Beteja Beteja 

Me 7 nëntor 1594 u mblodh Kuvendi i Shën Mërisë në Ndërfandën kundër sundimit osman

Me 7 nëntor 1594 u mblodh kuvendi i Shën Mërisë në Ndërfandën për të organizuar dhe drejtuar luftën çlirimtare kundër sundimit osman.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë se më 7 nëntor të vitit 1594, u mblodh në manastirin e Shën Mërisë në Ndërfandën ( disa mendojnë në Mat) një kuvend i përgjithshëm i krerëve shqiptarë për të hartuar projektin e kryengritjes dhe të çlirimit të krejt vendit.

Krerëve shqiptarë, Tom Plezhja e Mark Gjini, të cilët mbanin edhe titullin e kalorësit, si dhe ipeshkvit imzot Nikollë Mekajshi, iu ngarkua detyra të hynin në bisedime me Papën për zbatimin e projektit të kryengritjes.

Fshehtaz Republikës së Venedikut, që nuk donte të prishte paqen me Stambollin, projekti iu paraqit delegatit të papës në shkurt të vitit 1595. Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Romë për të siguruar armë nuk dhanë asnjë fryt. Papa i këshilloi shqiptarët që të prisnin mbasi nuk kishte ardhur koha e duhur. Nga ana tjetër, Venediku, mundi t’i përçajë radhët e pjesëmarrësve të kuvendit duke shfrytëzuar ndikimin e vet mbi disa krerë.

Në qershor të vitit 1595 kur në Shqipëri u mor vesh formimi i koalicionit evropian kundër shtetit osman, krerët shqiptarë njoftuan Papën se shqiptarët katolikë e ortodoksë ishin gati të fillonin kryengritjen sapo të niste lufta. Në të njëjtën kohë edhe në krahinat e Shqipërisë Jugore u bënë përpjekje për të siguruar armë e mjete për kryengritjen nga shtetet evropiane.

                          Kuvendet e shek. XVI

Depërtimi i spahinjve nëpër malësitë e vetëqeverisura, përhapja e sundimit osman, rritja e detyrimeve ndaj fshatarësisë shqiptare, shkaktuan një qëndresë më të fuqishme të malësorëve, gjallëruan lëvizjen e pjesës tjetër të fshatarësisë shqiptare, si dhe përpjekjet e krerëve shqiptarë laikë e fetarë për t’i shndërruar kryengritjet e veçanta të armatosura dhe pakënaqësinë e shqiptarëve në një lëvizje të përgjithshme për çlirim, me një organizim më të lartë e më të gjerë se deri atëherë.

Përvoja luftarake e dështimi i kryengritjeve të shek. XVI u tregoi kryengritësve malësorë se mbrojtja e vetëqeverisjes dhe lufta për çlirim nga zgjedha osmane mund të arriheshin duke bashkuar forcat e tyre me ato të krahinave të tjera, dhe me forma organizative më të përshtatshme. Një formë e tillë u bë në kuvendet shqiptare, që ishin një institucion i ri politik me karakter ndërkrahinor, një bashkim forcash më i lartë e më i gjerë, i cili u arrit mbi bazën e kuvendeve krahinore ekzistuese.

Në kuvendin shqiptar, përveç krerëve të krahinave të vetëqeverisura malore, morën pjesë përfaqësuesit e krahinave të tjera. Me këto kuvende u bashkuan edhe një varg prelatësh katolikë e ortodoksë, interesat e të cilëve, sikurse ato të fshatarësisë, nuk pajtoheshin me sunduesit osmanë.

Kalimi në këtë formë të re organizative prapa së cilës qëndronte fshatarësia dhe krerët e saj laikë e klerikë, e ngriti luftën në një shkallë më të lartë, më të gjerë e më të ashpër, e futi atë në një fazë të re. Malësitë shqiptare, të favorizuara edhe nga terreni malor, u bënë tani qendrat e shtabeve drejtuese dhe vatrat kryesore nga shpërthyen dhe u përhapën në pjesën tjetër të vendit lëvizje kryengritëse të papara deri atëherë për gjerësinë e forcën e tyre.

Përvoja e luftës i mësoi krerët shqiptarë të përqafonin një formë të re lufte për t’i bërë ballë më me sukses fuqisë së madhe të pushtuesve: të bashkonin e të drejtonin nëpërmjet kuvendeve shqiptare të gjitha vatrat e qëndresës shqiptare, dhe të bashkërendonin luftën e tyre për liri me atë të popujve të shtypur të Gadishullit Ballkanik e me luftën e shteteve evropiane për dëbimin e osmanëve nga Evropa.

Në kuvendet shqiptare u hartuan një sërë projektesh. Ato iu drejtuan shteteve evropiane për çlirimin e të gjitha tokave shqiptare. Në promemorjet tregohej gatishmëria e shqiptarëve për luftë, sasia e luftëtarëve, strategjia dhe taktika që do të ndiqej për çlirimin e vendit, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin e kryengritësve me rojtarët e kështjellave, të cilët kishin prejardhje shqiptare. Aty bëheshin përpjekje për t’i bindur qeveritë e shteteve evropiane të ndërmerrnin një aksion kundër Perandorisë Osmane, i cili do të bashkërendohej me veprimet luftarake të kryengritësve shqiptarë dhe ballkanikë. Njëkohësisht kuvendet kërkonin prej tyre edhe armë zjarri, meqenëse me shpatat, heshtat e shigjetat, kryengritësit shqiptarë gjendeshin në kushte inferiore në krahasim me forcat osmane.

Në periudhën midis viteve 1590-1620 u organizuan një varg kuvendesh të tilla. Qendra ku u zhvilluan këto kuvende u bë krahina e Matit. Lufta e kryengritësve të krahinave të veriut e arriti kulmin e vet në vitet 1590-1595, kur 10 000 kryengritës të krahinave malore të sanxhakëve të Ohrit e të Dukagjinit i dëbuan autoritetet e pushtetit osman nga malësitë dhe i shtrinë sulmet në krahinat fqinje. Kryengritja ushtroi një ndikim të madh brenda dhe jashtë kufijve të tokave shqiptare, e në mënyrë të veçantë ajo gjallëroi luftën çlirimtare të popullsisë maqedone.

Në flakën e këtyre kryengritjeve, më 7 nëntor të vitit 1594, u mblodh në manastirin e Shën Mërisë në Mat një kuvend i përgjithshëm i krerëve shqiptarë për të hartuar projektin e kryengritjes dhe të çlirimit të krejt vendit. Krerëve shqiptarë, Tom Plezhja e Mark Gjini, të cilët mbanin edhe titullin e kalorësit, si dhe ipeshkvit Imzot Nikollë Mekajshi, iu ngarkua detyra të hynin në bisedime me Papën për zbatimin e projektit të kryengritjes.

Fshehtaz Republikës së Venedikut, që nuk donte të prishte paqen me Stambollin, projekti iu paraqit delegatit të papës në shkurt të vitit 1595. Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Romë për të siguruar armë nuk dhanë asnjë fryt. Papa i këshilloi shqiptarët që të prisnin mbasi nuk kishte ardhur koha e duhur.

Nga ana tjetër, Venediku, mundi t’i përçajë radhët e pjesëmarrësve të kuvendit duke shfrytëzuar ndikimin e vet mbi disa krerë. Në qershor të vitit 1595 kur në Shqipëri u mor vesh formimi i koalicionit evropian kundër shtetit osman, krerët shqiptarë njoftuan papën se shqiptarët katolikë e ortodoksë ishin gati të fillonin kryengritjen sapo të niste lufta.

Në të njëjtën kohë edhe në krahinat e Shqipërisë Jugore u bënë përpjekje për të siguruar armë e mjete për kryengritjen nga shtetet evropiane. Më 1595, patriku i Ohrit, pasi u kthye nga Moska, shkoi në Butrint dhe, me anën e qeveritarit të Korfuzit, i kërkoi senatit venedikas ndihmë për kryengritjen. Por senati e hodhi poshtë kërkesën e tij.

Armë iu kërkuan edhe Papatit e Spanjës (1596), por Papa nuk dërgoi asnjë ndihmë, duke paraqitur si pretekst shpenzimet e mëdha që bënte në Hungari për luftën e këtij vendi me Perandorinë Osmane. Oborri i Spanjës premtoi dhe nisi një kontingjent të vogël ushtarësh. Gati 10 000 kryengritës të armatosur me jataganë e shigjeta e të nisur nga krahinat rreth e qark Vlorës, e sulmuan ushtrinë osmane në qytet me shpresë se në portin e Vlorës do të vinin ndihmat spanjolle. Por kjo ndërmarrje shkoi kot, se edhe ato armë që ishin nisur u sekuestruan në det prej venedikasve.

Ky qëndrim i shteteve evropiane dhe i Vatikanit, i dëmtoi kryengritjet në Shqipëri, por nuk mundi t’i ndalte përpjekjet për përhapjen e tyre në shumicën e krahinave. Më 1598 u organizua Kuvendi i dytë ndërkrahinor në Blinisht të Zadrimës. Ai iu drejtua për ndihmë perandorit austriak. Venediku kapi përfaqësuesit e kuvendit dhe sabotoi aleancën. Megjithatë ideja e organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme u përhap në krejt tokat shqiptare. Një rol për përhapjen e saj luajtën klerikët e prelatët. Me krerët e prelatët e krahinave të Mbishkodrës dhe të Dukagjinit u bashkuan edhe shumë krerë të krahinave të tjera veriore, të mesme dhe jugore.

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre në vitin 1601 u mbajt një kuvend i madh pranë kishës së Shën Lleshdrit (Aleksandrit) në fshatin Dukagjin. Në punimet e tij, që vazhduan edhe më 1602, morën pjesë 2 656 delegatë laikë e fetarë të ardhur nga 14 krahina të Shqipërisë (nga Malësia e Shkodrës, Zadrima, Dukagjini, Kosova, Lezha, Kurbini, Mati, Dibra, Petrela, Durrësi, Elbasani, Shpati e nga Myzeqeja). Kuvendi u drejtua nga Nikollë Mekajshi, Nikollë Bardhi dhe Gjin Gjergji. Ai mori vendimin ta fillonte luftën për çlirimin e vendit. Këtë vendim historik e nënshkruan 52 krerë kryesorë, 4 nga secila krahinë. Por mbeti si problem sigurimi i aleatëve dhe i armëve.

Për të larguar dyshimet e Venedikut dhe për ta tërhequr atë në anën e vet, kuvendi vendosi këtë radhë t’i drejtohej më parë Republikës së Shën Markut për t’i kërkuar ndihmë dhe armë. Për këtë qëllim dy përfaqësues, Nikollë Bardhi dhe Pal Dukagjini u dërguan në Venedik. Por edhe këtë herë senati i përcolli përfaqësuesit shqiptarë me porosinë e zakonshme për të pritur pasi “nuk kishte ardhur koha për luftë kundër turqve”.

Kuvendi vendosi që t’i niste përsëri dy përfaqësuesit e vet në Venedik për t’i deklaruar senatit se po të mos e ndihmonte lëvizjen e armatosur, të 40 mijë kryengritësit shqiptarë do të ishin të shtrënguar t’i drejtoheshin mbretërisë tjetër evropiane, duke pasur parasysh Spanjën, rivalen e Venedikut. As këto kërcënime nuk e bindën Republikën, e cila më shumë se kurdoherë donte të ruante paqen me osmanët, për arsye se në këtë kohë midis Stambollit dhe Vjenës kishin filluar bisedime për paqe. Edhe këtë herë Republika veproi aty për aty për të mbjellë farën e përçarjes në radhët e udhëheqësve të kuvendit me qëllim që të mënjanonte rrezikun e afrimit të shqiptarëve me Spanjën. Ajo mundi të korruptonte me ar dhe të bënte për vete Nikollë Bardhin e Pal Dukagjinin, si dhe disa krerë të tjerë.

Kështu përpjekjet për të siguruar një aleat të jashtëm aktiv si dhe armë, nuk dhanë asnjë fryt. Situata politike ndërkombëtare nuk ishte e pjekur për veprime luftarake kundër Perandorisë Osmane, sepse, të nisura nga interesat e tyre për të ruajtur paqen me Stambollin, shtetet kryesore evropiane nuk u dhanë shqiptarëve ndihmën e kërkuar.

Nga Shqiperia.com

07 nëntor 2019, 11:45