Kërko

Vatican News
Papa Françesku priti në vizitë private ministrin e jashtëm të Kosovës z. Pacolli Papa Françesku priti në vizitë private ministrin e jashtëm të Kosovës z. Pacolli  (@VaticanMedia)

Ministri i jashtëm i Kosovës, Pacolli, tek Papa në Vatikan

Sot, ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, u prit në audiencë private nga Papa Françesku. Siç njofton vetë z. Pacolli në faqen e tij në Facebook, gjatë bisedës u fol për “marrëdhëniet e mira tradicionale e për kontributin e Selisë së Shenjtë në Kosovë, gjatë historisë së saj të trazuar dhe përballë sfidave të tanishme socio-ekonomike”.

R.SH. - Vatikan

Ministri i jashtëm i Kosovës nënvizon se e pati për nder dhe privilegj të përfaqësojë shtetin tek Papa Françesku, të cilit, në emër të popullit të Kosovës, i shprehu vlerësimin për mbështetjen e dhënë. “Diskutuam – shkruan z. Pacolli në Facebook – për rëndësinë e vazhdimit të angazhimit tradicional midis Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Papa Françesku shprehu afërsinë e tij me tërë popullatën e Kosovës dhe lutjet e tij për paqe, tolerancë dhe harmoni multietnike dhe fetare ndërmjet popujve”. Jemi të bekuar e të nderuar, përfundon mesazhin e tij Behgjet Pacolli, për vëmendjen e Papës Françesku ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Pak histori

Kujtojmë se më 25 janar 2018, ministri u prit në Vatikan, ku u takua me kryeipeshkvin Paul Richard Gallagher, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, me të cilin diskutoi për gjendjen në Kosovë dhe për forcimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, sipas një deklarate të atëhershme të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Nga 8 deri më 10 qershorin e këtij viti, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, vizitoi dioqezën Prizren-Prishtinë, me ftesë të ipeshkvit, imzot Dodë Gjergji. Kremtoi meshën në solemnitetin e Rrëshajëve dhe shuguroi sërish katedralen e Prizrenit, kushtuar Zojës Ndihmëtare, pas përfundimit të restaurimit. Kardinali Parolin u prit edhe nga autoritetet e vendit, përfshirë ministrin Pacolli.

16 dhjetor 2019, 19:35