Kërko

belgium-eu-council-1519377489927.jpg

Evropa ka pesë kapituj të hapur, me të cilët duhet të merret urgjentisht

Brexit e pasojat e tij, Green Deal, migracioni, Ballkani dhe bilanci: me këto fronte do të përballet udha e ardhshme e Bashkimit Evropian. Konferenca për të ardhmen e Evropës, e cila do të fillojë në pranverën e vitit 2020, duhet t’i paraqesë këto çështje si parësore. Për një “shtëpi të përbashkët” që funksionon, në shërbim të qytetarëve evropianë.

R.SH. - Vatikan

Janë të paktën pesë, kapitujt e hapur të politikës evropiane, që do të kërkojnë propozime të mençura dhe vendime të përbashkëta ndërmjet institucioneve të Bashkimit Evropian (Parlamenti, Këshilli, Komisioni) dhe qeverive të vendeve anëtare, gjatë vitit të ri 2020.

Brexit

         I pari, dhe më i rëndësishmi, ka të bëjë me Brexit, pra, me daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga “shtëpia e Brukselit”. Me votën e 12 dhjetorit, britanikët i dhanë shumicën absolute kryeministrit Boris Johnson, i cili – dihet më së miri - pati premtuar, duke u betuar me kokën e tij, se do ta nxirrte ishullin nga Bashkimi Evropian që në fund të tetorit të kaluar. Tani, nuk ka më justifikime. Largimi i Londrës do të konsiderohet një sukses - nëse mund të themi kështu - i nacionalizmit të përtej La Manshës, i vajosur me një dozë të mirë populizmi të papërgjegjshëm, që po përhapet në gjithë kontinentin. Pasojat e Brexit do të jenë serioze, si për ishullin (i cili do të jetë më i vetmuar), ashtu edhe për Evropën në tërësi. Por, vendimi demokratik i britanikëve duhet respektuar. Me kusht që të realizohet sa më shpejt. Për më shumë se tri vjet, qeveria britanike i ka dhënë shah mat gjithë politikës së Brukselit, të cilit i është dashur të përqëndrohet kryesisht në këtë “divorc”, në vend që të merret me problemet dhe interesat e qytetarëve evropianë. Tani është koha për ta zgjidhur këtë punë përfundimisht: BE-ja dhe Londra duhet të përcaktojnë sa më shpejt një protokoll të gjerë dhe të hollësishëm për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen, duke mbrojtur evropianët, që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Kështu, të gjithë mund të vazhdojnë rrugën e tyre, duke mbetur miq dhe partnerë biznesi.

Green Deal apo Pakti i Gjelbër

         Kapitulli i dytë ka të bëjë me të ashtuquajturin “Green Deal”, “Paktin e Gjelbër” për ta bërë Evropën, brenda vitit 2050, një kontinent neutral nga pikpamja e emetimit të gazeve, që shkaktojnë efektin serë. Këshilli Evropian i 12-13 dhjetorit duhej të hapte dritën jeshile për një proces të gjatë dhe të ndërlikuar, i cili duhej të siguronte hyrjen e ekonomisë dhe të mënyrës së jetesës së Bashkimit Evropian në këtë rrugë. Por, obstruksionizmi i Polonisë, e cila varet pothuajse tërësisht nga karburantet fosile, si edhe aspekte të tjera teknike delikate (siç është roli i energjisë bërthamore, apo qëndrimi ndaj të ashtuquajturave “investime të gjelbra”) kërkojnë hapa e studime të mëtejshme. Parlamenti dhe Komisioni Evropian po bëjnë presion në këtë drejtim; 27 qeveritë frenojnë. Gjithsesi, rruga për një Evropë “të pastër” është e pakthyeshme, pavarësisht nga dështimi i COP25 në Madrid dhe nga ndotja, që i shkaktojnë mjedisit të mëdhenjtë e botës si Kina, SHBA-të dhe Rusia.

Migracioni

         Pika e tretë: migracioni, që natyrisht, nuk mund të arkivohet, sepse zbarkimet vazhdojnë e, bashkë me to, edhe vdekjet në det, por edhe, sepse pritja dhe integrimi i emigrantëve vazhdojnë të rëndojnë kryesisht mbi Italinë, Greqinë, Maltën dhe Spanjën. Nevojitet një reformë e Marrëveshjes së Dublinit për t’i dhënë përgjigje solidare (detyrimisht solidare) migracionit. Edhe në këtë rast, kundërshtimi i disa shteteve, duke filluar nga ata të Vishegradit, duhet kapërcyer, ndoshta, duke e lidhur shpërndarjen e fondeve strukturore me respektin për rregullat e BE-së: me të gjitha rregullat, përfshirë administrimin e përbashkët të flukseve migratore.

Ballkani dhe integrimi evropian

         E nuk duhen nënvlerësuar as marrëdhëniet BE-Ballkan - elementi i katërt i listës së kapitujve më të rëndësishëm për politikën e ardhshme evropiane. Qeveritë e vendeve anëtare, mbledhur në Këshill, nuk lejuan fillimin e negociatave për pranimin e Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Por, Ballkani është pjesë e Evropës, zonë që duhet shoqëruar drejt demokracisë së plotë, mbrojtjes së të drejtave themelore, luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Është edhe në interesin e Evropës të ketë fqinjë politikisht të qëndrueshëm, ekonomikisht në rritje, shoqërisht të përparuar.

Kuadri Financiar Shumëvjeçar, pra, buxheti i BE-së

         Kapitulli i pestë, por jo i fundit, është i ashtuquajturi KFSH, Kuadri Financiar Shumëvjeçar, pra, buxheti i BE-së për periudhën 2021-2027. Nevojiten investime për t’u bërë ballë kapitujve të mëparshëm dhe kompetencave të shumta të Bashkimit Evropian, që nga mbështetja ekonomike e deri tek ndihma për rajonet më pak të zhvilluara, që nga politikat kulturore për rininë e nga ambienti e deri te siguria, që nga puna kërkimore-shkencore tek energjia... Të gjitha këto kërkojnë një buxhet jo të vogël. Qeveritë e vendeve anëtare, të cilat shpesh e fajësojnë BE-në për mëkatin e mosveprimit, duhet t’i sigurojnë Brukselit fondet e nevojshme. Populizmi i disa drejtuesve politikë arrin kulmin pikërisht kur e ngarkojnë Bashkimin Evropian me detyra e faje, por i mohojnë aftësinë për të ndërhyrë në sektorë strategjikë për jetën e qytetarëve, të familjeve e të bizneseve, sepse caktojnë për këtë një buxhet tejet modest, baraz me 1% të Prodhimit të Brendshëm Brut Evropian.

         Mbi bazën e këtyre pikave do të matet rruga e Bashkimit Evropian në muajt e ardhshëm. E Konferenca për të ardhmen e Evropës, që do të fillojë në vitin 2020, duhet t’i vendosë të gjitha këto çështje në rendin e ditës. Për një BE që funksionon, në shërbim të evropianëve.

30 dhjetor 2019, 12:53