Këpucë të kuqe, simbol i thirrjes për t'i dhënë fund dhunës kundër grave Këpucë të kuqe, simbol i thirrjes për t'i dhënë fund dhunës kundër grave 

Dita Botërore kundër Dhunës ndaj Grave: plagë shoqërore për t’u luftuar

Për të luftuar dhunën kundër grave nuk mjafton kujtimi, pavarësisht se është kthyer në simbol botëror e sot, këpucët e kuqe mbushin sheshet në shumë qytete. Duhet rifilluar nga formimi, duke u mësuar fëmijëve respektin për jetën e çdo krijese, që nga ajo e nënës, e cila i ka nxjerrë në dritë.

R.SH. - Vatikan

Shumë, tepër, format e dhunës, që pëson sot një ndër çdo tri gra – madje, shtatë ndër dhjetë gra, në disa rajone të botës. Shifrat të ngjethin mishin: 700 milion vajza të shitura, prej të cilave, 250 milion nën moshën 15 vjeç; 133 milion gra, që i nënshtrohen gjymtimeve gjenitale. Dëshira për t’i dhënë vlerë simbolike luftës kundër një plage, që prek 35% të popullsisë femërore planetare, e nxiti OKB-në të kremtojë çdo 25 nëntor, Ditën Botërore kundër Dhunës ndaj Grave. Data kujton nëntorin e vitit 1960, kur tri aktiviste politike të Republikës Dominikane, motrat Mirabal, u përdhunuan dhe u vranë nga ushtarët e diktatorit Rafael Trujillo.

Të rifillohet nga formimi

Por, për të luftuar dhunën kundër grave nuk mjafton kujtimi, pavarësisht se është kthyer në simbol botëror e sot, këpucët e kuqe mbushin sheshet në shumë qytete. Duhet rifilluar nga formimi, duke u mësuar fëmijëve respektin për jetën e çdo krijese, që nga ajo e nënës, e cila i ka nxjerrë në dritë. Nga ana tjetër, u duhet mësuar vajzave të jenë modele pozitive për bashkësitë, ku jetojnë, të impenjohen për barazinë ndërmjet burrit e gruas.

Mbrojtja e së drejtës për arsim

Krimi kundër gruas nuk është çështje private, por plagë shoqërore, që ka të bëjë me çdo njeri, prandaj, secili duhet ta ngrejë zërin në mbrojtje të atij, që pa të drejtë, është quajtur “seksi i dobët”. Thelbësore për këtë është mbrojtja e së drejtës për arsim të të gjitha vajzave të botës. “Me armë, mund të vriten terroristët, me edukim, vritet çdo formë terrori”: janë fjalë të së resë pakistaneze Malala Yousafzai, Çmim Nobel për Paqen 2014, e impenjuar kundër shtypjes së grave e të vajzave, në favor të së drejtës së tyre për shkollim.

Pasi i shpëtoi plumbit të talebanëve në vitin 2012, Malala dëshmoi me jetën e saj se është e mundur të ndryshohen kushtet e vajzave në Pakistan e, edhe në vendet e tjera të botës. E dëshmojnë këtë edhe gratë kurdo-siriane, të cilat, me krenari, ngrihen kundër çdo forme të shtypjes e të mizorisë. Këto gra janë në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e lirisë.

Dhuna më e mefshtë kundër grave, në shtëpi

Por dhuna më e mefshtë kundër grave ushtrohet në shtëpi, shpesh, edhe para syve të fëmijëve, nga bashkëshortët, ose nga burra, që nuk pranojnë ndarjen me to, qofshin ish-të fejuar a ish-të martuar e, madje, edhe prindër. Por tani, këto gra, që shpesh varen ekonomikisht prej burrave, po gjejnë guximin për të denoncuar dhunën, diskiminimet e abuzimet kundër tyre.

Rrjet specialistësh rreth gruas, që denoncon

Është themelore, që në çastin kur gruaja vendos të denoncojë agresorin e vet, të mos lihet vetëm, por të mbështetet nga një rrjet i fuqishëm në territor, që nuk është vetëm shteti. Problemet e saj janë të shumëfishta, duke filluar që nga pyetja “kujt t’ia besoj fëmijët?”, tek problemet ekonomike, tek reagimi i familjarëve e tek vështirësitë psikologjike, me të cilat haset. Prandaj, ajo ka nevojë për një ekip specialistësh, administratorësh, vullnetarësh, për struktura psikologjike, që kanë për detyrë t’i ndihmojnë viktimat ta kuptojnë dhunën e të mos e konsiderojnë normale diçka, që nuk është e tillë. Përveç kësaj, është e domosdoshme të ndërhyhet edhe kundër dhunës më të hollë, kundër kërcënimeve me natyrë psikologjike dhe ekonomike.

Politikës i takon hapi i fundit

 E pastaj, hapi i fundit: kalimi nga e drejta tek politika, pasi nevojiten ligje për të mbrojtur dinjitetin e grave, por edhe për t’i përfshirë ato sërish në shoqëri, në punë, për të luftuar diskriminimet, për të vlerësuar lidhjet familjare dhe për të ngritur një strukturë solidare shërbimesh për familjen dhe individin.

25 nëntor 2019, 17:45