Kërko

Custode Assisi, oggi urge ricostruire una cultura politica Custode Assisi, oggi urge ricostruire una cultura politica  

Më 4 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Françeskun e Asizit

I dashuruar me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit dhe të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët. Në të, u shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave.

R.SH. - Vatikan

Më 4 tetor, kalendari përkujton shën Françeskun e Asizit, themeluesin e Urdhrit të françeskanëve, i mirënjohur dhe i nderuar në trevat shqiptare. Festa e shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet dhe njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.

Nga një rini e shkujdesur e plot dëfrime, Françesku posa ndjeu mëshirë për të gërbulurit, u kthye në rrugën e Ungjillit dhe e jetoi pa asnjë lëkundje, në varfëri e në gëzim, duke e ndjekur Krishtin e përvuajtur, të varfër e të pastër, sipas shpirtit të lumnive. Së bashku me vëllezërit e parë që e ndiqnin, të tërhequr nga forca e shembullit të tij, predikoi kudo dashurinë e Zotit, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në përtëritjen e Kishës.

I dashuruar me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit e të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët. Në të, ashtu si në mistikët më të mëdhenj, u shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave. Qe frymëzues e Atë i familjeve rregulltare mashkullore e femërore që morën prej tij emrin “françeskane”. Piu XII e shpalli Pajtor të Italisë më 18 qershor 1939.

Urdhri françeskan nisi së pari në Asizi të Italisë, por shumë shpejt u përhap në vise të tjera të botës, e kështu edhe në Shqipëri e në trevat tjera shqiptare si në Kosovë e Mal të Zi.
E sot, ndër të gjitha Kishat françeskane të botës u kremtua festa e Shën Françeskut, që me shembullin e vet vijon të tërheqë mijëra njerëz të kombësive të ndryshme në rrugën e Krishtit Zot e Shpëtimtar. Shën Françesku i Asizit i cili, duke i përngjarë Krishtit, hoqi dorë nga pasuritë tokësore, na mësoi, kështu, se duhet të jemi të thjeshtë, të përvujtë e të pastër, që kur ta lemë këtë botë, ta marrim shpërblimin për dashuri. Të mësojmë nga Shën Françesku për ta jetuar fjalë për fjalë Ungjillin.

Lutja e shën Françeskut
O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:
ku ka urrejtje – unë ta sjell dashurinë,
ku ka fyerje – unë ta sjell faljen,
ku ka mospajtim – unë ta sjell bashkimin,
ku ka mashtrim – unë ta sjell besimin,
ku ka dëshpërim – unë ta sjell shpresën,
ku ka terr – unë ta sjell dritën,
ku ka pikëllim – unë ta sjell gëzimin.

O Zot, bëj që mos të kujdesohem aq
që të jem ngushëlluar – sa të ngushëlloj,
që të më kuptojnë – sa t’i kuptoj unë të tjerët,
që të më duan – sa të dua.

Sepse: kush dhuron vetveten – e fiton vetveten;
kush harron vetveten – e gjen vetveten;
kush fal – do t'i falet;
kush i vdes vetvetes – lind për jetën e amshuar.

KËNGA E KRIJESAVE
I Tejetlarti, i Gjithpushtetshmi,
o Zoti ynë i mirë!
E jotja është lavdia, lumturia,
nderi dhe çdo bekim.
Këto Të takojnë vetëm Ty,
ndërsa asnjë njeri nuk është i denjë
as emrin e shenjtë që Ta përmendë.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
me të gjitha krijesat e Tua –
posaçërisht me vëllain,
zotërinë Diellin.
Prej tij na vjen dita
dhe ai na ngroh me rreze të veta.
Ai është i bukur
dhe plot me dritë shkëlqyese,
i përngjan, o i Larti,
dritës Sate të hyjnueshme.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë Hënës
dhe vëllezërve yje!
Ata të shkëlqyeshëm,
të dashur dhe të bukur
i ke shpërndarë nëpër qiellin Tënd.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë Erës,
përmes Ajrit dhe Reve
dhe Kthjelltësisë së shkëlqyer,
dhe përmes të gjitha
moteve të Tua,
me të cilat i mban krijesat e Tua.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes vëllait tonë Ujit.
Ai është shumë i dobishëm,
i përvujtë, i çmueshëm dhe i pastër.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes vëllait tonë Zjarrit,
i cili natën e errët na e shndrit.
Ai është i bukur dhe i këndshëm,
i fortë dhe përvëlues.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë Tokës.
Ajo na ushqen dhe na mban,
na jep fryte të ëmbla, lule të larme dhe gjelbërim.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes atyre që falin
për dashuri tënde,
dhe i pësojnë me gëzim
vuajtjet jetësore.
Të lumët ata që çdo gjë e bëjnë me paqe,
sepse do t'i kurorëzosh
me kurorë të amshuar.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë
vdekjes së trupit,
cilës asnjë i vdekshmi
nuk do t'i ikë.

Të mjerët ata, që vdesin
me mëkat të rëndë!
Kurse të lumët ata, të cilët Ti i gjen
sipas dëshirës Sate të shenjtë,
sepse vdekja tjetër
nuk do t'i humbasë!

Lavdëronie dhe bekonie Zotin tim,
falënderonie Atë,
shërbeni Atij të gjithë
me përvujtni të madhe!

04 tetor 2019, 11:39