Operacionet turke në Siri Operacionet turke në Siri 

Kazen: edhe të krishterë, ndër viktimat e ofensivës turke në Siri

Nuk ka paqe për popullsinë e Sirisë. Tani kërcënohen banorët e pjesës verilindore të vendit, nën sulmin e turqve kundër militantëve kurdë, që qeverisin atë territor. Franca dhe Gjermania deklarojnë se do të bllokojnë eksportimin e armëve drejt Ankarasë, ndërsa SHBA-të njoftojnë për sanksione. Shqetësimi i vikarit apostolik të Halebit, imzot Kazen.

R.SH. - Vatikan

Pas gati një javë bombardimesh turke në verilindje të Sirisë, forcat turke, të mbështetura nga luftëtarë vendas dhe nga elementë xhihadistë, hynë në Ras al-Ain, qytet strategjik kurd në kufi me Turqinë. Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut njofton se ka pasur “ekzekutime pa gjyq” për të paktën nëntë civilë, përfshirë aktivisten Hevrin Khalaf, që luftonte për të drejtat e grave dhe për bashkëjetesën paqësore ndërmjet kurdëve, të krishterëve dhe arabëve. Mënyra si u vra shkaktoi indinjatë në gjithë globin.

Sipas lajmeve të fundit, rreth 800 bashkëpunëtorë të Isis-it kanë ikur nga njëri prej kampeve. Rritet edhe bilanci i viktimave, megjithëse shifrat është e pamundur të verifikohen. Disa burime flasin për 40 sirianë të vrarë, gjatë orëve të fundit, ndërsa presidenti turk Erdogan njoftoi se janë vrarë 500 kurdë terroristë e 50 të tjerë janë plagosur, ose arrestuar. Në planin ndërkombëtar, Franca dhe Gjermania deklarojnë se do të bllokojnë eksportimin e armëve drejt Ankarasë, ndërsa SHBA-të njoftojnë për sanksione.

Dëshmia e vikarit apostolik

         Kurdët nuk janë viktimat e vetme të ofensivës turke. Në Sirinë veriore, administruar nga kurdët, jetojnë edhe të krishterë e pakica të tjera, siç përmendi edhe Papa në Engjëllin e Tënzot. Këtë nënvizon në mikrofonin e Vatican News, imzot Georges Abou Kazen, vikar apostolik i Halebit. Shumë nga të krishterët kanë ikur ndërmjet viteve 2004 e 2007, për të shpëtuar nga terroristët e Isisit, por të tjerë do të detyrohen të largohen për shkak të bombardimeve, që po vazhdojnë nga 9 tetori. Të dëgjojmë imzot Kazen:

         Jemi shumë të shqetësuar për këtë ofensivë. Këtu nuk ka vetëm kurdë, por edhe pakica të tjera, të krishterë në veçanti - asirët, kaldeasit sirianët, armenët – të cilët u masakruan nga Turqia, nga fundi i shekullit të 19-të e deri në fund të Luftës I Botërore. Këtu jetojnë bijtë dhe martirët e atyre njerëzve, që mundën të shpëtonin nga masakrimi. Tani shohin se po ata turq vijnë për t’u pushtuar territorin.

         Mendohet se objektivi i kësaj ofensive është çlirimi i territorit sirian nga prania kurde për të kthyer aty refugjatët sirianë në Turqi. Po kurdët ku do të shkojnë, pastaj?

         Po, pra! Çfarë duan të bëjnë? Në atë vend shumë njerëz jetojnë në territorin e tyre. Fiset arabe, kurdët, të krishterët... Atëherë, si mund të sjellin njerëz të tjerë atje? Nëse turqit e kanë me të vërtetë këtë mendje, do të arrijnë në një zgjidhje edhe më të keqe, pra, do ta përzënë popullsinë vendase për të vendosur njerëz të tjerë. E pastaj, thonë se në burgjet kurde ka akoma 10 mijë terroristë të Isisit. Ç’do të bëjë Turqia? Do t’i lirojë? Në Siri, problemi nuk është i brendshëm. Siria përbëhet nga 23 grupe të ndryshme etnike dhe fetare. Më parë ishte një mozaik i bukur, jetonin të gjithë bashkë, por, fatkeqësisht, me ndihmën e fuqive të mëdha perëndimore, duan ta reduktojnë gjithçka në një flamur të vetëm, në flamurin e zi. Ne na vjen shumë keq për këtë e kemi edhe frikë.

A ju mbërrijnë ndihma nga jashtë për familjet, refugjatët…?

         Duhet të falënderojmë me të vërtetë Kishën Katolike universale, si dhe shumë nga mirëbërësit dhe organizatat tona, që na ndihmojnë. Pa dyshim, ka shumë kërkesa, tani ka edhe refugjatë të rinj; disa thonë se janë njëqind mijë, dyqind mijë të tjerë. Po bëjmë ç’mundemi. Lutuni për ne! Lutuni shumë! Natyrisht, duhet të çojmë ndihma atje ku ka luftë, të mos shesim armë, por duhet ndihmë edhe për të dialoguar së bashku, sepse me dialog mund të arrihet gjithçka.

14 tetor 2019, 14:05