Kërko

Ndërsa Maqedonia e Veriut shpresonte... Ndërsa Maqedonia e Veriut shpresonte... 

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk marrin statusin e kandidatit në BE

Pavarësisht se shumica e Këshillit Evropian ishte dakord, peshoi sidomos “jo”-ja e Francës. Nuk fillojnë negociatat për integrimin evropian të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.

R.SH. - Vatikan

“Mbetëm thellësisht të zhgënjyer kur pamë se Këshilli Evropian nuk arriti të merret vesh për hapjen e bisedimeve të integrimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut”. Ndërsa pritet që kryeministri maqedonas të japë dorëheqjen dhe kryeministri shqiptar thekson se nuk është faji i Tiranës, prononcohet edhe kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli mbi vendimin e sotëm, që nuk u njeh dy vendeve ballkanike statusin e kandidatit për integrimin në BE.

         “Si vendet, ashtu edhe qytetarët e tyre – nënvizoi Sassoli – kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të plotësuar kërkesat e hapjes së bisedimeve. Prandaj, shpreha mbështetjen time të plotë për hapjen e menjëhershme të negociatave për integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, në një letër të përbashkët me kryetarin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk, kryetarin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe me kryetaren e zgjedhur të Komisionit, Ursula von der Leyen”.

         Argumenton Sassoli: “Kur u kërkojmë vendeve fqinjë të bëjnë një përpjekje shtesë dhe ata e bëjnë, është detyra jonë ta mbajmë fjalën. Do të jetë e vështirë t’u shpjegojmë popujve të atyre vendeve pse po e vonojmë hapin e mëpasëm, pavarësisht nga përparimet e bëra. Do të vazhdojmë të luftojmë për një të ardhme me Shqipërinë e me Maqedoninë e Veriut brenda familjes evropiane”.

18 tetor 2019, 18:26