Kërko

copti.jpg

Isis: 11 të krishterë vriten në Nigeri si hakmarrje për al-Bagdadin

Isis bëri të njohur një video, me të cilin tregon vrasjen e 11 të krishterëve, si hakmarrje për vdekjen e “Kalifit”, al-Bagdadi dhe të zëdhënësit të tij.

R.SH. - Vatikan

11 të krishterë vriten nga terroristët e Isisit. Lajmi i trishtë bëhet i njohur nga vetë organizata e terrorit me një video publikuar në internet e njoftuar nga BBC News – Afrika. Sipas xhihadistëve, ky aksion është pjesë e fushatës së “hakmarrjes” për vrasjen e liderit të tyre, Abu Bakr al-Bagdadi dhe të zëdhënësit të tij, Abul-Hasan al-Muhaxhir, në tetor, në Siri. Nuk jepen hollësi të tjera për viktimat, të gjithë meshkuj, por Isis pohon se janë “kapur gjatë javëve të fundit”, në shtetin verilindor të Bornos, në Nigeri.

Videoja prej 56 sekondash është vënë në rrjet nga Amaq, agjencia e shtypit e organizatës terroriste, dhe sipas analistëve, është publikuar enkas dje që të përkojë me kremtimet e Krishtlindjes. Në të shihet një zonë, që nuk mund të identifikohet. Një nga të krishterët, në mes të grupit, goditet për vdekje, ndërsa 10 të tjerët shtyhen përtokë dhe u pritet koka. Që nga vdekja e kreut e të zëdhënësit të Isisit në Siri, xhihadistët kanë ndërmarrë një sërë raprezaljesh, në vende të ndryshme.

27 dhjetor 2019, 15:12