Kërko

1575117254024.jpg

Tërmeti në Shqipëri: 50 viktima, rreth 2.000 tё plagosur, më se 1200 banesa të dëmtuara

Numri i të vdekurve rritet në 50, i të palosurve në rreth 2.000, operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar. Bilanci paraprak i dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri flet për 5200 të shpërngulur, 1200 banesa të dëmtuara e tani u duhet siguruar të dëmtuarve një çati mbi krye dhe duhet filluar rimëkëmbja e strukturave.

R.SH. - Vatikan

Nga Shqipëria zyrtarisht njoftohet se ka përfunduar operacioni i kërkim-shpëtimit në zonat e Durrësit dhe në Thumanë. Gjatë kërkimeve nga rrënojat janë nxjerrë 50 viktima, ndër të cilët, edhe fëmijë të vegjël e të rinj, 47 persona janë nxjerrë nga rrënojat, 1 humbi jetën si pasojë e aksidentit pas dëmtimit nga tërmeti, 1 u hodh nga lartësia për shkak të panikut, 1 tjetër persona pësoi infrakt pas goditjeve.

Në këtë operacion kanë marrë pjesë rreth 250 efektivë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, mali i Zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut, BE, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe efektivë të tjerë të specializuar në kërkimet e shpëtimit.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë shton se po kryhen saktësimet e fundit të gjeneraliteteve të viktimave, përmes familjarëve të tyre, për të dalë në në listë përfundimtare emërore. Pas kërkimeve të fundit të kryera në hotelin “Mira Mare” nuk është gjendur asnjë trup. Pas kërkim-shpëtimit në terren, ekspertë shqiptar e vendas kanë nisur punën për verifikimet e dëmeve në terren

Emrat e viktimave përditësohen në media, në një listë të trishtueshme, që vijon të zgjatet. Sipas të dhënave zyrtare, banesat e dëmtuara janë më se 1200 e rreth 5200, të shpërngulurit, që, tani për tani, strehohen në çadra, por me dimrin përpara, duhet pa tjetër të kalojnë në struktura më të ngrohta e më të qëndrueshme. Prandaj, qeveria e Tiranës ka filluar zhvendosjen e njerëzve nga tendat në hotele, ose në qendra mikpritjeje. Frika mbetet. Kush kalon poshtë pallateve 12-katëshe në bregdetin e Durrësit, duket sikur sfidon papërgjegjshëm fatin, pasi nga çasti në çast, nuk dihet ç’mund të ndodhë me to, sidomos në këtë fazë, kur lëkundjet vazhdojnë.

Situata vazhdon të jetë kritike

Situata pas tërmetit vazhdon të jetë mjaft kritike, njerëzit presin një strehim më të sigurt e më të përshtatshëm. Sidoqoftë, tërmeti i tmerrshëm la pas viktima, të lënduar, dëme e shumë kujtime të trishta dhe dhimbje që nuk do të harrohen kurrë. Tërmeti me magnitudë 6.4 ballë, i shkallës Rihter, që ka prekur Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, konsiderohet si një nga tërmetet më të fuqishme. Zona e Durrësit ka pësuar pasojat më të mëdha, qyteti është me rrugë të boshatisura, me pallate pjesërisht të rrënuara. Sipas njoftimeve nga vendi, banorët janë larguar drejt vendeve që konsiderohen më të sigurta. Kisha katolike pёrmes Caritasit e komuniteteve tё Kishave famullitare ёshtё pranё tё dёmtuarve nga tërmeti me ndihma tё ndryshme dhe afёrsi vёllazёrore.

Edhe dëm turistik, përveç atij ekonomik

Tërmeti shkaktoi një dëm ekonomik të pallogaritshëm edhe nga pikpamja turistike. Nëntë muajt e parë të vitit, gati 5 milion e gjysëm turistë kanë vizituar Shqipërinë, por është e vështirë të mendohet tani nëse do të jetë e mundur të mbahen këto shifra edhe në të ardhmen. E pavarësisht se ushqime kanë ardhur me shumicë, duket se shpërndarja lë për të dëshiruar. Mediat e huaja vënë në dukje radhët dhe shtyrjet për të marrë një copë bukë.

 Ndërkaq, megjithë ceremoninë në Varrezat e Dëshmorëve, Shqipëria i kaloi festat e nëntorit në zi kombëtare dhe në gjendje të jashtëzakonshme në Durrës, Tiranë e Laç. Por, ka edhe shpresë. Fillon gara e solidaritetit për të rimëkëmbur vendin e për të ndihmuar të pastrehët. Shteti shqiptar ka vënë në dispozicion llogari bankare, që mund të gjenden në platformën dixhitale të Shqipërisë (e-albania.al)  e, siç ju njoftuam dje, edhe Karitasi Shqiptar po mbledh fonde përmes llogarive në lek, euro dhe dollarë, që mund t’i gjeni në faqen e tij të internetit “caritasalbania.org”.

Dëshmitë e të mbijetuarve

Bashkëpunëtori ynë Elidon Dodaj, i cili është njëkohësisht përgjegjës për Karitasin e Tiranës, ka qenë këto ditë i pranishëm në terren, së bashku me vullnetarët e ardhur nga të gjitha dioqezat e Shqipërisë. Me mikrofon në dorë, ai mblodhi për ne dëshmitë e të mbijetuarve, “mes shumë emocionesh”, siç shkruan vetë, ndërsa na dërgon materialin. Ta dëgjojmë…

Dëgjo fëmijët, të rinjtë e familjet nga kampi i Thumanës...

Ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj

Në mikrofonin e Elidon Dodajt, edhe ministri i brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, drejtpërdrejt nga Thumana…

Dëgjo ministrin e brendshëm Sandër Lleshaj...
29 nëntor 2019, 13:52