Kërko

NEW YORK-STABBING NEW YORK-STABBING 

Në SHBA godet përsëri dhuna antifetare. Dënimi i kardinalit Dolan

Një njeri i armatosur hyri papritmas në shtëpinë e një rabini, në Monsey, Veri i New York-ut, ku plagosi pesë vetë, dy në gjendje të rëndë. U arrestua një afroamerikan. Kryeipeshkvi i New Yorkut, kardinali Dolan, e quan “akt i shëmtuar dhune kundër vëllezërve e motrave hebreje”. Presidenti izraelit Rivlin, tejet i shqetësuar, thekson: “Antisemitizmi është kërcënim global”

R. SH. - Vatikan

Sulm i ri, i ulët, antisemit në SHBA-të, këtë radhë në Monsey, 50 kilometra larg veriut të New Yorkut. Një burrë me fytyrë të mbuluar, i armatosur, hyri në shtëpinë e një rabini, ku po kremtohej dita e shtatë të Hannukah dhe plagosi më se pesë vetë. Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë. Fillimisht mediat amerikane folën për sulm kundër një sinagoge, por pastaj Orthodox Jewish Public Affairs Council saktësoi, në një tweet, se qe sulmuar banesa private e një rabini. E më pas akoma, u vërtetua  se nuk kishin munguar as të shtënat në një nga Kishat e Teksasit.

Dënimi i kardinalit Dolan

Kryeipeshkvi i New Yorkut, kardinali Timothy Dolan, e quan sulmin  në shtëpinë e rabinit Rottenberg, në Momsey, “akt i shëmtuar dhune  kundër  vëllezërve e motrave hebreje” duke shtuar: “Ky është vetëm i fundmi i një serie sulmesh kundër bashkësisë hebraike, që duhen dënuar pa ngurrim, sepse në kundërshtim të plotë me gjithçka përfaqëson feja. Nuk ka vend për urrejtje në qytetet tona, në Shtetin tonë, në Kombin tonë e në asnjë skaj të Planetit”.

Presidenti izraelit Rivlin, i tronditur thellë, nënvizoi: “Duhet të punojmë së bashku, për ta përballuar këtë të keqe në rritje, që po bëhet gjithnjë e më shumë kërcënim global”. “Duhet punuar në të gjitha mënyrat me autoritetet vendore, për ta çrrënjosur këtë fenomen” - shtoi kryeministri Netanyahu, duke hapur  takimin e zakonshëm të së dielës me qeverinë

Autori?

Autori i këtij gjesti të turpshëm është një afroamerikan, i arrestuar pranë Harlemit, ndërsa përpiqej të ikte, pasi i pati goditur të plagosurit disa herë. Ngjarja bën pjesë në serinë e sulmeve antisemite, që ndodhën ditët e fundit në New York. Kërkohet krijimi i një task force, për t’i bërë ballë  intolerancës - me tolerancë zero!

29 dhjetor 2019, 18:14