Kërko

Ate Gjon Karma, jezuit Ate Gjon Karma, jezuit 

Atë Gjon Karma, jezuit shqiptar, në përvjetorin e vdekjes

Atë Gjon Karma njihet për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave. Gjatë shtegtimeve me Misionin Shëtitës ndër malësitë e Veriut, predikoi, rrëfeu, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera të mëdha për historinë e këtyre trevave, të cilat gjenden nën titullin "Lettere Edificanti".

R.SH. - Vatikan

Më 15 nëntor kujtojmë përvjetorin e vdekjes së jezuitit shqiptar Atë Gjon Karma, dëshmitar i fesë së krishterë gjatë diktaturës komuniste dhe mbledhës i shquar i folklorit.

Atë Gjon Karma S.J. lindi më 17 maj 1896 në fshatin Guri i Zi, pikërisht në atë fshat ku, mbi rrënojat e Kishës së shkatërruar nga komunistët, jezuitët kanë rindërtuar një nga Kishat e tyre të reja. U përgatit në gjirin e etërve jezuitë, duke ndjekur ndër ta të gjitha ciklet shkollore, derisa u shugurua meshtar, më 29 maj 1920. Në Urdhrin e Jezuitëve u pranua në Goricia të Italisë, ku kishte shkuar të thellonte studimet teologjike. Më pas u kthye në atdhe, për të shërbyer në Tiranë (1932) e në Shkodër, si zëvendës-drejtor i Kolegjës Saveriane (deri më 1935).

Kontributin më të çmuar e dha gjatë shtegtimeve me 'Misionin Shëtitës' të etërve jezuitë ndër malësitë e Veriut, ku predikoi, rrëfeu, shoi mëritë, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera të mëdha njohëse për historinë e këtyre trevave, të cilat studiuesi mund t'i gjejë nën titullin "Lettere Edificanti", vjetar i jezuitëve, që ende mbetet për t'u studiuar. Në këtë vjetar gjinden shkrime të panjohura të Atë Gjon Karmës, që hedhin dritë mbi veprimtarinë e tij si misionar i paqes e i dashurisë ndër malet e egra shqiptare.

Atë Gjon Karma njihet edhe për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave, të cilat nisi t' i botonte në revistat e jezuitëve "Lajmëtari i Zemrës së Krishtit" dhe "LEKA" e më vonë i përmblodhi në veprën "Ndër malet tona", botuar më 1940.

Si të gjithë klerikët shqiptarë, vuajti për një kohë të gjatë ndër burgjet komuniste e ndër kampet e vdekjes. Që nga viti 1946 Iu desh të jetojë gjatё me duar të prangosura.  Sipas tё dhënave tё familjarëve tё jezuitit shqiptar, Atё At Gjon Karma ka vdekur nё shtëpinë e vajzës sё vëllait tё tij nё Shkodër, mё datё 15 nëntor 1975, ёshtё varrosur nё Rrёmaj po nё Shkodër.

Atë Gjon Karma, vuajti dhe u qëndroi besnik mësimeve të Etërve, duke dëshmuar deri në mbarim të jetës fenë në Krishtit e dashurinë për popullin dhe Atdheun, dhe duke krye deri në fund misionin e tij kishtar e kombëtar si meshtar jezuit e njeri i kulturës.

 

15 nëntor 2019, 09:05