihmuar, por ishin në dispozicion edhe për ngushëllimin shpirtëror të banorëve të zonës së tërmetit, rënduar psikologjikisht, sidomos ata që patën viktima në familje. Fshati i Paqes në Shkodër u tregua i gatshëm të strehojë njerëzit pa shtëpi e po kështu, edhe dioqeza e Jugut. Gara e solidaritetit vijon.

Elidon Dodaj nga terreni

Këto ditë, bashkëpunëtori ynë Elidon Dodaj, në Thumanë si përgjegjës për Karitasin e Tiranës, na ka dërguar intervista e dëshmi nga terreni. Edhe sot po u propozojmë disa prej tyre, duke filluar nga motër Rita Deda…

Dëgjo motër Rita Dedën...

Të dëgjojmë tani, njërën nga vullnetaret e pranishme. Quhet Suela…

Dëgjo Suelën...

Në mesin e vështirësive, njerëzit mundohen ta heqin mendjen prej tyre e të kthehen në një farë mënyre në normalitet. Të dëgjojmë disa djem, të cilëve Elidon Dodaj u ndërpreu lojën e tyre me top, por edhe disa vullnetarë të tjerë, fëmijë e familje…

Dëgjo njerëzit e strehuar në kampin e Thumanës...
01 dhjetor 2019, 10:55