Kërko

Vatican News
 Imzot Pjeter Bogdani Imzot Pjeter Bogdani  

Dom Lush Gjergji: Imzot Pjetër BOGDANI bari me vizion evropian

Dom Lush Gjergji: Jeta dhe vepra madhore e Imzot Pjetër Bogdanit nuk mund të kuptohet, edhe më pak të interpretohet, pa dimensionin e thellë të fesë apo besimit në dy drejtime: me Zotin, Krijuesin dhe Shëlbuesin e botës, si dhe me Popullin ilir, arbëror dhe shqiptar, ideale këto që ishin gjithnjë frymëzim i pashtershëm për jetën dhe veprimtarinë e tij në rrethana tejet të vështira, gati të pamundshme.

R.SH. - Vatikan

Me rastin e 330 vjetorit të vdekjes së imzot Pjetër Bogdanin, ipeshkvit, teologut, shkrimtarit e atdhetarit të madh shqiptar, Fondacioni ‘Imzot Lucjan Avgustini’, FILA dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, më 20 nëntorin e klauar organizuan në Tiranë një simpozium shkencor kushtuar këtij kolosi.

Akademia e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Fondacioni Imzot Lucjan Avgustini, përmes personaliteteve të letrave shqipe, solli në vëmendje edhe njëherë, pas 3 shekujsh, kontributin e vyer të një prej klerikëve që identitetin kombëtar, krahas misionit fetar, e pati në qendër të  jetës dhe të veprimtarisë së tij si prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv dhe shqiptar.

Në këtë simpozium, ndër personalitetet e ndryshme që folën për figurën madhore të Imzot Pjetër Bogdanit, ishte edhe dom Lush Gjergji, meshtar nga dioqeza e Prizren-Prishtinës, i cili na dërgon në redaksi shqipe fjalën e tij, të cilën po e botojmë..

Dom Lush Gjergji: Imzot Pjetër BOGDANI,  bari me vizionin  e tij evropian

Imzot Pjetër Bogdani (1625-1689) lindi në “Guri ndë Hasit” në vitin 1625 dhe vdiq në Prishtinë në vitin 1689. Ishte meshtar, ipeshkëv, veprimtar i dalluar, atdhetar i kulluar, luftëtar për liri, shkrimtar i shquar, raportues i vëmendshëm dhe i saktë nga viset e ndryshme shqiptare, me një fjalë Njeri i Zotit, Kishës dhe Popullit shqiptar.

Vendlindja nuk dihet sot ku gjendet, në Breg të Drinit, në Gjonaj apo diku gjetiu, disa thonë ndoshta në Zym apo në Zhur.  “Guri i Hasit” përmendet qysh në vitin 1330, sot Shëngjeçi, afër Mazrekut, apo Guri, afër Zymit të sotëm. [1]

Nipi i tij Don Gjon Bogdani jep informata që Pjetrin e kishte rritur dhe edukuar  qysh në fëmijëri dhe në rini arqipeshkvi Andre Bogdani (1600-1683),  ungji apo axha i tij, së pari në kolegjin françeskan të Cipovecit (Bullgari), pastaj në Kolegjin ”Illiricum” në Loreto, afro 9 vite, ku edhe ishte shuguruar meshtar në vitin 1649. Më vonë ka vazhduar studimet në “Propaganda Fide”, ku kishte doktoruar filozofinë dhe teologjinë (1655).  Pas shugurimit meshtarak ka shërbye në ipeshkvinë e Pultit, diku gjatë viteve 1651 - 1656.

Në vitin 1656 emërohet arqipeshkëv i Shkodrës, me shërbim 20 vjeçar, pastaj në Tivar në vitin 1677, afro 10 vite , së fundi arqipeshkëv i Shkupi në vitin 1677, për 12 vite, si dhe administrator apostolik i Serbisë dhe Bullgarisë, gati i gjithë Ballkanit.

Jeta dhe vepra madhore e Imzot Pjetër Bogdanit nuk mund të kuptohet, edhe më pak të interpretohet, pa dimensionin e thellë të fesë apo besimit në dy drejtime: me Zotin, Krijuesin dhe Shëlbuesin e botës, si dhe me Popullin ilir, arbëror dhe shqiptar, ideale këto që ishin gjithnjë frymëzim i pashtershëm për jetën dhe veprimtarinë e tij në rrethana tejet të vështira, gati të pamundshme.

Feja dhe jeta me Zotin dëshmohet bindshëm edhe me edukimin dhe thirrjen e tij meshtarake, më vonë ipeshkëvnore, me zellin e tij të jashtëzakonshëm baritor për grigjën e besuar, me përgatitjen e shkëlqyeshme filozofike, teologjike, shpirtërore dhe kulturore të nivelit më të lartë të asaj kohe.

Për shërbimin e tij baritor imzot Pjetër Bogdani pati këto synime:

·        Ruajtjen dhe mbrojtjen e popullit shqiptar nga ndikimet dhe sundimet e huaja;

·        Zhvillimin fetar, shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar;

·        Çlirimin e tij nga robëria e dyfishtë: injoranca, terri, primitivizmi, nëpërmjet zgjimit fetar dhe kombëtar, si parakusht për vetëdijesim dhe çlirim nga sundimi shekullor turko-otoman;

·        Kjo mund të bëhet vetëm me fuqinë e fesë, ngritjen e kulturës, por edhe me luftë të armatosur, vëllazërisht dhe së bashku me aleatët dhe miqtë, sidomos Austro-Hungaria dhe gjenerali Piccolomini.

Mu për këtë Imzot Pjetër Bogdani jetoi me Zotin dhe për Zotin, si njeri i kushtuar, meshtar dhe arqipeshkëv, me Popullin dhe për Popullin, me identifikimin e tij shembullor dhe ungjillor: Fati i Popullit tim është fati im.

Shpresa e tij ishte e mbështetur në fe, në Zotin, dhe në Popullin. Ai ia besonte shpresës këtë mision: çlirimin nga herezitë dhe apostazitë, si dhe sigurinë se binomi fe dhe atdhe, që për të konkretizohen në Zoti dhe Populli, ishte lidhje e pathyeshme, si vetëdije historike, skenderbegiane, por edhe aktuale, kthimin në krishterim dhe në kulturën dhe qytetërimin evropian, ku ishim me shekuj, që nga zanafilla e krishterimit, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë.

Feja dhe shpreso do të ishin të mangëta, deri diku edhe abstrakte, pa zbatimin e dashurisë. Imzot Pjetër Bogdani ishte qenësisht, thellësisht dhe tërësisht i njësuar, bashkuar dhe dashuruar në Zotin dhe në Popullin tonë. Kjo dashuri, me krahët e fesë dhe shpresës, e bënte atë njeri të Zotit dhe të Popullit, veprimtar të shquar dhe te dalluar të kulturës, përpilues të kryeveprës “Çeta e Profetëve”, të shumë letrave, shkrimeve, relacioneve, shënimeve,  dërguar Selisë Shenjte, gati nga të gjitha viset dhe trojet tona.

Bashkëpunimi me kardinalin  Gregorio Barbarigo (1625 -1697),  me të cilin ishte njohur dhe i kishte shërbye në Romë, ishte frytdhënës. Ai ishte përgjegjës i Kishës katolike për çështje lindore, dhe si i tillë kishte hapur një shtypshkronjë të veçantë në Padovë, “Tipografia del Seminario”, për botime në gjuhën hebraishte, aramaishte dhe arbërishte. Gregorio Barbarigon  ishte mik dhe përkrahës i Pjetër Bogdanit, me këtë edhe i Kishës dhe Popullit tonë, si dhe njeri me erudicion dhe mirësi të madhe, bamirësi, përshpirtëri dhe shenjtëri të dalluar. Mu për këto veçori dhe karakteristika, Papa Shën Gjoni XXIII e ka shpallur shenjt në vitin 1958.

Prej vitit 1686 e tutje arqipeshkvi Pjetër Bogdani merrej intenzivisht me idenë e kryengritjes së armatosur kundër sundimit osman,  në bashkëpunim me gjeneralin Giovanni Norberto  Piccolomini (1650-1689),  me kontributin e pjesëmarrësve tanë.  Në këtë lëmi pati sukses në çlirimin e Prishtinës, por në Prizren mori sëmundjen e mortajës, nga e cila edhe vdiq më 6 dhjetor 1689, ndërsa para disa kohe kishte vdekur edhe gjenerali Piccolomini. Imzot Pjetër Bogdani nuk e kishte lënë të vetmuar Gjeneralin në sëmundje,  por e kishte shoqëruar në Prizren, ia kishte ndarë sakramentet, para vdekjes, në shenjë besnikërie dhe bashkëpunimi. Me vdekjen e këtyre dy kolosëve, Piccolomit dhe Bogdanit, vdiq edhe ideja  dhe organizimi i kryengritjes së armatosur.[2]

Motivet e shkrimit dhe botimit të Çetës së profetëve

1.     Atdheu dhe Populli po digjej në robëri të errësirës, i verbuar me dy mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati dhe mosdija, si pasojë e kësaj edhe robëria. “Pjetër Bogdani shpreh shqetësimin e përhershëm: lufta me “errësirën e paditurisë” si rrezik më i madh për shpirtërat”.[3]

2.     Motivi i dytë nuk ishte lavdia e tij, “por për dobi të shntës fe”.[4]

3.     Për të dhënë një kontribut të madh historik, gjuhësor, patriotik, për vlera të krishtera dhe evropiane, të vërtetat themelore të fesë së krishterë. Vetëdija e tij e lartë fetare, e krishterë, dhe kombëtare, arbërore – shqiptare, e frymëzonin atë për jetë dhe veprim të angazhuar në shumë lëmi.

Kryevepra e tij “Çeta e profetëve” Cuneus prophetarum, është botuar në vitin 1685 në Padovë, pastaj rishtypet  në vitin 1691 dhe 1702 në Venedik, si vepra e parë burimore në gjuhën shqipe, si një lloj përmbledhje – compendium  filozofike, teologjike, letrare, artistike, politike, kulturore, gurthemel i përdorimit dhe përparimit të shqipes së atëhershme. Ai shkruan kështu: “bukur të kumbon e të kallëzon arbënisht”.  Imzot Pjetër Bogdani me kujdes dhe përkushtim të madh kishte gjurmuar, zbuluar dhe shkruar fjalë të vjetra shqipe, kishte krijuar edhe fjalë dhe shprehje të reja, duke begatuar dukshëm gjuhën shqipe, një lloj “kanonizimi” i gjuhës tonë, me të cilën mund të shkruhet dhe të paraqiten përmbajtjet filozofike, teologjike, historike, kulturore, letrare.

Çeta e profetëve konsiderohet edhe një lloj enciklopedie filozofike, teologjike, historike, gjuhësore dhe kombëtare, me dy pjesë kryesore: filozofia dhe teologjia e krishterë dhe jetëshkrimi i Jezu Krishtit, me elemente shtesë edhe të gjeografisë, astronomisë, fizikës, matematikës, letërsisë.

Botimi dygjuhësor i Çetës së Profetëve, shqip dhe italisht, ia mundëson komunikimin me botën e atëhershme, por edhe përdorimin shekullor nëpër universitetet katolike evropiane, si manual i rëndësishëm universitar.

Arqipeshkvi Pjetër Bogdani  ishte klerik, atdhetar, gjuhëtar, dijetar, filozof, teolog,  prozator, poet, luftëtar për liri në të gjitha trojet shqiptare për afro 40 vite.  Mbi të gjitha bari i kujdesshëm për grigjën e besuar, për t’ia mësuar “doktrinën e krishterë”, për t’i mbrojtur nga ortodoksizmi dhe islamizmi. Ai si njeri i “vijës së parë”, pati shumë armiq dhe kundërshtarë, mbi të gjitha osmanët dhe Patrikanën serbo – ortodokse të Pejës. Ishte një vizionar i jashtëzakonshëm pan – ballkanik  për liri, me qëndresë dhe luftë me fuqinë e fesë dhe përkrahjen e atdhedashurisë, që konkretisht domethënë me kulturë dhe qytetërim,  tematikë që edhe sot  është aktuale, për kërkimin dhe në gjetjen e ndonjë zgjedhjeje fatlume dhe përfundimtare për Ballkanin e trazuar.

Vuajtjen e popullit Shqiptar e krahasonte me vuajtjen e vetë Jezu Krishtit dhe të Virgjërës Mari, duke paraparë fitoren, ngjalljen. Ishte thellë i vetëdijshëm për rrënjët dhe prejardhjen ilire dhe arbërore, duke u kujdesur për pastërtinë shpirtërore dhe gjuhësore, apo pastërtinë e zemrës dhe të shpirtit të Shën Marisë Virgjër, që i krahasonte me pamjet e bukura gjeografike dhe historike të trojeve tona.

Ishte një lloj “shtegtari” apo njeriu në ikje dhe në lëvizje, si detyra e bariut për grigjën e besuar, për t’i njohur, parë dhe përkrahur personalisht, por edhe nga përndjekjet e ndryshme turko – otomane.

Si bari i zellshëm, e kishte moton e jetës: “Fati i popullit tim, është fati im”, për ta dëshmuar gjithnjë dashurinë  e paskajshme për Zotin, Kishën, Popullin, por duke përdorur edhe të gjitha mjetet e mundshme për shkollim, arsimim, qytetërim e tij, si ideator dhe idealist i lirisë dhe pavarësisë. Për këto ide përparimtare dhe ideale të larta njerëzore dhe të krishtera, çmonte dhe nderonte shumë lashtësinë dhe martirizimin, autoktoninë e lidhte me aktualitetin, si formues i shpirtit dhe ndërgjegjes shqiptare, hallka e parë,  për t’u bashkuar me popujt e Ballkanit, hallka e dyte, dhe të Evropës, hallka e tretë, në atë që do të duhej të jetë zinxhir i së kaluarës, te tashmes dhe të ardhmes.

Eqrem Çabej thotë që shkrimi i Imzot Pjetër Bogdanit në Çetën e Profetëve është niveli i lartë gjuhësor dhe artistik, ndërsa Dr. N. Jokl e cilëson si monument gjuhësor me vlerë të jashtëzakonshme.

Në një bisedë me Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës, studiuesin e njohur të Pjetër Bogdanite, e pyeta kështu: Për kë e ka shkruar ai librin Çeta e Profetëve, në një kohë të errët për Popullin tonë, kur nuk kishte shkolla, institucione,  populli pothuaj ishte analfabet? Ai më dha këtë përgjigje: edhe atëherë ishte një lloj elite, aristokracie, pra, njerëz të ngritur. Pastaj Bogdani ka dashur ta ngrite nivelin shpirtëror, kulturor dhe gjuhësor të popullit tonë. Mu për këtë ai e ka shkruar dhe botuar këtë libër.

Porosia e jetës dhe veprës së tij

1. Imzot Pjetër Bogdani doli si pishtar i madh në një periudhë të errët dhe shumë të rrezikshme për shuarjen e vetëdijes kombëtare, me këtë edhe të gjuhës, traditës, kulturës, fesë së krishterë, qytetërimit tonë evropian Në këtë këndvështrim ishte largpamës, vizionar dhe profet për kohën dhe rrethanat në të cilat ka jetuar dhe vepruar, por edhe për ne sot. Pa ide, ideale, projekte konkrete, atdhedashuri, mbi të gjitha fe dhe dashuri për Zotin dhe Popullin, nuk ka zhvillim as përparim  të mirëfilltë.

2. Fjalës së shkruar, librit, botimi, dijes,  ia beson detyrën për ta luftuar errësirën, mëkatin, të keqen, robërinë, që të jenë “çeta” që do të luftojnë deri te arritja e lirisë së vërtetë nga e keqja, sundimi i huaj, tjetërsimi, harresa, shkrirja në popull anonim, pa identitet dhe personalitet.

3. Imzot Pjetër Bogdani është njeriu i Zoti dhe Popullit, gjithnjë në lëvizje dhe në kërkim të “grigjës” së kërcënuar dhe të rrezikuar, të tretur, në lidhje të vazhdueshme me Zotin dhe me Popullin tonë. Këtë më së miri e dëshmojnë relacionet e rregullta që ia dërgonte Vatikanit nga çdo vend dh kënd, për çdo çështje të rëndësishme, një lloj  kronike e asaj kohe dhe atyre vendeve ku ishte. Përshkrimet e gjendjes së mjerë ndoshta më së miri mund t’i përmbledhin këto fjalë: “gjithkund vdekje, gjithkund vajë, gjithkund shkretim, gjithkund përndjekje, gjithkund hidhërim...kishat e mbyllura, meshtarët e shpërndarë, populli në ikje... Jam i rrethuar në të gjitha anët dhe është një mrekulli që jam gjallë (1687)”. [5]

Atëherë Imzot Pjetër Bogdani ishte i vetmi arqipeshkëv katolik në Ballkan, shkruante ai, dhe tinëzisht kishte hyrë në Prishtinë të Enjten e Madhe, për shugurimin e vajrave të shenjtë, por nuk e di kush dhe si do t’i shpërndajë dhe përdoroi.

Ai vërtet ishte mbrojtës shembullor i Fesë dhe Popullit, një lloj “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i ri”, në vijën e jetës dhe veprës së tij kombëtare dhe fetare, për ruajtjen dhe ngritjen e tij shpirtërore dhe kulturore. Pa këto relacione, shkrime, raportime, letra, llogaritet diku 308 të tilla, shekulli i 17 – të është për ne shqiptarët i errët, me mungesa të mëdha të burimeve tona. Burimet janë kryesisht turko-otomane, greko-sllave, shpesh me tendenca negative ndaj nesh.

4.Për t’iu ikur kontrollimeve dhe identifikimeve turke, ai vishej si “lypës”, “tevdil” apo si katundar, kremtonte meshën dhe ndante sakramentet në shtëpia private, ishte vazhdimisht aty ku mundej dhe ku kërkohej. Figura e tij në popull ka mbetur si legjendë, me shumë emërtime të shpellave dhe vendstrehimeve të “Bogdanit”, ku ai fshihej dhe punonte, lutej, ndante sakramentet, gjatë natës, ndërsa  gjatë ditës, pushonte dhe planifikonte hapat dhe vizitat baritore.

Flitet në popull që natën i vizitonte të krishterët, ndërsa ditën tërhiqej në male dhe vende të pabanuara, duke u ngritur  në lisa, lidhej për të pushuar dhe për t’u mbrojtur prej bishave të egra. Disa njerëz, duke mos e njohur jetën dhe veprën e tij, ato shpella apo strehime i kanë identifikuar si serbe apo sllave.

5. Ishte një pararendës i iluminizmit ndër ne, deri diku edhe i rilindasëve, duke besuar se shkenca, kultura, dija, shkolla, kultura, qytetërimi, janë armët tona për të ardhur deri te shpëtimi. Themelimi i shkollës shqipe në Janjevë , me 25 nxënës, është një dëshmi bindëse për këtë. Gjatë lëvizjeve të shpeshta nëpër trojet shqiptare, barte me vete libra, dorëshkrime, ndër të cilët ishte edhe gramatika e Imzot Andrea Bogdanit, të cilën e fatkeqësisht e kishte humbur para se të botohej.

6. “Dija dhe edukimi kishtar” ishin mjete për ta luftuar sundimin turko otoman dhe robërinë nga errësira e mosdijes, si dhe skizmën. Këtë ai i shprehte me identitetin e dyfishtë: clericus et libertas, klerik dhe liri. Mu për këtë  Imzot Pjetër Bogdani “Çetën e Profetëve”  dhe kardinalin Barbarigo e konsideronte si “një krua i gjallë ku mendja dhe shpirti do të gjejnë kënaqësi dhe shqetësim intelektual , ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’ do të shterret lehtë..”; “Varkë e Noes, strehim i sigurt për çdo njeri të pikëlluar, në të cilin unë vet, i trazuar nga uji i furishëm i persekutimeve otomane, gjeta hyrje të sigurt”, apo “ky libër do të jetë një kontribut në arsimimin e njerëzve nga i cili shenjat e shtypit, sikur rrezet e dritës, do t’u përhapin njohuritë e fshehtësive të fesë tonë të shenjt”,  6  gjithsesi  ogurmirë për Fe dhe Komb.

Ai trinomin: feja, kombi dhe kultura,  i vlerëson që mund të jenë fuqi shpëtimtare nga gjendja e errësirës, robërisë, mosdijes dhe braktisjes së fesë së krishterë, rrezikim dhe shkrirje e ndjenjave kombëtare.

7. Imzot Pjetër Bogdani ishte besimtar dhe atdhetar i kulluar dhe shumë i dalluar, gjithnjë i frymëzuar dhe në veprim. Ideja e tij për bashkëpunim dhe solidaritet mes popujve, sidomos në luftë kundër robërisë dhe në kërkim të lirisë dhe pavarësisë, kishte nevojë për një organizim gjithëballkanik, si parakusht për të arritur deri te bashkëpunimi me popuj evropianë.  

8. Ai me jetën dhe veprën e tij na ktheu edhe një herë në “djepin” tonë të natyrshëm dhe të lashtë ilir, arbëror dhe shqiptar, evropian dhe kristian, aty ku ishim prej zanafillës së krishterimit, me Shën Palin dhe nxënësit e tij.

                Vdekja dhe varrosja – zhvarrosja e Imzot  Pjetër BOGDANIT:

Duke u tërhequr përfundimisht në Prizren (mendohet për Imzot Pjetër Bogdanin, vr. ime), Atdheu i tij së bashku me fort të përndritshmin zotëri Gjeneralin Piccolomini për të pushuar pak, u sëmua i Përndritshmi me infektim, dhe pasi dëshironte ta përcillte atë deri ne ofshamën e fundit, u infektua edhe ai me të njëjtën sëmundje të murtajës, dhe për pesë ditë ia dorëzoi shpirtin Zotit në Prishtinë më 6 dhjetor të këtij muaji, i paisur me të gjitha sakramentet dhe i përkujdesur nga atë Cofferi i Shoqërisë së Jezusit.

Kufoma e tij që varrosur në Xhaminë Perandorake “Imperia Moschea” të atij vendi e bërë Kishë e re apo rishtas me titullin e Shën Fran Ksaverit dhe me pjesëmarrje të shumicës së klerit të tij,  si dhe qe përcjell me nderime dhe dhembje  jo vetëm nga kleri i tij, por nga mbarë krishterimi për humbjen e Bariut të kujdesshëm, i cili në atë anë ka lënë shembull të mirë për t’u imituar...”  7

Për zhvarrosjen e Imzot Pjetër Bogdanit:

Shosh i Pultit, 20. XII. 1698

Gjergj Bogdani, nipi i Pjetër Bogdanit, misionar në Janjevë dhe Administrator i Prishtinës dhe i Vuçiternës, shkruan për krimet e tmerrshme që i kanë bërë turqit familjes së tij, pikërisht Gjonit, vëllait të tij, si edhe për kufomën e zhvarrosur të Pjetër Bogdanit, e cila iu hodh qenëve derisa e mbante ende mitrën mbi kokë...”  8

Imzot Pjetër Bogdani s’ka as varr, janë zhdukur edhe eshtrat e tij, si edhe të shumë kolosëve tanë. Fati ynë i mjerë. Megjithatë mbetet jeta e tij shembullore, përkushtimi i tij madhor, shkrimet, relacionet, veprat e tij, si dëshmi e pamohueshme e kujdesit dhe dashurisë së  madhe për Zotin, Kishën, Popullin shqiptar, si model shërbimi dhe

 

flijimi. Edhe me 330 vjetorin e vdekjes së tij, këtë Akademi përkujtimore, shpresoj dhe uroj se po “ngjallet” Imzot Pjetër Bogdani ynë, në mendjet dhe zemrat tona, për të jetuar mbi të gjitha në amshim, pastaj  edhe në Kishën dhe Popullin tonë.                                                                                                               

Motoja e Çetës së profetëve “Salva nos Domine, perimus” – Na shpëto, o Zot, u zhdukëm, (krh.. Mt 8, 23 – 27; Mk 4, 35-41; Lk 8, 22-25), mbetet klithje feje dhe shprese, dëshmi dashurie, gjithnjë në emër të Kishës dhe Popullit, drejtuar Zotit, pra, si e tillë aktuale për të gjithë ne.

Tiranë, 20 nëntor 2019                                                                   Don Lush GJERGJI

6  Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve, I, Rilindja, Redaksia e Botimeve, Prishtinë, 1989, f. 55; 67; 69.

7 Oddete Marquet, Pjetër Bogdani, Letra dhe Dokumente nga Arkivim i Kongregatës “de Propaganda Fide” si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit, Mediumi Shqiptar, Shtëpia botuese “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 1997, f.  512-513). Krh. Luigi MARLEKAJ, Pietro Bogdani e  l’ Albania del suo tempo, Liantonio Editrice, Palo del Colle (BA), 1989, fq. 166- 167). Ai saktëson edhe më hollësisht vendin e varrosjes së Imzot Pjetër Bogdanit në Kishën e Shën Fran Ksaverit duke shënuar këtë: “në anën e djathtë të Elterit të Madh” (Po aty, f. 166).

8 Odette Marquet, vep. e  cit. f. 516; Luigj Marlekaj, vep. e cit. f. 167.

 

[1]  Krh. Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, DRITA. 1992, f.197.

[2] Krh. Gaspër Gjini, vep. e cit., f. 197-198.

[3] Pjetër Bogdani, përgatitur nga Odette Marquet, Letërshkëmbim, Ipeshkëv i Shkodrës dhe Administrator i Arkipeshkvisë së Tivarit, 1660-1670, Botimet IDK, Tiranë, 2016, f. 20.

[4] Kr. Prof. dr. Arshi Pipa, Bogdani dhe gjuha shqipe, në Imzot Pjetër Bogdani në New York, Seminari për Imzot Pjetër Bogdanin, Fordgam University, 7 tetor 1989, New York, Botues Tonin Mirakaj,  2009, f. 78-87.

[5] At Danjel Gjeçaj, O. F. M., në Imzot Pjetër Bogdani në New York, vep. e cit. f. 64.

25 nëntor 2019, 15:42