Kërko

Filloi operacioni ushtarak turk kundër kurdëve Filloi operacioni ushtarak turk kundër kurdëve 

Trupat turke hyjnë në Siri. Atë Lufti: rihapet plaga e shëruar

Presidenti turk Erdogan e kërcënon Evropën se do të dërgojë miliona refugjatë, nëse BE-ja ndërhyn në aksionin e tij kundër kurdëve sirianë. Pikërisht, anëtarët evropianë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkuan një mbledhje urgjente me dyer të mbyllura. “Bombat godasin të gjithë, edhe fëmijët, gratë, të moshuarit” paralajmëron eprori i fretërve të vegjël, atë Lufti.

R.SH. - Vatikan

Në ditën e dytë të operacionit ushtarak turk në verilindje të Sirisë vijojnë bombardimet kundër objektivave kurdë. Në më pak se 24 orë pas fillimit të operacioneve, 109 të vdekur, të cilat presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i quajti “terroristë”. Sot, mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB-së, por Erdogan e ka paralajmëruar bashkësinë ndërkombëtare se çdo ndërhyrje do të jetë me pasoja. Nëse BE-ja na akuzon se e kemi pushtuar Sirinë dhe do të përpiqet ta pengojë operacionin tonë ushtarak, deklaroi ai, “ne do t’i hapim dyert për 3.6 milion refugjatë dhe do t’i dërgojmë tek ju”.

Rusia kërkon dialog

         Nga ana e tij, ministri i jashtëm rus Serghei Lavrov nënvizoi se ndërhyrja e Turqisë në Siri është rezultat i veprimeve të SHBA-së në atë zonë. Rusia, deklaroi ai, do të promovojë dialogun “ndërmjet Damaskut dhe Ankarasë” dhe “kontakte ndërmjet Damaskut dhe grupeve kurde, që heqin dorë nga ekstremizmi dhe taktikat terroriste”.

Asnjë “OK” nga SHBA-të

         Edhe Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo e ngriti zërin, duke theksuar se SHBA-të nuk kanë dhënë asnjë lloj leje për pushtimin e Sirisë. Në një tweet, presidenti amerikan Trump e kërcënon Turqinë me sanksione financiare, nëse nuk do të respektojë rregullat.

Emergjenca humanitare

         Si organizata “Mjekët pa kufi”, ashtu edhe Kryqi i Kuq, paralajmërojnë se mund të krijohet një emergjencë e re humanitare. Eprori i fretërve të vegjël në Rajonin e Shën Palit, që përfshin Sirinë, Libanin dhe Jordaninë, atë Firas Lufti, flet në mikrofonin tonë për këtë mundësi dhe për gjendjen dramatike në zonë:

         Ky sulm, sapo na erdhi lajmi, na kujtoi ngjarjet tragjike të Sirisë, gjatë këtyre nëntë viteve. Nuk kishim nevojë për një masakër tjetër, një shkelje tjetër të së drejtës ndërkombëtare. Turqia nuk është e autorizuar të pushtojë një vend, që gëzon sovranitet, garantuar nga OKB-ja. Pra, nga njëra anë, kjo është e papranueshme. Nga ana tjetër, e dimë se dhuna gjithmonë shkakton dëme në njerëz e infrastruktura, gjithmonë krijon tensione dhe ata, që vuajnë më shumë janë sidomos fëmijët, gratë, të moshuarit dhe të sëmurët. Ndërsa po shpresonim për paqen, për fundin e kësaj drame, më e jashtëzakonshmja e këtij shekulli, hapet një front tjetër dramatik, që krijon vështirësi.

Ajo zonë është me shumicë kurde, por ka edhe të krishterë, arabë dhe asirë... Për cilën pjesë të Sirisë bëhet fjalë?

Për pjesën veriore, i gjithë rripi në kufi me Turqinë. Atje të krishterët ishin shumicë në shekullin XIX. Pastaj, gradualisht, kurdët u shtuan dhe e zëvendësuan bashkësinë e krishterë, që zvogëlohej gjithnjë e më shumë. Për shkak të luftës së fundit në Siri, shumë të krishterë janë larguar, por ka mbetur një bashkësi e përbërë nga një mozaik: asirët, siro-ortodoksët, siro-katolikët e, edhe një bashkësi ortodoksësh armenë dhe katolikësh. Është bashkësi e bukur. Fatkeqësisht, tani, ajo rrezikon të çrrënjoset nga toka e saj e nuk do ta kemi më këtë pjesë themeltare të indit sirian.

A ka rrezik që bombat e plumbat të krijojnë një emergjencë të re humanitare për popullatën e atyre tokave?

Që dje, kanë ardhur lajmet e para për fëmijë të vdekur, për të krishterë ... Bombat nuk bëjnë dallime ndërmjet civilëve të krishterë, kurdë apo myslimanë... ato u bëjnë dëm të gjithëve. Rihapet kështu, ajo plagë, që shpresuam se e kishim shëruar, plaga e luftës. Me siguri do të ketë pasoja dramatike. Sepse as kurdët dhe as bashkësia e krishterë, në asnjë mënyrë, nuk e pranojnë pushtimin e qeverisë turke në territorin e banuar nga sirianët.

Në fund të muajit, është parashikuar një takim i parë për të diskutuar mbi kushtetutën siriane. A është i mundur pajtimi? Cilat janë hapat që duhen bërë?

U njoftua se është formuar komisioni për të diskutuar kushtetutën siriane – natyrisht, nën ombrellën ndërkombëtare të OKB-së – e do të fillojë të diskutojë mbi rolin e presidentit dhe mbi çështje të tjera të rëndësishme... Ndërsa bëhet ky hap i parë drejt pajtimit të vërtetë, mbetet struktura shoqërore, e cila ka nevojë për kohë që të shërojë plagët e luftës: përçarjet për shkak të fesë, të racës ... Çdo plagë ka nevojë për kohë që të shërohet, por edhe për bashkëpunimin e të gjithëve. Emigrimi, emergjenca humanitare është çështje e gjithë botës. Po përmend vetëm një projekt që ne, si françeskanë, e realizojmë në qytetin e Halebit, “Një emër, një e ardhme”. Është projekt për t’i dhënë fund kësaj ndarje brenda shoqërisë. Kemi fëmijë të lindur në luftë, por jo të regjistruar. “Një emër, një e ardhme” u jep identitet këtyre fëmijëve, rezultat i martesave me luftëtarët... Përndryshe, këta fëmijë nuk do të kenë të ardhme. Madje, prania e tyre do të mbetet një bombë, që pret çastin e shpërthimit e mund të bëjë jashtëzakonisht shumë dëme. Paqja, pajtimi është i mundur, por i duhet dhënë një fytyrë kësaj paqeje.

10 tetor 2019, 17:20