Kërko

 Jezu Krishti Jezu Krishti 

Me 9 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Leonardin

Shën Gjon Leonardi thoshte: Ai që dëshiron të kryejë një reformë serioze fetare e morale, ashtu si mjeku i mirë, duhet të bëjë edhe një diagnozë të vëmendshme të sëmundjeve nga të cilat vuan Kisha, për të qenë kështu në gjendje të japë për secilën prej tyre, ilaçin më të përshtatshëm. Vërente edhe se përtëritja e Kishës duhet të përfshijë njëlloj si krerët, ashtu edhe vartësit e tyre, lart dhe poshtë. Duhet të fillojë nga ata që sundojnë, për t’u shtrirë, më pas, tek nënshtetasit.

R.SH. - Vatikan

Më 9 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Leonardin, themelues i Urdhrit Rregulltar të Klerikëve të Nënës së Hyjit, shpallur shenjt më 17 prill të vitit 1938, zgjedhur, më 8 gusht 2006, pajtor i farmacistëve.

Shën Gjon Leonardi, që jetoi në gjysmën e shekullit XVI, në Krishtin e pati qendrën absolute të veprës së tij apostolike, duke kundërshtuar, me vlerën e Ungjillit, ndarjen e përçarjen ndërmjet  fesë e arsyes që nisi të përvijohej në atë epokë.

Shenjti lindi më 1541 në Dieçimo, në provincën italiane të Lukës. I fundmi i shtatë vëllezërve, e kaloi adoleshencën sa në gjirin e një familjeje të shëndetshme e punëtore, aq edhe në një tregtizë erëzashe e ilaçesh në vendlindje.

Kur mbushi 17 vjeç, i ati e regjistroi në një kurs të rregullt pranë barnatores së Lukës, me qëllim që në të ardhmen të bëhej farmacist, madje jo dosido, por njohës i shquar i barërave e i erëzave,  siç quheshin asokohe.

Djaloshi Gjon i ndoqi me vëmendje e pasion mësimet për dhjetë vjet me radhë, por kur, sipas normave të  caktuara nga Republika e lashtë e Lukës, fitoi titullin zyrtar, që do t’i krijonte kushte për të hapur barnatoren e vet, ai nisi të mendonte se ndoshta-ndoshta kishte ardhur çasti i duhur për realizimin e një plani, të cilin e kishte fort për zemër prej kohe. Pasi reflektoi thellë, vendosi të niste rrugën meshtarake. La, prandaj barnatoren e, si mori formimin e përshtatshëm teologjik, u shugurua meshtar.

Ishte solemniteti i Dëftimit të Zotit i vitit 1572, kur kremtoi Meshën e parë. Por rruga e re në të cilin nisi të ecte, nuk ia zbehu aspak pasionin për farmakopenë, dmth për librat, që  përmbledhin recetat e ilaçeve të ndryshme, një pjesë e mirë prodhuar përmes mbledhjes dhe përpunimit të barërave,   tejet të përdoruara, kur shkenca farmaceutike ishte ende në fasha.

Vijoi njëkohësisht, rrugën e meshtarit e të barnatarit, me bindjen se ndërhyrja e tij profesionale do ta ndihmonte për ta realizuar plotësisht misionin : “T’u përcillte njerëzve, përmes një jete shenjte, ‘ilaçin e Zotit’, Jezu Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, ‘masë e të gjitha sendeve’.

I shtyrë nga zelli apostolik, në maj të vitit 1605 i dërgoi Papës Pali V, që sapo ishte zgjedhur, një Përkujtesë, përmes së cilës shprehte mendimet e veta për përtëritjen e Kishës, me bindjen se njeriu duhet të zhvishet nga çdo lloj interesi, për t’ia kushtuar gjithë vetveten Hyjit, duke vënë mbi gjithçka vetëm shërbimin e lavdinë e Krishtit të kryqëzuar e duke parë gjithnjë pranë Fytyrës së Jezusit, atë të Nënës së Tij, Zojës së bekuar, të cilën e pati mësuese, motër, nënë e pajtore.

09 tetor 2019, 15:00