Kërko

 Takim i diplomacisë: Turqi, SHBA, Siri Takim i diplomacisë: Turqi, SHBA, Siri 

Siria: heshtin armët, për 120 orë. Atë Ayvazian: Lajm i bukur, po ne shpresojmë në paqen!

120 orë, pesë ditë: kjo, koha e armëpushimit ose e “ndalimit të shkurtër” të ofensivës turke kundër milicëve kurdë, në Veri të Sirisë, fryt i marrëveshjes arritur mbrëmë, 17 tetor.

R. SH. - Vatikan

120 orë, pesë ditë: kjo, koha e armëpushimit ose e “ndalimit të shkurtër” të ofensivës turke kundër milicëve kurdë, në Veri të Sirisë, fryt i marrëveshjes arritur mbrëmë, 17 tetor, në Ankara, ndërmjet zëvendës-presidentit të SHBA-ve, Mike Pence, sekretarit të Shtetit amerikan, Mike Pompeo dhe presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan. SHBA-të, siç parashikohet në marrëveshje, do të japin ndihmesën e tyre për evakuimin e luftëtarëve kurdë nga zona e sigurimit e konkorduar me Ankaranë. Posaçërisht, milicitë kurde duhet të tërhiqen nga vija e kufindarëse, fiksuar 32 kilometra larg kufirit. Pauza e fushatës turke “Burimi i paqes” do të jetë përfundimtare, kur kurdët të tërhiqen plotësisht. Presidenti Trump  shprehu kënaqësinë për këtë akord në Twitter, me këto fjalë: “Kjo është një ditë e madhe për qytetërimin. Jam krenar që SHBA-të mbetën besnike në ndjekjen e rrugës së nevojshme, edhe pse jo konvencilonale”. Është, pra, një armëpushim, që sigurisht do t’i krijojë të gjitha mundësitë për largimin e milicëve kurdë nga zona kufitare. Javën e ardhshme, ndoshta të hënën,  parashikohet një takim i drejtuesve të sigurisë kombëtare dhe ushtrive të të dy vendeve, në Sotshi. Takim tjetër do të jetë ai presidentit Putin me presidentin Erdogan, për kofirmimin e marrëveshjes të tërheqjes së trupave turke. Në pritje për t’i njohur më hollësisht termat e marrëveshjes Turqi-SHBA, duhet kuptuar, për shembull, në emër të kujt biseduan SHBA-të, duke pasur parasysh se aleanca me kurdët sirianë mori fund më 9 tetor, me njoftimin e tërheqjes së ushtarëve amerikanë nga Veri-Lindja e Sirisë - e cili mund të jetë tani reagimi i ushtrisë së Assadit, aleat me kurdët.

Nga qyteti Qamishli, famullitari armeno-katolik, atë Anton Ayvazian, i cili është edhe drejtues i bashkësisë armeno-katolike të Mesopotamisë së Epërt dhe Sirisë së Veriut, shpjegon se pala kurde, e ardhur nga Turqia dhe nga malet e Kandilit, do ta vijojë luftën, pavarësisht nga kjo marrëveshje. Në Qamishli, lagjja e Kaddur Bek, pranë kufirit turk e me shumicë kurde, është boshatisur krejtësisht. Në të nuk ka mbetur asnjë banor. Nga qendrat e Ayn Issa, Tel Abyad e Jarablus, kurdët janë larguar nga pozicionet e ushtrisë siriane. “Që dje në mëngjes - shton - armatat siriane po zënë pozicione për mbrojtjen e kufirit irakian deri në Veri-Lindje, pranë kufirit turk”:

“Ndërmjet forcave siriane e turke - pohon akoma meshtari - ka edhe rusë, aleatë të presidentit Assad. Të krijohet ideja se sigurimi i kufirit tani është në dorë të sirianëve. Por është tepër shpejt për të thënë fjalën e fundit! Çka dihet me siguri, është se kemi 129 orë ndalim zjarri e se popullsia nuk mund të mos e ndjejë veten sadopak të lehtësuar. Prej këndej, mbrëmë pamë edhe skena gëzimi rrugëve. Lajm gazmor, ky! Ngjall shpresat për paqen e qëndrueshme!”.

 

18 tetor 2019, 14:16