Kërko

Vatican News
 Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres  (AFP or licensors)

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së: Françesku na ndihmon të promovojmë paqen

Intervistë me Antonio Guterres, në prag të vizitës së Tij në Selinë e Shenjtë, realizuar në bashkëpunim me gazetën “La Stampa”

R. SH. - Vatikan

Paolo Mastrolilli -New York

Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterrez do të takohet, në Romë, me Papën Françesku, që ka qenë gjithnjë zë i fuqishëm në mbrojtje   të multilateralizmit dhe të përpjekjeve humanitare. Me Burrin, që përsërit vazhdimisht se duhen ndërtuar ura, jo mure.  Për çfarë do të diskutoni me Françeskun e si mund t’ju ndihmojë për zgjidhjen e problemeve  të Kombeve të Bashkuara?

“Desha ta takoj Atin e Shenjtë, që t’i shpreh vlerësimin tim për punën e tij. Eshtë zë i fortë, kur bëhet fjalë për krizën klimaterike, për varfërinë  e pabarazinë, multilateralizmin, mbrojtjen e refugjatëve e të migrantëve, çarmatimin e shumë e shumë çështje të tjera, tejet të rëndësishme. Përmes punës së tij, Papa po kontribuon për realizimin e shumë objektivave tona, duke përfshirë edhe problemet për zhvillimin e qëndrueshëm, luftën kundër ndryshimeve klimaterike dhe promovimin e kulturës së paqes. Të ndërtosh ura është analogji e mirë, ndërsa diskutojmë për problemet që sapo i përmenda. Shpresoj të zbuloj sesi mund ta forcojmë bashkëpunimin tonë për të bërë pikërisht këtë: për të ndërtuar ura, që të kemi më tepër rezultate për njerëzit, të cilët kanë më shumë nevojë”.

Liria e fesë kërcënohet në mbarë botën: cilat janë  ndikimet negative të këtij kërcënimi e si duhet përballuar?

“Liria e fesë është argument tjetër, që shpresoj ta diskutoj me Papën Françesku. Më shqetëson shumë thellimi i intolerancës, që nuk i kursen as sulmet e drejtpërdrejta kundër njerëzve, bazuar vetëm në besimet e tyre fetare ose në lidhjen me grupe të natyrave të ndryshme. Sulmet vdekjeprurëse kundër xhamive në Zelandën e Re, kundër sinagogave në SHBA-të dhe bombardimet, për Pashkë, në Sri Lanka, tregojnë qartë sa urgjente është të veprohet që të gjithë, pavarësisht nga besimi fetar, të mund t’i gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre. Larmia është pasuri, jo kërcënim. Më pëlcet zemra kur shikoj një mori njerëzish të poshtëruar, të nëpërkëmbur e të sulmuar publikisht, vetëm për shkak të fesë. Hebrenjtë vriten në sinagoga, varret e tyre zhgarraviten me kryqe të thyera naziste; myslimanët vriten duke u falur në xhami, vendet e tyre të shenjta vandalizohen;  të krishterët mbyten duke u lutur, kishat e tyre kallen flakë. Muajt e fundit propozova dy nisma; një plan aksioni për të mbështetur përpjekjet lidhur me mbrojtjen e qendrave fetare, e një tjetër, për të mbrojtur të drejtën e lirisë fetare; është strategji në nivel të sistemit të OKB-së, për të përballuar çështjet e urrejtjes. Në bashkëpunim me Përfaqësuesin tim të Lartë për Aleancën e qytetërimeve, plani i aksionit synon t’i mbështesë Shtetet anëtare në pëpjekjen për të garantuar kushtet, që besimtarët të mund t’i ndjekin ritet e tyre në paqe. Shtëpitë e kultit, në mbarë botën, duhet të jenë parajsa të sigurta për reflektim e paqe, jo vende ku shkon gjaku rrëke e ku vijon terrori. Kemi nevojë edhe për shumë investime në kohezionin shoqëror, për të garantuar që bashkësitë e ndryshme ta ndjejnë se identiteti i tyre respektohet e se edhe ato e respektojnë identitetin e të tjerëve.  Deklarata e kohëve të fundit e Atit të Shenjtë, Papës Françesku dhe Imamit të Madh të al-Azhar, profesor Dr. Ahmed Mohamed Ahmed el-Tayeb, është kontribut tepër i rëndësishëm për bashkëjetesën paqësore, respektin reciprok dhe mirëkuptimin ndërmjet bashkësive fetare në botë. Shkollimi duhet të jetë themelor në përpjekjet tona për ta luftuar përhapjen e urrejtjes. Mendoj të organizoj një konferencë mbi rolin e edukimit, për të përballuar goditjet kundër këtij  fenomeni”.

Migrimet globale janë çështje me rëndësi të madhe  në Detin Mesdhe e në mbarë botën. Ju e njihni shumë mirë këtë problem, që nga çasti kur nisët punën e Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për  refugjatët. Çfarë duhet të bëjë Bashkimi Evropian për t’i ndihmuar vendet në vijë të parë  për përballimin e Çështjes së migracionit?

“Ndërsa flasim, më se 70 milionë njerëz detyrohen të shpërngulen, dyfishi  në krahasim me 20 vjet më parë e 2,3 milionë më shumë se një vit më parë. Numër  tronditës e shqetësues. Konfliktet bëhen gjithnjë më të dendura e më të ndërlikuara, ashtu si dhe ndryshimet klimaterike, shtimi i popullsisë, urbanizimi i shpejtë dhe pasiguria ushqimore. E, për fat të keq, duhet të parashikojmë se shpërnguljet e detyruara do të vijojnë. Numri i të shpërngulurve është rritur me shpejtësi shumë më të madhe, sesa aftësitë tona për gjetjen e rrugëzgjidhje afatgjata. Më 17 dhjetor, në Gjenevë, liderët botëror do të mblidhen për Forumin Global të Refugjatëve (Global Refugee Forum), mikpritur nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, për të diskutuar lidhur me mënyrat e përballimit të realitetit të sotëm e për t’u përgatitur për sfidat e ardhshme… Besoj se duhet t’i respektojmë premtimet e bëra në Global Compact on Refugees. Duket ta riorganizojmë integritetin e regjimit ndërkombëtar të refugjatëve. E duhet edhe të bashkëpunojmë për t’iu kundërvënë trafikantëve e kriminelëve, që pasurohen mbi kurrizin e njerëzve të ligshtë. Përmbytjet vdekjeprurëse nuk duhet të bëhen normale. E, sidomos, duhen parandaluar shkaqet, që i shtyjnë njerëzit të nisen për shtegtime të tilla kaq të rrezikshme. Derisa  të vijojnë konfliktet, do të vijojë edhe shpërngulja e njerëzve, në kërkim të një jete më të mirë. Bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtar janë themelor për të gjetur rrugëzgjidhje të qëndrueshme për burrat, gratë e fëmijët e prekur nga ky fenomen. Kemi nevojë edhe për bashkëpunimin e Shteteve anëtare. E na duhet edhe një solidaritet evropian me vendet në vijë të parë të këtij fenomeni, si Italia e Greqia”.

16 dhjetor 2019, 15:54