1574766553856.jpg

Imzot Meta për tërmetin në Shqipëri: “lutje e afërsi konkrete për viktimat e familjet”

Në mikrofonin tonë, sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, shpreh dhimbjen e tij dhe të Kishës Katolike për jetët e humbura, duke kërkuar lutje e duke nënvizuar nevojën për të ngushëlluar e ndihmuar familjet.

R.SH. - Vatikan

Tërmet prej 6.5 ballësh në Shqipëri, në orën 4 të mëngjesit, me epiqendër në Shijak. Durrësi dhe zonat përreth kanë pësuar shumë dëme e, fatkeqëisht, bilanci i viktimave vazhdon të rritet nga ora në orë. Për të mos folur për tmerrin, që përjetuan të gjithë banorët edhe pas lëkundjes kryesore, për shkak të valëve të mëpasme, që u ndienë deri në Pulja të Italisë. Pikërisht 40 vjet më parë, në vitin 1979, një tërmet edhe më i madh se ky pati goditur zonën e Shkodrës, duke bërë rrafsh me tokën Bahçallëkun e duke shkaktuar shumë viktima. Pas asaj ngjarjeje tragjike, kjo është hera e parë, që bie një tërmet kaq i madh në Shqipëri.

Në Durrës, akoma po gërmohet në rrënoja, me duar, me shpresën për t’i gjetur njerëzit gjallë. Bilanci i viktimave filloi me 6, pastaj u rrit në 11 e në 13, por është i destinuar të ndryshojë. Më se 600 vetë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Përveç strukturave qeveritare, në vend është e pranishme edhe Kisha, përmes Karitasit e organizmave të tjera kishtare. Është njoftuar Karitasi Evropian, në mënyrë që të tërhiqen edhe ndihma ndërkombëtare. Në mikrofonin tonë, sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, shpreh dhimbjen e tij dhe të Kishës Katolike për jetët e humbura, duke kërkuar lutje e duke nënvizuar nevojën për të ngushëlluar e ndihmuar familjet. Ta dëgjojmë…

Dëgjo imzot Gjergj Metën...
26 nëntor 2019, 12:40