Kërko

2019.10.07 Beata Maria Vergine del Rosario 2019.10.07 Beata Maria Vergine del Rosario 

Kisha katolike kremton natën e festës së Zojës Rruzare

Lutja e Rruzares Shenjte, së cilës i kushtohet muaji i tetorit, ёshtё një uratё e lashtë, por gjithnjë e re. Është lutja e zemrës, në të cilën përsëritja e “Të falemi Mari” e çon mendimin dhe dashurinë drejt Krishtit, duke u bërë kështu përgjërim plot besim në Nënën e Tij dhe tonën. Është lutje, që na ndihmon të meditojmë mbi Fjalën e Zotit.

R.SH. - Vatikan

Sonte, 6 tetor, Kisha katolike kremton natën e festës së Zojës Rruzare e me këtë festë, Kisha në një farë mënyre përmbledh të gjitha solemnitetet e vitit kushtuar Virgjërës Mari.

Lutja e Rruzares Shenjte, së cilës i kushtohet muaji i tetorit, ёshtё një uratё e lashtë, por gjithnjë e re. Urata e Rruzares Shenjte është pasqyrim i Ungjillit, na njeh me misteret e Krishtit. Është lutja e zemrës, në të cilën përsëritja e “Të falemi Mari” e çon mendimin dhe dashurinë drejt Krishtit, duke u bërë kështu përgjërim plot besim në Nënën e Tij dhe tonën. Është lutje, që na ndihmon të meditojmë mbi Fjalën e Zotit e të marrim Kungimin eukaristik, sipas shembullit të Marisë, e cila ruante në zemër gjithçka bënte e thoshte Jezusi, si edhe vetë praninë e Tij.

Urata e lashtë e Rruzares Shenjte të cilën Kisha na porosit ta lusim çdo ditë për të mirën tonë shpirtërore e të mbarë njerëzimit, na ndihmon të njihemi gjithnjë e më mirë e nga afër me jetën dhe veprën shpëtimprurëse të Jezu Krishtit. Pra, duke lutur uratën e Rruzares Shenjte ne përshkojmë së bashku me Zojën e Bekuar misteret e fesë së krishterë, misteret e Krishtit. Rruzarja mund të themi se është pasqyrim i Ungjillit. 

Nuk mundë të meditojmë mbi Krishtin, përpos pa e ndie në shpirt zërin e Atit Qiellor, sepse “askush nuk e njeh Birin përpos Atit (Mt 11, 27). Krishti kur i pyet apostujt mbi identitetin e tij, pas përgjigjes së Pjetrit thotë: “As mishi as gjaku nuk ta zbuluan këtë por Ati im që është në qiell”(Mt 16, 17). Pra, është e nevojshme shpallja prej së larti, ndërsa për të pranuar është i nevojshëm dëgjimi. Përmes përvojës së heshtjes dhe të lutjes arrihet pjekuria e nevojshme e dijes mbi këtë fshehtësi.

Në vazhdim të lutjes së Rruzares flitet mbi disa momente të rëndësishme nga jeta e Krishtit, edhe atë që nga fillimi i misionit të tij. Përpos që meditojmë mbi mishërimin dhe jetën fëmijërore të Krishtit, për çka flasin shenjat e gëzimit, apo mbi mundimet dhe vdekjen e tij, për çka flasin shenjat e mundimit e deri te Ringjallja triumfale, për çka flasin shenjat e lumturisë, Kisha dëshiron që të meditojmë edhe mbi disa momente nga jeta publike e Krishtit, për çka na flasin shenjat e dritës.
 
Shenjat e gëzimit

Cikli i parë është i karakterizuar me gëzimin për ngjarjen e Mishërimit të Birit të Zotit, Jezu Krishtit. Përshëndetja e Engjëllit Gabriel drejtuar Virgjrës Mari në Nazaret është përshëndetje që shpreh gëzimin mesianik: “Gëzohu o Mari”; në takimin e Marisë me Elizabetën prapë shprehet gëzimi: “Prej gëzimit i kërceu foshnja në kraharor (Lk 1, 44). Pastaj lindja e Jezusit e shpallur prej engjëjve si “gëzim i madh” (Lk 2, 10). Dy shenjat e fundit, paraqitja në tempull dhe gjetja e Krishtit 12-vjeçar në tempull, sa janë momente gëzimi aq janë edhe momente dramatike. Simoni plak profetizon se një shpatë do t`ia shporojë zemrën Zojës, ndërsa Krishti 12-vjeçar në tempull dëgjon, diskuton me dijetarët, në të vërtetë ai përgatitet që me dijeninë hyjnore të mësoj të tjerët.
 
Shenjat e dritës

Prej jetës fëmijërore të Krishtit në Nazaret arrijmë te jeta publike e tij, apo te shenjat që mundë të quhen “shenjat e dritës”. Ai është “Drita e botës” (Gjn 8, 12). Papa zgjedhë këtu momente interesante nga jeta e Krishtit dhe i`a paraqet bashkësisë së krishterë për meditim. Këto janë: 1. Pagëzimi në Jordan (Ati e shpall Jezu Krishtin “Biri im i dashur” (Mt 3, 17); 2. Dëftimi në dasmë në Kanë ( Me intervenimin e Marisë Krishti shndërron ujin në verë dhe të pranishmit aftësohen që të besojnë (Gjn 2, 1-12); 3. Shpallja e Mbretërisë së Hyjit dhe thirrja në kthim (Mk 1, 15), (bëhet fjalë për faljen e mëkateve për të gjithë ata që me fe e pranojnë Krishtin (Mk 2, 3-13; Lk 7, 47-48); 4. Shndërrimi i Krishtit ( Shenjë e dritës shndërrimi i Krishtit para apostujve në malin Tabor. Zoti i porositë apostujt që t`i mbesin besnik Krishtit edhe në momente të vështira (Lk 9, 35); dhe në fund, 5. Themelimi i Eukaristisë (shenjë drite dhe shprehje sakramentale e misterit të pashkëve, sepse, përmes Eukaristisë, Krishti na shndritë duke na ushqyer me Korpin dhe Gjakun e vet. Kështu Ai “deri në fund” e shpreh dashurinë e tij ndaj nesh (Gjn 13, 1).
 
Shenjat e mundimit

Në botën e krishterë gjithmonë janë të pranishme vepra të mëshirshme, përkushti të ndryshme që vijnë në shprehje sidomos gjatë kohës së Kreshmëve, sidomos përmes Udhës së Kryqes, gjatë së cilës meditojmë mbi shenjat e mundimit. Krishti në kopsht të Gjetsemanit ndodhet para gjitha tundimeve dhe mëkateve të njerëzimit për t`i thënë Atit: “U bëftë jo vullnesa ime, por vullnesa jote” (Lk 22, 42). U dorëzohet njerëzve, të cilat e rrahin dhe e mundojnë. Ngjitja e tij në Kalvar me kurorë ferrash në krye, kryqëzimi dhe vdekja e tij në Kryq bëjnë që për Krishtin të thuhet: Ecce homo - Ja njeriu! Kush don ta njohë njeriun, duhet ta ketë të çartë se ai na ka dashur, edhe atë mu deri në Kryq (Fil 2, 8).
 
Shenjat e lumturisë

Meditimi mbi Krishtin nuk guxon të ndalet te fakti se Ai është kryqëzuar, për arsye se edhe më me rëndësi është se Ai është Ringjallur. Përmes meditimit mbi Ringjalljen e tij më mirë e zbulojmë arsyen e fesë sonë. “Sikur Krishti të mos ishte ngjallur i kotë është predikimi ynë - i kotë besimi juaj” shkruan shën Pali ( 1 Kor 15, 14). Në qendrën e këtyre shenjave, pas Ringjalljes dhe Ngritjes në qiell është ardhja e Shpirtit Shenjt Ditën e Rrëshajëve. Apostujt e bashkuar dhe me ta Maria, me fuqinë e Shpirtit të Zotit janë të gatshëm për misionin e ungjillëzimit. Shenja e katërt dhe e pestë, Ngritja e Zojës në qiell dhe kurorëzimi i saj Mbretëreshë e Engjëjve dhe e Shenjtërve, janë si elemente të cilat na bëjnë të kuptojmë se si pjesëtarë të Popullit të Zotit, jemi shtegtarë në histori dhe presim bashkimin në lavdi me Atin qiellor.

Të kërkojnë ndërmjetësimin e Zojës Rruzare, që Zoti të jetë i mëshirshëm për Kishën e vet e t’i japë paqe, Asaj e botës mbarë. 

Lutu, o Nënë, për të gjithë ne! 
Lutu për njerëzimin, që vuan nga mjerimi e padrejtësia, 
nga dhuna e urrejtja, 
nga terrori e luftërat. 
Na ndihmo t'i kundrojmë, me Rruzaren Shenjte, 
misteret e Atij, që është "paqja jonë", 
në mënyrë që të gjithë ta ndjejmë veten të impenjuar në shërbim të paqes. 
O Zojë, Ti më e pastërta nga të gjitha krijesat, 
ndihmoi burrat e gratë e kohëve tona, 
posaçërisht të rinjtë, ta rizbulojnë vlerën e pastërtisë 
e t'i jetojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre me respekt e dashuri të sinqertë.
O Mari, në zemrën tënde jeton përgjithnjë kujtimi i ditës së madhe kur the "Po". 
Ti kthehesh pambarimisht në shtëpinë e vogël të Nazaretit 
dhe mahnitesh përpara Kryeengjëllit Gabriel, 
që të sjell lajmin se Zoti dëshiron të bëhet njeri, si ne. 
E sot ne hyjmë në zemrën tënde, 
për të shijuar mrekullinë që provove atë ditë sa të largët, aqë të afërt, ditën kur the "po". 
Dëshirojmë të jetë dita e "po" sonë, 
e ta themi së bashku me ty, o Mari! 
Mbretëreshë e jetës, lutu për ne, lutu me ne, lutu për jetën! 
Lutu për ne, o Nënë e shpresës, na jep ditë paqeje, 
udhëhiqna në shtegtimin tonë, 
bëj ta shikojmë Birin tënd plot gëzim në qiell! 
Nënë e shenjtë e Shëlbuesit,
shoqëroi hapat tonë në këto ditë të vështira.
Jepi botës dhuratën e paqes! 
Nënë e Zotit, lutu për ne!

06 tetor 2019, 18:14