Varreza Teutonike në Vatikan Varreza Teutonike në Vatikan 

Antologji e vogël kushtuar “Të shuemve”

Një antologji e vogël, nga letërsia shqipe, kushtuar kujtimit të të shuarve, duke u nisur nga mitologjia e maleve, deri në poezinë moderne, në shenjë kujtimi për të dashurit, që nuk janë më mes nesh, me besimin se tani gëzojnë Dritën e Zotit

Vdekja e ringjallja në mitologjinë e gjallë të maleve.

Kulti i të vdekunvet

Kulti i të vdekunvet ndër malet e kanunit âsht teprica mâ arkaike e fisevet hindo-europjane, ruejtë besnikisht vetëm ndër këto malet t’ona. Në shkojsh në Mirditë, ke për t’a pám të vdekunin veshë e mbathë me mâ të burrnueshmet petka, mbështetë më nji kathedër e grát e shoqnís palë e palë përvajshëm tue hjekë vallen e përmortëshme. Në shkojsh në Malsi të Madhe, ké për t’i pám burrat e fisit çetë çetë tue i u avitë të vdekunit, ndërsa brimtari i çetës me nji zâ të thekshëm, tue thirrë me emën të vdekunin, nisë gjamën me fjalët: I mjeri unë për ty, miku i em !  I mjeri unë për ata sy të verbue, për atë gojë të shkrumue, për at shtat të rrxue ! Ti ndera e konakut, ti shtylla e bajrakut, ti prita e mizorit, ti forca e llogorit, ti ndera e miq’et etj. e kështu kambë-kambë prap tue i u avitë të vdekunit, ndjekë fjalët tjera mâ të thekëshme, mâ të bukura ku të jén, mâ kreshniket për burrin e shuem.

        Shungullojnë malet në Dukagjin kur t’i dalë zâni fisit, se vdiq bajraktari, ndonji krye a çdo burrë tjetër. Skena të përshkrueme prej klasikvet të vjetër për kultin e të vdekunvet, këtu shifen krejt të gjalla, të pandryshueshme. Ndërsa te shtëpija duhet me i zgjithë shpirtin të vekunit tue prém berre te leshta për miq qi vijnë me pám, atje te vorret kur baret vigu, gjama gjamën s’e pret. Me mbetë njerí pa mend për tanë at nderim qi kanë këto male për të vdekun. Me hap të thekshëm, lëvizje trupi e krahësh e fytyre krejt symetrike, thue se po e shofin atje në nën-jetë shpirtin e të vdekunit tue ndêjë me hijet e të Parvet, lagje mbas lagjesh aviten gjamatarët, do tue i rám përsipri, do tjerë përtej tue lëmuem tokën; tjerët në kambë tue rrahë parzmat e gjithmonë tue përsëritun po ato fjalë: I mjeri unë për ty, vllau i em, mjeri unë, ooo !  Veshë me petkat mâ të bukurat në jetë të vet e me armët e brezit e të krahut ngjat vehtes, nën hijen e ndonjij blini jetik, rrin i vdekuni si në të mbështetun, rrethuem prej gravet, qi kur prâjnë gjamët e burravet, me fjalët mâ të bukurat, burrat tue ndigjuem e ato tue êndë fjalet, përmendin punët e mira të tijat e të të Parvet të tij, të shumtën e herës me nji rend fjalësh aq poetike, sa me u a pasë mâ i miri poet lakmí. Ndërsa të Parët e vllaznija e vdekunit presin e përcjellin miqt qi kanë ardhë me e pàm, e tue ndêjë në kambë me mâ të madhen njerzi, per çdo shërbim, qi lypë i vdekuni në natën e vetme. Mbassi të kén kaluem trí orë natë, shtîhet në vorr, ku përsëritet bestytnija e të vdekunvet si n’ato kohët e parahindo-europjane me i shtîm pare në gojë të vdekunit për urën qi do të kalojë, mbassi t’i kén shtruem shtrojë, qi liturgija mijëvjeçare urdhnon për ketë rasë, lëkurën e njij berri të leshët.

        Qysh në rektim të dekës, rreth së cilës kohë bashkohen hijet e të Parvet për t’i a bâm vdekjen mâ t’ambël e me i prîm në tjetrën jetë njeriut te vet, e deri në të tretën ditë mbassi të vorrohet, ku qiten petkat e tija, prap i bâhen gjamë; nji varg bestytnísh kryhet ritualisht për rreth të të vdekunit me mâ të madhen vêmendje. Kur të jét tue hjekë, duhet me e sjellë të vdekunin me fytyrë prej të lemit të diellit. Porsa të qitet vigu jashta dere së shtëpis, duhet me e mbyllë dhe me e ckatë me brisk derën e shtëpis.  Tri herë do të zbulohet fytyra e të vdekunit në vorr, e atëherë rreth e për qark i qitet duhan për aromë, ndërsa nji njeri do të rrijë gati për të shkyem nji copë pëlhurë, e në qofte famull kripit te paprém, kumbara i merr flokët. Në të tretën ditë, nji njeri do t’i sillet për tri herë rresht vorrit tue filluem n’e djathtën. Kur të fillohet me u çelë vorri, nji mâ plaku e merr kazmën me duer mbas shpine e nisë me bâ spari katër shêjet e vorrit, mandej e tretë kazmën: të rijtë rrijnë gati e nisin me çelë vorrin. Sa herë të shëndrrohen puntorët, duhet me i a vûm mendjen mirë mos me ia dhânë shoqit veglat në dorë, po me ia lëshue në tokë, dhe prej toke i merr tjetri.

        Po u martue nje vejan, n’atë minutë qi të vijë nusja te shtëpia e burrit, nji njeri i shtëpis shkon te vorri i grues së parë dhe lëshon do uj, qi mos të marrë vorri flakë.

        Ditën e të bjerrvet  - dita  e të Shuemvet  -  tanë Dukagjini do të japë ndonji lëmoshë te vorret e të  Parvet për shpirtën të të bjerrvet. Me shkuem ndër katunde të Mërturit, edhe sot shifen tue zie mazë ndër vorre për t’ua shpërndám të vorfënvet, qi të thirrun herë prej njenit herë prej tjetrit, bashkojnë kosha me bukë, djathë, tlyen, kos, duhan, kështeja dhe gjithnduer pêmësh, pse âsht detyrë shejte qi shka të qesë toka, me u a shpërndám të vorfënvet te vorret për shpirtënt e të bjerrvet.

Mbledhur nga Atë Bernardin Palaj

 

Hijet e të vdekurve në mitologjinë e Maleve të Shqipërisë1

        Malsorët e Malsisë së Madhe besojnë se njeriu pas vdekjes ruan  hijen  e vet, e cila endet nepër ato vende ku ay pat zakon të shkonte në ketë jetë. Me fjalë të tjera, ata pranojnë një gjendje të tretë e të ndërmjeme, që nuk ësht më jeta tokësore, por as edhe gjëndja e palëndët e shpirtit kur zgjidhet e shkoqet prej pështjelljes së trupit njerëzor. Kjo hije i përshtatet saktësisht hijes së systemit të mytologjisë pagane, ku ajo që quhej hije nuk ishte as shpirt as trup, por një qënje e ndërmjeme. Njeriu, kështu i ndrruar, ruan pamjen e tij të parë dhe hija e tij, pa u larguar nga vendet ku pat jetuar i gjalli, shkon e endet nepër fusha e male duke përshkuar shum a pak atë rrymë të jetës që kalonte në ketë botë. Kështu banorët e Malsisë së Vogël besojnë edhe se kur dikush jep shpirt, hija e tij shkon në mes të natës te prifti për t’u rrëfyer.

        Kur në mes të natës lehin qent e njëj lagjeje dhe malsorët dalin jashtë e nuk shohin njeri, atëherë thonë se janë hijet e të vdekurvet, të cilat vinë t’i shprehin shpirtit të ndonjëj të gjalli se i ka ardhur ora të vdesë.

        Dhe shpirtrat e të vdekurvet vijonë edhe n’atë botë të bëjnë pjesë në familje, të cilën s’e lënë kurr, dhe zakonisht rrinë në krye të vatrës ku janë ngulur dy gurë (përboça). Ay vënd për njerzit e shtëpisë ësht i shenjtë dhe kanë kujdes që të mos derdhin uj ase gjë tjetër për të mos çqetësuar hijet.

        Këto hije nuk e lënë pa ardhur të vizitojnë fisin e vet, sidomos në të kremtet familjare; dhe në gostën e zakonit shtrohen afër vatrës.  Dhe atëherë kur kreu i shtëpisë me të vetët rreth e përqark ndez qirín kushtor, i lë çelur derën dhe gjithë dritaret, prej nga do të hyjnë ata shpirtra të dashur, si besojnë këta Malsorë; në tryezë lihet një vend i lirë, ku ata do t’ulen të marrin pjesë me ta bashkë në gëzimin e shtëpisë. Këta shpirtra janë për ta si hije mbrojtëse sikurse lares të kohvet të lashta ndër Romakë.

        Sikurse të moçmit kishin hijen e panginjur që kërkonte gjak e ahmarrje, kështu edhe në këto male besohet se shpirtrat e atyre që kanë vdekur me vdekje të përdhunshme, i ndjekin n’atë jetë shpirtrat e gjaksvet të tyre, mun ashtu sikurse thotë Platoni në librin e IX të ligjvet të tija.

 1 Mbledhur nga  dr. Ernest  Cozzi, prift misionar në malet e Veriut e më vonë, Delegat i Selisë Papnore në Shkodër. Fragmenti u shkëput nga përshkrimi i tij me titull “Credenze e superstizioni nelle Montagne dell’Albania”, botuar më 1914 në të përkohshmen “Anthropos” që delte në Vjenë.

Atë Gjergj Fishta "‘Burrnija’


Qitë dhambët përjashta, porsi lata t' prehta
Zgaverr kërçikët e plasaritët shtanguem,
Kosën pështetun përmbi kocka t'ngrehta
                                 T' cepit t' shpulpuem,
2. Atje n' moje t’mjerueme t' rruzullimit,
Zymtë e me ‘i hije t’trishtueme, t’ përmnershme
Lshue krahëve' i havër t'zezë, si re thellimit,
                                Rrin Deka e tmershme.
3 Prej avisit t’ humnereve t’ zgavrrueme
Këthelltë në rrashtë të thát, plot mizorí,
Të hapët tërthoren e natyrës s’ krijueme

                                    Kundron me mni,
4 E idhtë asa' i kercnohet. Nji t’ perqethët
Acarr, atë botë, natyrës i shkon, n’ per tejza,
Amull të cillët mbrendë ia ngurron të njethët
                                            E jetës ndër fejza.
5 Me u zbé nisë rrezja shi n’ krue t’ vet shkëlqyeshem
Brés dryshku njeshet, n’atë shauret mbi rrota
Së moknes s’ rrokullís e boshtit rryeshëm

                                           I vjen rreth bota.
6 Felgruemun njerzit nën tiara struken;
Për nën kunora pshtimin ata lypin!
Depertojnë rêt e nalt kah qiella zhduken;

                        N’ angrra t’ dheut zdrypin.
7 Por kot. Mizore ajo kosë t’ vet kah siell,
Shungllon thellimi për nën kupë t’ Empirit;
Gjarpen rrufeja lvitet neper qiell

                                   E nën kambë të nierit.
8 Kthellë shperthen gjini i tokës. Tue bulurue
Gugson Vulkani zhari, flakë e shkndija;
Tallaz m’ tallaz nisë deti me gjimue,
                                   Ulëron stuhija.
9 E para Dekës, atë herë, bijn rob e mbreta;
Shkrehen mbretní, qytetet kulm rroposen;
Shuhen krenija, po, dhe shkimet jeta

                                 Ka' ajo sjell kosën.
10 T’ poshtrat me t’ eprat vise pshtiellen n’ vaj,
E mnertë kah kosa cepit t’dekës të shkulet;
Kah m’ kërdhokla londit kerrçiku i saj

                                   Shekulli përlulet.
11 Vetëm s’ përkulet para Dekës njai trimi,
N’ zêmer t’ cillit nuk randojn punë t’liga,
E qi s’ e ndalë, kû atë ta lypë perlimi,

                                   As paja as friga.
12 Për nen mburojë t’ ndergjegjes s’ vet t’ kullueme;
Atje n’ kufi t’ Atdheut ase në truell
T’ elterit shêjt, pa u tutë, ai Dekes s’ shemtueme

                                    I rrin kundruell.
13 Përpara tij shkon moti tu’ u endun:
Vjen fati i nierit tu’ u terrnue pa dá;
Tash mbreten n’ burg, tash shkartha m’ fron t’ permendu

                                    Kanë për t'u pa.
14 Por, ngulë ai sŷnin n’ ideal t’ naltueshem,
Si ‘i kep, qi vala s’ mundet n’ det m’e lkundun,
Sido qi t’ dajë ndeshtrasha e dheut t’ mjerueshem,

                                    Ngelë m’vend pa u tundun.
15 Jo po: as n’ flakë t’ armëve nuk veton ai sye,
As buzës s’ humneres nuk i dridhet thêmra:
Sheklli, po, mbarë me pasë për t’u shpërthye

                                      S’ i ban lak zemra.
16 Rekton mbarë jeta per nen fyell t’ kerrçik’ e
Të Dekës s’ shemtueme, s’ permnershme, mizore:
Vetëm Burrnija - nji Burrni çelike

                                       Asa’ i rrshet dore.

Dom Lazër Shantoja: ‘Vorr i harruem’
 

E zbét mbí fâng mjerije—n’ket bukrin muej të Prillit
Trishtueshëm âsht tue ramun—e mbramja rreze e diellit,
Nepër t’zymt’ qiparisa—qi mbí kto vorre t’qeta
N’heshtim të përfrigueshëm—mprojtuese deg’t e veta
Kan shtrî, prej flladit t’mbramjes—puth’, ndîhet lét fërshllima,
N’gjasim t’njaj lut’s s’trishtueshme—mrrîn n’vesh e uj’t gurg’llima;
E dielli tash n’e fikun—përshndet’ për t’mbramen herë,
Prej majeve mâ t’largta—kta kryqa t’zez e t’mjerë...
Dhe ty t’përshndet’ sot dielli—n’ket qoshe kaq t’harrueme
Tue t’falë, o rrasë e vogël—nji rreze t’vet t’prarueme;
Ku ty tash sà motmote—kurr peng dashtnije s’t’mrriti,
Ku ty kurrkush nji lule—pik’lodje kurr s’t’a qiti;
E ktu, krejt e braktisun,—ti shndritë, o rras’, n’heshtim
Nën tuba t’shërmashekut[2]—qi ndien për ty përdlim,
Qi t’rrokë, e me nji triskull[3]—njat vend o rras’, stolisë
Ku gjindet emni i bukur—i nji vash’s s’ré ravisë.
N’mâ t’bukrën mosh’ të jetës—q’at her’ kúr gjaku vlon,
E bukur ishe, o vash’—qi nën ket rras’ pushon;
E bukur ishe e e kandshme—e plot me shpres’, haré
Nji rrug’ shtrue krejt me lule—ty t’prîte n’jet’ të ré,
Prej syve t’ú qi shndritshin me njyre t’fjordalizit[4]
I dlírt t’shkëlqente shpirti—ambël vegim Parrizit!...
Shkëlqente besa e zemrës—të cilën ên’ mashtrimi
S’e kishte prek’ me t’ftoftin—aft[5] t’vet porsi akullimi.
Kshtu ti besove, e i ambël—porsi armoní qiellore
T’tinglloi, o vash’, ty zâni—i atij qi nji dashtnore
Bes’ të pat dhân’ me fjalë!...—O e lumja vashë, e lume!
Qi kurr ty gnjimi t’pastrat—s’ká për t’trazuemun gjume,
As kurr mâ s’ké me pámun—si n’gjire t’jet’s kujtime
Hupin t’shêjtnueshme, e s’mbahen—as besa mâ, as prêmtime;
E si n’ket jet’ shum hera—besa s’ká t’gjatun n’veti,
Msá ‘i gjurmë e léht mjes pellgut—qi fshin me shkulme deti!...
E prá kúr ti mâ s’parit—nise, heu vaj! m’u kullë,
E kúr prej syve lodja—t’rigote tue bâ qullë
Kultrën[6] e dhimbës s’ate—o vashë, a thue, n’mend t’bín
Fjal’t qi t’pat folë aq t’ambëla?—E kúr, mizore t’rín
Deka me kos’ t’a kputi—prej dhimbe ‘i zêmër ajë,
U duk se mbí trup t’andin—dote m’u shkrî krejt n’vajë.
Ai kjé qi kúr ty trupin—t’a mbloi e dekës mardha,
Mbí tê nji tub’ t’ erandshme—lshoi drandofillesh t’bardha.
Me at t’puthun t’mram qi ty—t’u duk si vul dashtnijet,
T’ndezun e t’ pashlyeshme—t’mnîshme nuk t’erdhën hijet
E vorrit t’ngritë e t’terrshëm,—e ndoshta n’mende t’ande,
Në vorr i dekës gjumi—s’ t’u duk, vashë, aq i rândë;
Pse sakt ty djali i zemërs—kishte për t’lyp’ der’ vonë,
Me t’kjámun kish përhera—kishte për t’ dasht’ gjithmon’...
Jo! mos u ço prej gjumit,—vashë e trathtueme e shkretë!
Syt mos i çil me pámun—mâ ket t’ zezueme jetë;
Tepër shkretnim rreth vorrit—t’and kishe me pá sot,
Ku ‘i dit’ me lule t’bukra—vjollca e anemona plot,
Fala e erkande bijshin,—ku pá ia dá prej dyllit
Të bekuem, nji drit’ shkelqente—si e pastra rreze e hyllit,
Natën tue t’ ruejtë, o vash’...—Tash shiu tue rá pik’ pikë,
Mbar’ lulet i ká kalbun—e dritën t’a ká fikë;
T’a fiku n’nji nat’ t’ terrshme—duhija kúr pat krisë,
E t’shndritshmin shpirt me ‘i hera—pat dhânun tue lëvisë...
U fik n’gjasim t’ jet’s s’ate—t’jetës kaq vrik t’kalueme,
O vash’, qi të kan qitun—në ket vorrez’ t’harrueme,
Ku, kur deg’t qiparisave—ká me u a rrahun veri;
Ká me t’u ngrîmun shtati—tash t’dridhet krejt i mjeri;
Ku kan me qên’ kaq t’shpeshta—errsinat, qi shkëlqim
Diellit kurrher’ s’i shkyen—e nata pá mbarim!...
Oh! ndoshta prap ti kishe—me i dhânun shfrim lakmimit,
Me e pamun edhe ‘i hera—dritën e kuq’t t’agimit,
Atje mbí balkue t’andin—ku ti ‘i dit’ nadje Prilli,
Nsá rrijshe në mjes t’lulevet—vet’ lule drandofilli,
Nga ‘i sy ti qé soditun—Mù ty me përmallim
Falat e para t’mrrîtne—t’mrrîni mâ i pari urim.
Po tash për ç’pun’ do t’çohesh,—me pá ket vend mbet shkret?
Pse, vashë e mjer’, me kthye—aty ku kush mâ s’ t’ pret?
Pse pré, fantazm’ vorreze—me dasht’ me turbullue
Pagjën e atij qi t’tana—ka nji ka nji harrue
Ká t’koh’s qi shkoi kujtimet—e der’ mbas shpinet qitë
Ká t’folunat mâ t’parat—qi t’prû n’balkue nji ditë?
Pse prá m’i a prishun zemrën—t’pá bes’, por plot haré
Me t’cilën i a ká mbushun—tash nji dashtni mâ e ré?...
Shif, vashë e shkret’, nji hera!—Sodìt, si pá pik’ vshtírit,
Ah! tepër shpejt po u terka—lodja prej syvet t’nirit!
N’lulishta lag’ prej vese—teret krejt kshtu brazimi[7]
Sá nadje veç t’a preke—i rrezes s’xét shkëlqimi.
Jo, mos u ço prej gjumit,—vashë e trathtueme, e mjerë!
Flêj’ t’fortat t’jet’s mashtrime—prap mos i zên nji herë!
Kso dore s’ká pikllimi—mâ zêmrën me t’përshkue
Tu’ e pámun ktu tash vehten—për jetë e mot harrue;
E kshtu mâ s’ké me qamun—idhnueshëm me kujtime
T’zêmrës kaq t’ambla e t’dashtuna—qi t’shpejtat mblojn harrime,
E qi kalojn’ me ‘i hera—pá pas’ qindres’ n’vetveti,
Msá ‘i gjurmë e leht’ mjes pellgut—qi fshin me shkulma deti?
Pushò nën rras’ të vorrit—o e mjera vasha e ime,
Porsi nji ditë, e vogël,—t’nan’s s’ate nën shikime,
N’djep u përkundshe, e mjer’!—Pushò n’ket vorr pá droje:
Ké n’shêj t’dashtnís, t’përdlimit—krygjën e Zotit n’roje...
E me t’përshndetun dielli—ty rrezet prej prendimi
Ká për t’i lshue në koh’ t’mbramjes—përmbî ket vorr harrimi;
Ndërsá ty prej bajamavet—qi vesh’ kaq bukur vera,
Me mija fûza lulesh—tash ká me t’shkundun era!
Të cilat si buz’ foshnjesh—të pastra leht’ tash ulen
N’vorr t’and, e t’bukrin êmën—me puthun tash përkulen.
Ty lulet tuba tuba—(ndërsá kúr t’bije nata,
Prej majes s’qiparisavet—fërshllon n’trishim urata)
Tash t’bijn’, tash t’bijn si topa—bore kryekput s’kullueme,
E tash t’vallojn’ krejt vorrin—ku ti pusho’ e harrueme!...

D. Lazer Shantoja   (Nxjerrë nga «Grueja Shqiptare»)9

 1  fangu: tokë e papunueme.
 2 shermashek (turq.): lerdh, urdh.
 3 triskull-i: degëz e njomë, thupër.
 4 fjordaliz (it.): lil ari.
  5 aft-i: avull.
  6 kultër-a: nënkrejcë, jastëk.
  7 brazim-i: brymë-a.
  8 fûzë-a: grumbuj, tubë.
  9 Shenjim: Në pamundësi me gjetë tekstin origjinal, kjo poemë u mor nga «Shkrimtarët Shqiptarë», pjesa II, Tiranë 1941.

Ernest Koliqi: Lutja e Dëshprueme


Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni nder murâna
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
deshmor’, q’êmën t’lavdíshem keni thadrue n’gojdhâna,
nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.

Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flîni e nuk pushoni
e as deka varrt e shtatit s’ua thau as nuk u a mbylli,
qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli,
a kur nji zhapllim’ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,

ju qi n’msime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnín jetike e patët si mësuese,
ju qi lirín kreshnike zgjedh’ e kishi per nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,

sot n’murâna t’harrueme kërkoni kot pushimin:
ju qi epopé t’ panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.

U rrzuet tue rrokun armën dhe u rrzue me ju fisi;
ato q’ atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku,
parzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por nâma e fatit, nâma qi befas mbi né krisi.

N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjohet kund zâ njerit,
prân’ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin buken,
por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, struken
tue prit’ furín ahmarrse qi t’thej’ t’prîmunt e mnerit.

Jo váj por gjâm e ahte prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona
q’ atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.

O Perendí, na tokën pranuem qi Ti na fale,
n’ tê tash tridhet’ qindvjeta na u end e ndershme jeta,
jetuem m’ kto troje t’ vobta, n’ kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujue larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.

Me mzi strehueme trupin nga shiu e breshni e marrdha,
n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat,
pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat,
pa njoft’ doket e lmueta të kombeve fatbardha.

E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
Qi e zbutshin n’ új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum,
sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjesht‘, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.

Nânat me qumsht’ të pastër andjen n’ shpírt t’on’ dikojshin
me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’ flak t’ dokeve m’ u kndellun e n’ zjarrm t’buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.

O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi,
shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt’ për fmín
e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe se ‘i mik né shpín
na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.

Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lirín e dy gisht nderi n’ shtek t’ballit: s’kishim tjetër:
kto dy të mira zdritshin vobeksín t’on’ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?

Deshmorve u dridhen eshtnat n’ vetmína plot murana

e qetí n’vorr nuk njofin as tash që ata kan’ vdekë:

e, pra, gjat’ jetës luta T’naltuen, Zot, n’qiell’t e gjâna

e n’ shekull udhën t’Ande përhera shkuen tue ndjekë.

Pse nuk ia kput’ Ti kombit vargun e ditve t’zeza?

Pse nânave kërcûna, mbështjellun n’futa zije,

s’ia zbardh’ ftyrat e zêmrat me nji rreze lirije?

Pse nuk i fal’ deshmorve një gjum’ të qet’ n’vorreza?

                                   

                                    28 nanduer 1967

Martin Camaj ‘Vdekje – krizëm’

Vdekje – krizëm

E nji flete gjethi të thatë,

Ku të thom te skaji i dheut

Pa krizantema në dorë më prit.

Prit, dallëndyshë e shtangun

Me fletë mbi valë, frymën time

Për t’u çue në ajër

Me pendlat e korbit të bardhë.

Anton Çefa ‘PAX  VOBIS!’

“Pax vobis ’, kufoma jetësh të zhgënjyeme!”

Pëshpërisin gjuhët e blerta të selvive

E shelqeve u ranë gojët

Në litani mortore pa mbarim.

Mbi eshtna martirësh randojnë

E dridhen prej pezmi gurët e zajeve,

Kullojnë helm kaltërsitë.

 

01 nëntor 2019, 14:40