Kërko

Muro-Berlino-1961-costruzione-Benauer-strasse.jpg

“Bernauer Straße. Përtej Murit”: histori të Berlinit të ndarë

Në prag të 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, reflektojmë për jetën e berlinezëve lindorë, përmes një libri të frymëzuar nga ngjarje të vërteta, përjetuar në Lindje gjatë 28 vjetëve, kur tullat, telat me gjemba dhe ushtarët gati për të qëlluar, ndanë njerëzit, dashuritë e tyre, dhimbjet dhe vdekjet, por forcuan rebelimin e guximin, miqësinë e përkushtimin për njëri-tjetrin.

R.SH. - Vatikan

Më 9 nëntor, ditën e shtunë, bota do të kujtojë 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Ndoshta, nuk është i nevojshëm një libër për të kujtuar historinë e ndarjes së Berlinit më dysh e, edhe historinë e ndarjes së Evropës në Perëndim e në Lindje. Muri i Berlinit ishte, pa dyshim, simboli që dëshmonte se andej e këndej atij kufiri të urryer, gjallonin dy botë të ndryshme, dy ideologji, dy qëndrime të kundërta ndaj popullsisë, ndaj lirisë, ndaj ndërgjegjes. Por sigurisht që mund të përdoret një libër për të përkujtuar atë datë të shënuar të 9 nëntorit të 30 viteve më parë, kur ajo barrierë u shemb, duke u lënë vendin festimeve, njerëzve që përqafoheshin pas një kohe të gjatë, atyre që ngjiteshin mbi ato tulla e llaç, të cilat u kishin penguar të shihnin nga njëra anë tek tjetra, për të kënduar, për t’u hedhur, për të brohoritur. Ishte 9 nëntori i vitit 1989. Binte Muri famëkeq i Berlinit e bashkë me të “Perdja e hekurt”, që ndau komunizmin lindor nga demokracitë perëndimore, por përçau edhe familje, largoi të fejuar, bëri që një popull t’i kthente grykën e pushkës atij, që deri dje, ishte fqinji në rrugën përballë.

Radhët në Berlinin Lindor
Radhët në Berlinin Lindor

Pse “Bernauer Straße”?

 Është pikërisht një rrugë, që i jep titullin librit, për të cilin duam të flasim sot. Është rruga e ndarjes, ajo “Bernauer Straße”, në anën jugore të së cilës, gjarpëronte kufiri ndërmjet dy Gjermanive. Ndërtesat e rrugës ndodheshin në Berlinin Lindor, ndërsa trotuari, në Berlinin Perëndimor. Pikërisht për këtë, “Bernauer Straße”, siç shkruan në librin me të njëjtin titull, autorja e tij italiane, Alessandra De Gaetano, ishte teatër i ikjeve të shumta drejt Perëndimit. Në 120 faqet e tij, vëllimi “Bernauer Straße. Përtej Murit” përpiqet të tregojë, me histori e ngjarje të vërteta - natyrisht, të romancuara - jetën e 28 viteve, që berlinezët lindorë kaluan me atë Mur para syve, i cili e pati ndryshuar edhe hartën e Berlinit. 155 km i gjatë, 4 metra i lartë, ndau 193 rrugë, mbylli 13 stacione të 4 linjave të metropolitanës dhe të 8 linjave të trenave të shpejtë. E kush nuk i kujton të ashtuquajturat “stacione fantazmë”, mbyllur e vulosur që të kalonte Madhëria e Tij… Muri i Berlinit.

Muri i Berlinit i ndau njerëzit për së gjalli
Muri i Berlinit i ndau njerëzit për së gjalli

Drama të vërteta, me njerëz të vërtetë

 Me të janë të lidhura dramat e personazheve të librit: Eva dhe Markus, të fejuar e të ndarë, pasi ai u kthye në Perëndim e ajo ndenji me të ëmën, në Lindje; Ingrid dhe Franz, vëllezër rebelë, organizatorë të ikjeve nga socializmi real i së ashtuquajturës Republika Demokratike e Gjermanisë, që fillimisht ndihmuan disa familje të zbrisnin me litarë nga një pallat i “Bernauer Straße” e pastaj, gërmuan një tunel për të dalë në Berlinin Perëndimor; Ralf, një baba, i cili fsheh të rinjtë, që duan të ikin, nga “vopos”, policët e regjimit e, për këtë, përfundon në qelitë e torturës së Stasit, policisë sekrete të Gjermanisë Lindore.

Me kazmë kundër Murit të Berlinit
Me kazmë kundër Murit të Berlinit

Përvjetori i 20-të i rënies së Murit të Berlinit

 Deri në atë kalim simbolik, përmes së çarës së parë të Murit, hapur më 9 nëntor 1989, në Bornholmer Straße, që 20 vjet më vonë, do të kapërcehej nga kancelarja Angela Merkel, përkrah liderit të Perestrojkës sovjetike, Mikhail Gorbaçov e atij të kthesës demokratike polake, Lech Walesa. E gjithnjë Merkel, lindur në Lindjen komuniste e zgjedhur pastaj, kancelare e Gjermanisë së bashkuar, shtyu simbolikisht gurët e mëdhenj të dominosë, që të kujtonin gurët e Murit të Berlinit, vendosur për një kilometër e gjysëm përgjatë lumit Sprea, pikturuar nga studentët e kryeqytetit gjerman, me ndihmën e personaliteteve të kalibrit të Nelson Mandelës e të vetë Walesës. Alessandra De Gaetano e pasqyron këtë 20-vjetor në libër, sepse ka qenë vetë e pranishme e, madje, ka dhënë një informacion të hollësishëm edhe për Radio Vatikanin.

Para Portës së Brandeburgut
Para Portës së Brandeburgut

Për të kujtuar

Flet për fjalët e kancelares Merkel, e cila theksonte se bashkimi i Gjermanisë nuk ishte akoma i plotë, pasi papunësia në Gjermaninë lindore ishte dy herë më e lartë se ajo në Gjermaninë perëndimore. Por, ajo grua e lindur nën diktaturë, do të arrinte ta plotësonte bashkimin e atdheut të saj të dashur. Atëherë, krerët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian u mblodhën në festë me 100 mijë njerëz, para Portës së Brandeburgut, jo thjesht për fjalime e fishekzjarrë, por për të kujtuar ato vite të errta kur Muri ishte në këmbë, që të mos përsëriten më. Për të kujtuar jetën e përditshme të mijëra berlinezëve, në zymtësinë e frikën më të thellë; për të kujtuar njerëzimin e plagosur nga çarja në mes të Evropës; për të kujtuar edhe se, pavarësisht nga diktaturat më mizore, si ajo komuniste, njerëzit e Lindjes nuk hoqën dorë nga pasuria më e çmuar: liria. Vërtet, në letrat e të fejuarve, që autorja përshkruan në librin e vet, fraza që përsëritet më shpesh tingëllon, pak a shumë, kështu: “Vështroj qiellin, sepse e di se e sheh edhe ti e aty, vështrimet tona mund të takohen të lira”.

Alessandra De Gaetano
Alessandra De Gaetano

Pse bota nuk duhet të harrojë?

Qe dëshira për ndryshim, ndjenja e fuqishme për të rifituar lirinë, forca e lidhjeve të miqësisë, solidariteti, prirja për t’i mbrojtur e për t’i kuptuar edhe ata, përtej murit, që nuk i njeh e nuk i di, ilaçi më i fuqishëm kundër helmit të shpërndarë kudo nga Muri i Berlinit. E pse duhet treguar kjo histori sot, ndërsa bota përgatitet të kremtojë 30-vjetorin e rënies së Perdes së Hekurt? Të dëgjojmë Alessandra De Gaetano-n, autoren e librit “Bernauer Straße. Përtej Murit”, e cila kur ky Mur ra, ishte vetëm 10 vjeç:

Besoj se në këtë faqe të shekullit XX, si në shumë të tjera, ka një mësim historik. Që vuajtjet e gjermanëve të Berlinit Lindor dhe plagët e së kaluarës së tyre të mos jenë të kota, duhet të mësojmë të ndërtojmë ura dhe të prishim mure. Fatkeqësisht, Evropa dhe bota vazhdojnë, edhe sot, të ndahen me mure dhe tela me gjemba: mjafton të mendojmë për murin ndërmjet Hungarisë, Serbisë dhe Kroacisë; mjafton të kujtojmë Izraelin, Meksikën. Të mendojmë për muret e detit, si ato kundër migrantëve dhe për muret e zjarrit, ato të konflikteve të armatosura.

Besoj se historitë e këtij romani janë dëshmi se e vetmja rrugë, që mund të përshkojë njerëzimi nuk është ajo e ndarjes, e shtypjes, e diktaturës, por ajo e respektimit të të drejtave të njeriut, të lirisë personale, ajo e bashkimit dhe e ribashkimit. Më pëlqen të kujtoj fjalët e Gjon Palit II, që personazhet e romanit tim e kanë në zemër. Ata kujtojnë fjalimin, që mbajti më 1996, para Portës së Brandenburgut, si edhe parrullën e tij: “Liri e bashkuar me të vërtetën”. Ai që pati punuar, që nga zgjedhja e tij, për të përhapur një mesazh lirie dhe shprese; ai, që nuk u befasua nga rënia e Murit të Berlinit; ai, që mbi gjithçka, bëri të kuptoheshin fajet e regjimeve totalitare.

08 nëntor 2019, 11:48