Kërko

 Vendi i hedhjes në erë të al-Baghdadit Vendi i hedhjes në erë të al-Baghdadit 

Siria: të panjohurat, pas vdekjes së al-Baghdadit

Kreu i Shtetit të vetëshpallur Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi vdiq, duke u hedhur në erë gjatë një sulmi amerikan, në veri të Sirisë. Gjatë shpërthimit thuhet se vdiqën edhe disa nga familjarët e tij.

R. SH. - Vatikan

Njoftimin për vdekjen e al-Baghdadit e dha presidenti i SHBA, Donald Trump nga Diplomatic Reception Room e Shtëpisë së Bardhë, me zëvendës-presidentin Mike Pence dhe drejtues të tjerë të lartë të administratës së tij. Ishte një raid - shpjegoi Trump - që u realizua falë ndihmës së Rusisë, Sirisë, Turqisë, Irakut e edhe kurdëve sirianë. Emri i al-Baghdadit ishte Awwad al Badri. Qe lindur në një familje sunite, në vitin 1971, në Samarra të Irakut, qytet simbol  i shiizmit. Në vitin 2003, pas pushtimit të Irakut, u bashkua me formacionet xhihadiste e, në vitin 2004, i zënë nga ushtarët amerikanë, u burgos në jug të Bagdadit. Pasi u lirua, u afrua me al Qaedën, për t’u shkëputur, më pas, prej saj.

Analiza e Gilles Kepel

Sipas politologut dhe orientalistit Gilles Kepel, autor i librit “Të dilet nga kaosi. Kriza në Mesdhe e në Lindjen e Mesme”, vrasja e al-Baghdadit nuk është ndonjë ngjarje shumë e rëndësishme, sepse lideri i Isis, nuk ishte më i zoti t’i drejtonte trupat e tij. “Nuk jam i sigurt nëse ky operacion, tepër mediatik,  është edhe po aq i rëndësishëm. Operacion i rëndësishëm është ai, që ka të bëjë me praninë perëndimore në Siri”.

Sipas njoftimeve, vdekja e numrit një të kalifatit islamik, duhet të  jetë konfirmuar nga testi i ADN-së. Mbetet frika se eleminimi i liderit, nuk do të shënojë edhe fundin e Shtetit të vetëshpallur islamik e, me të, edhe rrezikun e terrorizmit”. “E dimë edhe emrin e pasardhësit të tij, është tashmë në sistemet tona” - deklaroi presidenti Trump. Për Newsweek, duhet të jetë Abdullah Qardash, ish-ushtarak irakian. Ndërkaq, sipas burimeve të Forcave demokratike siriane, me shumicë kurde, në veri të Sirisë duhet të ketë vdekur edhe Abu Hassan al-Muhajir, zëdhënës i Is e krahu i djathtë i al-Baghdadit.

Risistemimi i ekuilibrit në rajon

Për Nicola Pedde, drejtor i Igs, Institue for global studies, vrasja e al-Baghdadit   lidhet me dinamikat në vijim, të kontrollit të rajonit. “Sigurisht vdekja  e al-Baghdadit e edhe kjo fazë e aktivizmit të posaçëm të aktorëve rajonalë - shton Pedde - na thonë, nga njëra anë, se terrorizmi është ende kërcënim, por nga ana tjetër, ka edhe një kërkesë post bellica - ose pas krizës, për risistemimin e ekuilibrave”.

28 tetor 2019, 15:51