Kërko

Candela Preghiera 5ok.jpg

Stafeta e dritës dhe e lutjes për Shqipërinë, pas tërmetit

Shtohen nismat e lutjes e të procesioneve me pishtarë kudo ku ka shqiptarë. Janë kremtuar meshë e janë organizuar mbrëmje lutjeje në të gjitha misionet katolike shqiptare nëpër botë, por një qiri Zotit i kanë ndezur edhe shoqatat e ndryshme.

R.SH. - Vatikan

Ndërsa në Tiranë ndodhet sot komisari evropian për administrimin e krizave, Janez Lenarcic, shqiptarët, dalëngadalë, po mundohen ta marrin veten, pas tërmetit të 26 nëntorit, i cili nuk shkaktoi vetëm viktima e shembi shtëpi, por shqetësoi thellësisht shpirtrat e të gjithëve. E gjithë bota vazhdon ta sigurojë Shqipërinë se nuk është vetëm në përballimin e pasojave e, jo më larg se dje, Komisioni Evropian njoftoi se ka caktuar 15 milionë euro për ta mbështetur popullin shqiptar. Më pas, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se do të mblidhet një konferencë donatorësh për të ndihmuar rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti.

Me sytë drejt Teje, o Zot!

Por, përveç kësaj, njerëzit kanë nevojë edhe për shpresë. Pikërisht për këtë shtohen nismat e lutjes e të procesioneve me pishtarë kudo ku ka shqiptarë. Janë kremtuar meshë e janë organizuar mbrëmje lutjeje në të gjitha misionet katolike shqiptare nëpër botë, por një qiri Zotit i kanë ndezur edhe shoqatat e ndryshme. Në Itali, për shembull, filloi Milano, më 29 nëntor, duke u kërkuar të gjithëve të sillnin në Sheshin e Duomos “një qiri, për t’u ndezur për gjithë të dëmtuarit nga tërmeti e, një flamur”, që bashkatdhetarët ta ndjenin afërsinë e mërgimtarëve të një gjaku. “Ndize një qiri” – motoja e manifestimit edhe në Piazza Grande të Modenës, “një gjest i vogël për viktimat e tërmetit në Shqipëri”. Nga Roma, në Facebook, shoqata të ndryshme shumëetnike bënë thirrje për të ndihmuar Shqipërinë. Pardje, ishte radha e Macerata-s, që i mblodhi qytetarët e saj në orën 20.30, në lutje për shqiptarët. Ndërsa dje, më 4 dhjetor, në Sheshin Albania në Romë, rreth 70 vetë, shqiptarë e jo, ndezën një qiri, para monumentit të Skendërbeut, “për të ndezur shpresën”, siç thuhej në manifestin e shoqatës organizuese “Integra” nga Lecce. E drita e qirinjve vijon të përhapet nëpër botë, në kërkim të mbështetjes e të ndihmës për popullin shqiptar, me shpresën se Zoti do t’i dëgjojë lutjet e do ta shtrijë dorën e tij të dhembshur mbi të.

05 dhjetor 2019, 16:19