Kërko

Vatican News

Tërmeti në Shqipëri: gjendje emergjence në Tiranë e Durrës

“I kemi kaluar vitet ’90 duke ndërtuar pa asnjë lloj autorizimi, kudo, në male, në qytete e në bregdet: sot paguajmë pasojat”: kështu deklaron kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë me gazetën italiane “Corriere della Sera”.

R.SH. - Vatikan

Një ditë pas tërmetit, Shqipëria zgjohet në zi. Qeveria deklaroi sot gjendjen e emergjencës në Tiranë e Durrës. Kryeministri Edi Rama shpjegoi se kjo masë do të mbetet në fuqi për 30 ditë. Ditë zie, përveçse në Shqipëri, edhe në Kosovë, e cila dërgoi menjëherë ndihmën e parë për vëllezërit nga ana tjetër e kufirit. Anulohet edhe pritja shtetërore për kremtimin e Ditës së Pavarësisë.

Erion Veliaj: paguajmë pasojat e ndërtimeve pa kriter

         Ndërkaq, grupet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë të gërmojnë në rrënoja për të gjetur njerëzit e mbetur nën to. Numri i viktimave është rritur në 26, por fatkeqësisht, bilanci është i destinuar të ndryshojë. E ndërsa popullsia bën ç’është e mundur për të treguar solidaritetin e saj në këtë tragjedi kolektive, që po përballohet edhe me ndihmën e vendeve të tjera, ndokush vë në dukje arsyet e shembjes së disa ndërtesave, pikërisht në zonën e Durrësit, sidomos në bregdet. “I kemi kaluar vitet ’90 duke ndërtuar pa asnjë lloj autorizimi, kudo, në male, në qytete e në bregdet: sot paguajmë pasojat”: kështu deklaron kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë me gazetën italiane “Corriere della Sera”. Edhe në Tiranë, nënvizon, ka pasur dëme materiale, pasi rreth 500 shtëpi janë shkatërruar, ose dëmtuar rëndë. Pikërisht në spitalin e Tiranës kanë kaluar më se 650 vetë, të plagosur rëndë a lehtë gjatë tërmetit. Për disa, në gjendje tepër të rëndë, mendohet dërgimi në Itali, për t’u trajtuar në spitale më të specializuara.

Tërmeti i shkaktuar nga lëvizja e një pllake tektonike 85 km

         Lëkundjet e tokës vazhdojnë, ndonëse tërmetet e mëpasme nga ai i djeshmi janë më të vogla. Sipas Institutit italian të Gjeofizikës e të Vullkanologjisë, tërmeti është shkaktuar nga lëvizja e një pllake tektonike, 85 km të gjatë, që shtrihet nga Veriperëndimi në Juglindje të vendit, ndërmjet qyteteve të Durrësit e të Lushnjës. Akoma nuk është aktivizuar plotësisht. Po kjo pllakë, që përbën bërthamën e Albanideve, shkaktoi edhe tërmetin prej 5,8 ballësh, 21 shtatorin e kaluar.

27 nëntor 2019, 14:00