Kërko

Vatican News
Fillon shembja e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës Fillon shembja e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës 

Tërmeti në Shqipëri: fillojnë hetimet në Durrës e Tiranë

Pasi përfunduan operacionet e kërkim-shpëtimit dhe numri i viktimave u ndal në 51 vetë, tani fjalën e ka përpjekja për të siguruar të shpërngulurit, në prag të dimrit, por edhe ligji. Prokuroria njofton se kanë filluar hetimet për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Tiranë e Durrës.

R.SH. - Vatikan

“Flemë me frikë, zgjohemi me frikë, sepse akoma vazhdojnë lëkundjet”: kjo shprehje e kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, njëkohësisht, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit, e përshkruan fare mirë gjendjen shpirtërore të shqiptarëve, në zonat e tërmetit. Edhe sot, u ndje një tërmet prej 4,2 ballësh të shkallës Richter, duke shkaktuar panik të ri.

Hetime për “ndërtim pa leje” dhe “shpërdorim detyre”

Pasi përfunduan operacionet e kërkim-shpëtimit dhe numri i viktimave u ndal në 51 vetë, tani fjalën e ka përpjekja për të siguruar të shpërngulurit, në prag të dimrit, por edhe ligji. Prokuroria  njofton se kanë filluar hetimet për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Tiranë e Durrës, ku shtëpitë e shembura janë shpesh, banesa të ndërtuar pa kriter e pa autorizim menjëherë pas komunizmit. Sipas të dhënave paraprake, dëmet përfshijnë 900 pallate e më se 5100 banesa të tjera.

Historia e ndërtimeve pas viteve ‘90

         Kujtojmë se menjëherë pas komunizmit, zonat periferike të Tiranës e Durrësit u zgjeruan me një shpejtësi të paparë, në mënyrë krejtësisht të çrregullt e deri obsesive, duke bërë që rreth një e treta e popullsisë shqiptare të zhvendosej në shtëpi e apartamente të rrezikshme. Kush nuk i ka parë pallatet deri 15 katëshe, në plazhin e Durrësit, që nuk bëjnë pjesë në asnjë lloj urbanizimi sado pak të arsyeshëm? U projektuan nga inxhinjerë e arkitektë, të cilët duket qartë se nuk dinë ç’është estetika e, siç vërtetoi edhe tërmeti, as ç’është siguria e ndërtimit.

Shembujt e mediave të huaja

         Le të marrim, për shembull, pallatin e shembur pak larg nga qendra e Durrësit, në rrënojat e të cilit u gjetën 9 të vdekur. Në mediat italiane, që citojnë zjarrfikësit e shkuar për ndihmë në zonat e tërmetit, vihent në dukje se ndërtesa kaloi në pak kohë nga një në katër kate, shtesë pas shtese, për të strehuar familje të tjera me të njëjtin mbiemër, që vinin nga verilindja e Shqipërisë. Natyrisht, të parat që nuk i mbajtën dot katër kate me çimento, qenë themelet, të cilat morën me vete gjithë ç’kishte sipër tyre. Po kështu, Villa Palma dhe hotel Miramare në Golem janë shndërrime shtëpish për pak vetë në hotele për turistë, të cilët fatmirësisht nuk ndodheshin brenda gjatë tërmetit, pasi sezoni veror ka përfunduar me kohë. Por, a mund ta bazosh politikën ndërtimore në fatin e mirë? Njerëzit kanë ndërtuar me shpejtësi, pa pyetur për cilësi e për kontrolle.

Dëshmia e zjarrfikësve italianë

         E, edhe organizimi lë për të dëshiruar, siç dëshmon një nga zjarrfikësit italian Usar (Urban Search and Rescue), që mundohej të ndihmonte në Durrës. “Zakonisht – deklaron ai për gazetën “Il Fatto Quotidiano” – para se të ndërhyjnë për të gjetur njerëzit poshtë rrënojave, teknikët tanë kontakojnë komunën për të marrë kartat e kadastrës së ndërtesave të shembura. Gjithçka, për të pasur një ide si ishte shtëpia, ku mund të jenë njerëzit e kështu me radhë. Por, na u përgjigjën se ajo ndërtesë nuk ishte e regjistruar në kadastër, prandaj për informacione, na u desh të bazohemi në dëshmitë e të mbijetuarit të vetëm, që e nxorrëm të martën pasdite”. Të jemi të sinqertë: nëse nuk do të kishin ardhur skuadrat e kërkim-shpëtimit nga vendet e tjera, shqiptarëve do t’u duhej të gërmonin me duar e me lopatë.

Solidariteti

         Por jo gjithçka është zi. Shqipëria është vend me mundësi të pakta, por me shpirt të madh. Njerëzit mblidhen rreth familjeve të dëmtuara nga tërmeti, në përpjekjen për t’i ngushëlluar e për t’i ndihmuar njëfarësoj. Vijon edhe gara e solidaritetit. Shumë vullnetarë janë nisur nga e gjithë Shqipëria për të shkuar drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti dhe për të dhënë kontributin e tyre aty ku kërkohet. Vijon edhe mbledhja e fondeve për t’i bërë ballë emergjencës e shumë njerëz mundohen të japin ç’munden për të ndihmuar bashkëatdhetarët. Në veçanti, Kisha Katolike ndërhyu që në çastet e para, përmes Karitasit Shqiptar dhe përmes Karitaseve nga vende të tjera. Kushdo dëshiron të kontribuojë mund të gjejë llogaritë bankare në faqen e internetit të Karitasit Shqiptar “caritasalbania.org”.

02 dhjetor 2019, 14:48