Don Prek Ndrevashaj, sacerdote albanese Don Prek Ndrevashaj, sacerdote albanese 

Dom Prek Ndrevashaj në përvjetorin vdekjes

Dom Prenkë Ndrevashaj, meshtar, misionar, poet e përkthyes shumë i talentuar, bashkëpunoi edhe me revistën ‘Shêjzat’ të shkrimtarit prof. Ernest Koliqi, ku botoi disa poezi që shquhen për fjalorin e tyre të pasur, karakteristik për të folmen e Dukagjinit. La trashëgim disa dorëshkrime të vyera, ndërmjet të cilave, edhe përkthimin, në dialektin gegë, të Mesharit Romak të të dielave e të disa Psalmeve të Biblës.

R.SH. - Vatikan

Kujtojmë sot Dom Prek Ndrevashajn, në përvjetorin e vdekjes. Prifti shqiptar dom Prenkë Ndrevashaj, lindi në Brashtë të Shoshit, në Dukagjin, më 24 qershor 1928, në familjen e njohur për trimëri e urti të Sokol Ndrevashajt, ndërsa i mbylli sytë përgjithmonë nga një infarkt në zemër, në sa kishte shkuar për vizitë prej Amerike, ku jetonte, në Shkodër, më 1 tetor 2004.

Nxënës i Kolegjit të famshëm Saverian të Etërve Jezuitë, dom Prek Ndrevashaj u nis herët për rrugën meshtarake, në sa njihej si një nga seminaristët më mprehtë, më të kulturuar e më premtues të shkollës. Arriti të merrte dëftesën e pjekurisë, kur portat e Kolegjit po mbylleshin, për t’u rihapur pas një kohe tepër të gjatë. Në vend të studimeve të larta, nisi rrugën e Kalvarit.

Në fillim shërbeu si mësues në Dajç, më pas në Burrel e në Mat, vende që të kujtojnë burgje e kampe përqendrimi; pastaj, duke dëshiruar me gjithë zemër të bëhej prift, u vendos në Tiranë, ku studioi filozofinë e teologjinë nën drejtimin e Atë Pjetër Meshkallës, asokohe në Kryeqytet. Këtu u burgos e, në sa transferohej me pranga në duar për në burgun e Shkodrës, ia doli mbanesh të ikte e më pas, së bashku me nënën e motrën, rregulltare servite, të kapërcente kufirin e Shqipërisë e të hynte në Jugosllavi.

Më 1961, pasi pati shërbyer si mësues në Gusi të Malit të Zi, arriti të regjistrohej në Universitetin papanor Urbaniana në Romë dhe kështu të realizonte dëshirën më të madhe të jetës: shugurimit meshtar, e më 20 dhjetor 1961 kremtoi Meshën e parë. Prej këndej nisi misionin meshtarak si kapelan për shqiptarët e arratisur në Itali e më vonë në Amerikë. U vendos në Detroit-Miçigan, ku krijoi famullinë e parë të shqiptarëve dhe ndërtoi kishën “Zoja-Pajtore e Shqiptarëve”, në të cilën shërbeu deri në moshën e pensionit.

Më 1991, kur iu hapën rishtas portat e Atdheut, nisi të shtegtonte shpesh drejt Shqipërisë, gjithnjë i ngarkuar me ndihma. Ishte në Shqipëri, e pikërisht në Shkodër më 1 tetor 2004, kur zemra e tij fisnike pushoi së rrahuri.

Dom Prenkë Ndrevashaj, poet e përkthyes shumë i talentuar, bashkëpunoi me revistën ‘Shêjzat’ të shkrimtarit prof. Ernest Koliqi, ku botoi disa poezi që shquhen për fjalorin e tyre të pasur, karakteristik për të folmen e Dukagjinit. La trashëgim disa dorëshkrime të vyera, ndërmjet të cilave, edhe përkthimin, në dialektin gegë, të Mesharit Romak të të dielave e të disa Psalmeve të Biblës. Më 3 tetor 2004 dhe u varros në Kapelën e Rrëmajit, duke realizuar një ëndërr tjetër të dashur: pushimin në paqe në tokën amtare.

Ta dëgjojmë një fragment të një intervistës që realizuam më 1992 me meshtarin e mirënjohur Dom Prek Ndrevashaj, ta dëgjojmë në mikrofoni e Ana Lukës...

Ta dëgjojmë një fragment të një intervistës që realizuam më 1992 me meshtarin e mirënjohur Dom Prek Ndrevashaj, ta dëgjojmë në mikrofoni e Ana Lukës...

Dom Prek Ndrevashaj reflekton mbi të Shtunën e Madhe të Pashkëve
01 tetor 2019, 14:12