Zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar Zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar 

Zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar. Kardinali Nichols: të shikohet gjithnjë e mira e tjetrit

Në Mbretërinë e Bashkuar, fitorja e konservatorëve në zgjedhjet e 12 dhjetorit pasqyrohet tani në një datë: Londra do t’i thotë lamtumirë Brukselit brenda 31 janarit 2020. Kardinali Vincent Nichols nxit t’i jepet fund klimës “së helmatisur”, që sundon kohët e fundit në vend.

R. SH. - Vatikan

Pas votimit në favor të konservatorëve dhe të mbështetjes së qartë të një kryeministri të vendosur për ta vulosur divorcin nga Bashkimi Evropian, duken tashmë të padiskutueshme hapat e ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar. Kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi se Londra do ta nderojë mandatin “dërmues” marrë nga populli anglez e këtë do ta bëjë më 31 janarin e ardhshëm,

BE: Londra ta miratojë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur

Bashkimi Evropian, ndërkaq, është gati për të diskutuar aspektet e Brexit. Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi se pret që Parlamenti britanik të ratifikojë sa më shpejt që të jetë e mundur marrëveshjen paraprake. Këshilli Evropian ripohon edhe dëshirën për të vendosur një marrëdhënie sa më të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar, në vijë me deklaratën politike e duke respektuar edhe vijat udhëheqëse si dhe deklaratat e Këshillit.

Përgëzimet e Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ishte nga të parët që shprehën kënaqësinë për rezultatin: “Britania e Madhe dhe SHBA-të - shkroi në Twitter - do të jenë tani të lira të përfundojnë një marrëveshje të gjithnashme tregtare, pas Brexit”. “Kjo marrëveshje - shton në përfundim Trump - ka forcën për të qenë më e gjerë e më fitimprurëse se çdo lloj marrëveshjeje me Bashkimin Evropian”.

Kardinali Nichols uron të jetë një fillesë e re, pas klimës së helmatisur

Duke komentuar rezultatet e votimeve, kardinali Vincent Nichols, kryetar i Konferencës ipeshkvnore në Angli e Uells, deklaroi se “ky rezultat ofron një fillesë të re, që duhet të jetë vërtet e re, shumë më tepër sesa politika”. Hirësia e tij  nxit edhe që të lihet pas shpine klima e helmatisur, e cila vijon të sundojë në vend, me shkëmbim të vazhdueshëm akuzash ndërmjet palëve partiake. “Duhet të shihemi drejt në sy e të kërkojmë  të mirën e tjetrit”- pohon me forcë kardinali Nichols. “Përqendrimi tek e mira e tjetrit - përfundon - është fillesa e re, që duhet të kërkojmë”.

14 dhjetor 2019, 13:58