Kërko

Shën Çeçilia, martire Shën Çeçilia, martire  

Më 22 nëntor kalendari kujton Shën Çeçilien, martire

Historia e martirizimit të saj, ndonëse jo pa mangësi, është nga më të plotat në historinë e martirëve. Shenjtja romake njihet edhe si pajtore qiellore e muzikantëve, sepse në rrëfimin mbi martirizimin e saj shkruhet, ndërmjet tjerash, se kur luante në organo, martirja këndonte vetëm për Zotin.

R.SH. - Vatikan

Historia e martirizimit të saj, ndonëse jo pa mangësi, është nga më të plotat në historinë e martirëve. Çeçilja, e nderuar si martire e si pajtore qiellore e muzikantëve, është një nga shtatë vashat që kujtohen nga Kanuni Romak. Asaj iu kushtua bazilika në Trastevere të Romës, një nga më të lashtat e krishterimit, ngritur rreth vitit 313, në epokën e Kostandinit. E edhe festa e martires është ndër më të lashtat: nisi të kremtohej në bazilikën e saj, që në vitin 545.

Një rrethanë tjetër domethënëse është ajo e varrosjes së martires në katakombet e Shën Kalisitit, fare pranë vendvarrimit që njihej me emrin “Kripta e papëve”. Ishte papa Pasquali I ai që e mbarti trupin e Shenjtores-martire nga katakombet në bazilikën trasteverine.

Shenjtja romake njihet edhe si pajtore qiellore e muzikantëve, sepse në rrëfimin mbi martirizimin e saj shkruhet, ndërmjet tjerash, se kur luante në organo, martirja këndonte vetëm për Zotin.
Në vitin 1500 sarkofagu i saj u hap e trupi i Shenjtores u gjet krejtësisht i paprishur, i mbështjellë me një petk mëndafshi qindisur me ar. Atëherë skulptori i njohur Shtjefën Maderno skaliti në mermer shtatoren e saj të famshme, duke riprodhuar besnikërisht pozicionin e trupit të martires.

Tekste të shumta letrare, pak të besueshme, rrëfejnë një sërë ngjarjesh dramatike nga jeta e Shën Çeçiles. Flasin për tortura të tmerrshme, tregojnë se deshën t’ia presin kokën, por nuk munden, ndonëse i ranë tri herë me shpatë, derisa ajo vetë u lut të merrnin fund torturat. Kulti i shenjtores u përhap menjëherë në shumë vende, për shkak se me martirizimin e saj tronditës, preku thellë zemrat e njerëzve e u bë model për të gjitha virgjërat e krishtera, shumë nga të cilat u pagëzuan e pagëzohen me emrin Çeçile. Shën Çeçilia, që njihet si pajtore muzikantëve dhe e këngëtarëve, ka si simbol lilin (zambakun), organon, llautën dhe palmën e martires.

22 nëntor 2019, 12:23