Kërko

LIncontri-di-Padre-Gjecovi---Takimet-e-Gjecovit---Zym-Kosovo4aem.jpg

“Takimet e Gjeçovit 2019’’ kujtojnë 90 vjetorin e vrasjes së Atë Shtjefnit në Zym

Më 12 tetor, në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, u mbajt manifestimi tradicional i 48-të “Takimet e Atë Shtjefën Gjeçovit ”, gjatë të cilit sivjet u kujtua 90 vjetori i vrasjes së françeskanit e studiuesin e madh, Atë Shtjefën Konstandin Gjeçovin, në Zym të Prizrenit, më 14 tetor 1929.

R.SH. - Vatikan

Të shtunën më 12 tetor, në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, u mbajt manifestimi tradicional i 48-të “Takimet e Atë Shtjefën Gjeçovit”. Manifestimi me karakter kulturor, shkencor e fetar, sivjet filloi në fshatin Shëngjergj, me përurimin e Muranës së françeskanit Atë Shtjefën Gjeçovit, duke përkujtuar 90 vjetorin e vrasjes së tij, për të vazhduar, me pjesën tjerët të programit, në Zym, ku pati një pjesëmarrje të madhe të qytetarësh nga Kosova, klerikë, motra rregulltare, e personalitete të jetës politike e publike, si dhe krijues poetik nga trevat shqiptare.  Më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt .....

Nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt

“Takimet e Gjeçovit 2019’’ në kujtim të 90 vjetorit të kalimit të tij në amshim

Të shtunën e kaluar, në një ditë të bukur me diell, në Zym ta Hasit të Thatë , komuna e Prizrenit, u mbajt manifestimi tradicional për të 48 herë me radhë “Takimet e Atë Shtjefën Gjeçovit”, që ka karakter letrar, kulturor, shkencor e fetar, ku kësaj radhe nisi në fshatin Shëngjergj me përurimin e Muranës së françeskanit e mësuesit të zellshëm, etnografit, historianit, gjuhëtarit, e arkeologutAtë Shtjefën Gjeçovit, duke e shënuar kështu 90 vjetorin e vrasjes së tij.

Më pas manifestimi ka vazhduar në Zym, me një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve nga pjesë të ndryshme të Kosovës, klerikë, motra rregulltare, e personalitete të jetës politike e publike, si dhe krijues poetik nga mbare trevat shqiptare.   

Manifestimin e shpalli të hapur dhe përshëndeti të pranishmit, françeskani Atë Ndue Kajtazi, që është edhe kryetar i klubit letrar të Zymit, i cili foli për punën e sukseset e klubit të tyre, si dhe shpalosi një histori të shkurtër nga themelimi i “Takimeve të Gjeçovit” në vitin 1971 e deri më sot dhe rëndësia e shumëfishtë e tyre, sidomos në ruajtjen e vlerave kombëtare.

Ndërkaq, Frrok Kristaj, themelues e kryeorganizator i këtij manifestimi, tha se këto takime me aktivitete të ndryshme, vazhdojnë ta ruajnë promovimin e vlerave  të pastra kombëtare si dhe për çdo vit kemi edhe risi të ndryshme. “Sivjet karakteristikë e këtyre ngjarjeve është se biblioteka e mësuesit shumë vjeçar të Zymit, Haxhi Krasniqit, tashmë në amshim, bibliotekës së Zymit i vjen dhurate nga familja e tij, ndërsa risi tjetër është se për herë të parë nënshkruhet një marrëveshje mbarë shqiptare për promovimin e gatimeve tradicionale në kuadër të këtij manifestimi të quajtur “Dreka Zymjane”. 

Të pranishmeve iu ka drejtuar edhe Albin Kuri, i nominuar nga partia e tij për kryeministër: “Jemi sot këtu për ta kujtuar jetën dhe veprën e Atë Shtjefën Gjeçovit e cila duhet të jetë shembull për politikanet, për studiuesit dhe për mbarë popullin tonë sepse kur e dimë se çfarë bijsh të mëdhenj ka pasur kombi ynë, ne mund të ecim më mirë, e më të sigurt përpara. Atë Shtjefën Gjeçovi ka bërë studime duke e ditur se kombi eshët kulturë, gjithashtu ka grumbulluar thesaret e popullit, duke e ditur mirë se populli është vetë kombi i cili edhe e mirëmban atë. Andaj, atë duhet ta kujtojmë jo vetëm sot, e ndonjëherë, por dite për ditë sepse ia përkujtojmë vetes se prej nga vijmë dhe ku duam të shkojmë. 

Si zakonisht, u mbajt edhe ora letrare e Anton Pashkut, është hapur ekspozite e piktorit Jesmir Morina, pastaj Dita e bukës zymjane si dhe janë dorëzuar çmimet, “Pena e Pjetër Bogdanit, Pena e Shtjefën Gjeçovit, Pena e Anton Pashkut, si dhe çmimi “Unaza e Katit” .

Manifestimi “Takimet e Atë Shtjefën Gjeçovit” u përmbyll me një program të bukur artistik nga Ansambli i Zymit “Katarina Josipi”.

Nga Prishtina Rabie Ibraj

14 tetor 2019, 13:46