Kërko

 Karitasi, në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti Karitasi, në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti 

Mijëra fëmijë shqiptarë presin ndihmë materiale dhe mbështetje psikologjike

Tërmeti në Shqipëri: Save the Children “nëntë mijë fëmijë, së bashku me familjet e tyre, kanë nevojë për ndihmë materiale dhe mbështetje psikologjike”.

R. SH. - Vatikan

Ndërsa në Shqipëri toka vijon të dridhet, mbi të vijojnë të dridhen edhe  nëntëmijë fëmijë që, së bashku me familjet e tyre, kanë nevojë të ngutshme për ndihma materiale dhe mbështetje psikologjike. Alarmin e jep Save the Children (Shpëtoni Fëmijët), që nënvizon se ndërmjet viktimave janë më se 4 të mitur, duke shtuar edhe se numri i njerëzve të plagosur, gjithnjë në rritje, deri tani ka arritur në më se 675 vetë. Lëkundjet e forta dhe të vazhdueshme vijojnë t’i dëmtojnë spitalet dhe strukturat shëndetësore të ndihmës së shpejtë, duke e bërë akoma më të vështirë mundësinë për t’u dhënë ndihmë mjekësore njerëzve të plagosur, që kanë shumë nevojë për të. Sipas Anila Meços, drejtoreshë e Save the Children Albania, shoqata ndërkombëtare në ndihmë të fëmijëve po angazhohet aktualisht në terren, ku po punon  në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë, për vlerësimin e përgjithshëm të nevojave që kanë katër zonat më të dëmtuara: Durrësi, Tirana, Shijaku dhe Fushë Kruja.

“Fëmijët, të cilët e provuan mbi lëkurën e tyre tmerrin e tërmetit  - kujton - vijojnë të tronditen thellësisht, sa herë që toka rifillon t’u lëkundet nën këmbë. Duket sikur kanë harruar të flasin e, kur u zgjidhet gjuha, kujtojnë vetëm frikën, që i pushtoi, kur panë ndërtesën ku banonin duke u shkërmoqur e tëra e duke u zhdukur, si në përrallë, para syve të tyre të llahtarisur!”.

29 nëntor 2019, 15:20