Kërko

Vatican News
I  Lumi Gjon Duns Skot I Lumi Gjon Duns Skot 

Më 8 nëntor kalendari kishtar përkujton të Lumin Gjonin Duns Skot

Mësues i madh i teologjisë, i quajtur “mendimtar i së ardhmes” nga filozofi gjerman Heidegger, Duns Skot kishte si qëllim të realizonte një sintezë të filozofisë e të teologjisë. Me bindje për epërsinë e dashurisë mbi njohjen e lirinë.

R.SH. - Vatikan

I Lumi Gjoni Duns Skot, teolog i famshëm mesjetar, lindi në vitin 1265 në Skoci, prej nga mori edhe llagapin (mbiembrin) Skot, apos Skocez. Rreth vitit 1280 hyri në Urdhrin Françeskan, ndërsa meshtar u shugurua nga ipeshkvi i Linkolnit në vitin 1291. Studioi për shumë vjet në Universitetin e Kembrixhit e në atë të Parisit.

Teologu i njohur i mesjetës Gjon Duns Skot mes tjerash pohoi: "Besnikëria ndaj Krishtit mund të paguhet me armiqësi e persekutime". Historia e krishterë ka pasur gjithnjë njerëz besnikë ndaj Kishës e ndaj Papës, pavarësisht nga persekutimet. Një nga këta dëshmitarë ishte teologu i famshëm mesjetar, Gjon Duns Skot.

Mësues i madh i teologjisë, i quajtur “mendimtar i së ardhmes” nga filozofi gjerman Martin Heidegger, Duns Skot mund të krahasohet me shën Tomën e Akuinit e më shën Bonaventurën. Qëllimi i tij ishte të realizonte një sintezë të filozofisë e të teologjisë. Me bindje për epërsinë e dashurisë mbi njohjen e lirinë, i Lumi Gjoni Duns Skot e paraqet teologjinë si shkencë praktike, shkencë që i prin njeriut drejt dashurisë.

I mbiquajtur “doktor subtilis” – “dijetar i hollë” për mprehtësinë e tij gjeniale dhe “doktor marianus” – “dijetar marian” për devocionin që pati ndaj Zojës së Bekuar të Papërlyer, zënies pa faj të së cilës i kushtoi një nga veprat e veta më të rëndësishme. Vdiq më 8 nëntor të vitit 1308 në Këln të Gjermanisë. Papa Shën Gjon Pali II e shpalli të Lumtur më 20 mars 1993 duke e quajtur “këngëtar të Fjalës së Mishëruar e mbrojtës të të Zënit të Papërlyer të Marisë. Trupi i tij pushon në kriptën e Kishës së fretërve të vegjël në Këln.

08 nëntor 2019, 14:57